Qeveria e Kosovës dhe Zyra Ndërkombëtare Civile që kanë hartuar dokumentin me dy shtigje, i cili parasheh veprimet që duhet ndërmarrë gjatë vitit për të deklaruar të përmbyllur pavarësinë e mbikëqyrur, nuk kanë dhënë përgjigje të shtunën se çfarë nënkupton adresimi ndaras i çështjes së Mitrovicës së veriut, formulim të cilin e kanë përfshirë në dokument. E ndërkombëtarët dhe serbët kanë reflektuar.
Nga njerëzit në Qeveri që nuk kanë folur për këtë, e që i ka kontaktuar gazeta të shtunën, janë zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, ministri i Punëve të Brendshëm, Bajram Rexhepi, dhe këshilltari kryesor i kryeministrit Hashim Thaçi, Bekim Çollaku. Për këtë ditë nuk ka mundur të hartojë një përgjigje as Christian Palme, zëdhënës në ICO-s.
Një burim i afërt me kryeministrin Thaçi i ka thënë gazetës se Qeveria është e gatshme të hyjë në dialog me komunitetin serb të veriut për të gjetur një zgjidhje. Madje, ka thënë se kreu i Qeverisë mund të flasë edhe me përfaqësuesit e strukturave ilegale.