Home Aktualitet Kozeta Kurti: “Kilometri 28 mijë” më jep siguri!

Kozeta Kurti: “Kilometri 28 mijë” më jep siguri!

1640
0

Prezantuesja dhe gazetarja e njohur Kozeta Kurti shfaqet ketë vit para publikut me një format të ri televiziv. Në intervistë për gazetën “Tirana Observer”, ajo tregon qëllimin e këtij projekti dhe risitë që do i serviren publikut shqiptar në ekranin e televizionit “Ora News”. Së pari, përgëzime për projektin e ri televiziv. Si lindi ideja dhe cili është misioni i këtij programi? Nuk është shumë e vështirë të projektosh një emision me çështje sociale, sepse jeta jonë e përditshme është e orientuar drejt tyre. Ne flasim për politikën në një aspekt shumë sipërfaqësor, duke e identifikuar atë me figurat e liderëve, pa harruar se ne jemi derivat i vendimeve politike në çdo fushë, arsim, shëndetësi, punësim, art, kulturë, sport…. Për titullin, ju keni zgjedhur një hapësirë dhe kohë të veçantë, me kilometra dhe me ngjarje tipike shqiptare. Çfarë do të thotë kjo? Është shumë e thjeshtë. Prej kohësh ne e identifikojmë Shqipërinë me Tiranën, duke bërë që të jetojmë përditë në një Tiranë gjithnjë e më të madhe e në një Shqipëri gjithnjë e më të vogël, ndërkohë që nuk ka nevojë të shkosh shumë larg, por sikur vetëm pak km larg Tiranës, në periferi të saj, shpesh të duket vetja e vendosur në një kohë tjetër historike. Imagjinoni në 28 mijë km katrorë, në të gjithë sipërfaqen katrore të Shqipërisë. Kryesisht në emisione si ky i juaji janë meshkujt ata që moderojnë programin. Mendoni se do t’i përshtateni një imazhi të ri para një publiku që është mësuar të ndjekë skemat? Unë nuk kam pasur problem me dashurinë e publikut. Ai ka ditur të më dojë kurdo dhe sido të më ketë parë, në formate argëtuese, spektakle, investigative, informative. Ai më do mua, sepse unë e dua atë, pastaj vjen programi, për të cilin nuk kam pse e mohoj që kam siguri, sepse njoh problematikat, njerëzit e duhur që flasin për çështje të caktuara; fundja çfarë i duhet më shumë publikut, përveç kësaj? Temën e duhur, diskutuar nga njerëz të duhur. Në televizionet shqiptare shikohen shpesh të njëjtat formate dhe personazhe që diskutojnë për probleme të ndryshme, duke ndërruar thjesht ekranet. Keni ndër mend të sillni elementë të rinj? Nëse unë do ta kisha parë një të ngjashëm, nuk do ta kisha bërë. Nuk është faji im, pse herë pas here formatet politike, kur nuk ka ngjarje, merren me jetën e të bukurave pasi janë shpallur misse e të tjera si këto. Nuk është faji im, pse në kurriz të dramës së dikujt, abuzohet, duke shkelur herë pas here edhe parimet e së drejtës dhe parimet morale. S’ka pse diskutohet për çështjen e regjistrimit të popullsisë në bazë bindjesh fetare, nisur nga faktorët politikë, por të hapet goja e të thuhet fort, se kjo është një shkelje e hapur e parimeve të Kushtetutës, e të drejtës për të besuar ose jo, e të drejtës për të ndryshuar besimin ose jo. Dëgjojmë përditë shtet ligjor, shtet ligjor. Nuk jemi më shtet ligjor. I tillë qe shteti i diktaturës. Ne jemi shtet i së drejtës e ky shtet nuk ka të drejtë të hynë në intimitetet e mia. Ju kemi parë energjike dhe të qeshur në emisionet e tjera me natyrë informuese dhe argëtuese. Bashkë me risitë e këtij emisioni të një kalibri më serioz, do sjelli Kozeta një pjesë tjetër të karakterit të saj profesional dhe njerëzor? Po patjetër që po, pavarësisht se jo e shndërruar në qëllim. Nëse unë kam xhiruar reportazh në një familje të ngujuar, ku përveç të tjerësh, jeton një fëmijë 6 muajsh, e lindur pa baba, sepse u largua ndërsa nëna ishte prej tre muajsh shtatzënë, unë nuk kam se si të reagoj njësoj, si pas një reportazhi të xhiruar për fluturimet me parashutë apo legjendën e “Harley Davidson”. Ju jeni njëkohësisht gazetare, shkrimtare por edhe studente dhe pedagoge, pra një femër në aktivitet ditor të ngjeshur. Si e menaxhon kohën? Oh, shkrimtare….Të tjerat i pranoj, duke lënë ndoshta mënjanë edhe modestinë, por mos ma bëni qejfin me këtë termin “shkrimtare”. Unë kam botuar një libër për një fushë që e njoh siç është muzika, përfaqësuar nga njerëz që i njoh, siç janë artistët e viteve ’90 në Shqipëri, por kaq. Ndërsa përsa i përket konceptit të kohës, sigurisht nuk është e thjeshtë, sepse duket sikur po të bësh shumë gjëra në të njëjtën kohë, asnjërën nuk bën mirë. Për mua nuk është kështu. Për mua, po i deshe gjërat që bën, nuk ka shanse të të rrëshqasë ndonjëherë situatë nga duart. Meqë përmendëm librat dhe ju keni botuar një të tillë, do të kemi “fëmijë” të ri nga fusha krijuese? Ëndrrën për një botim në fushën e muzikës e plotësova. Ndoshta tani e ka radhën jeta akademike, kështu që nëse do të ketë një tjetër më vonë, patjetër që do të jetë një libër i studiuar mirë, që t’u shërbejë të tjerëve për të studiuar mirë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here