Home Aktualitet Keshilli i Mandateve: Prifti i gatshem per lenien e imunitetit

Keshilli i Mandateve: Prifti i gatshem per lenien e imunitetit

551
0

Deputeti Dritan Prifti, në Këshillin e Rregullores së Imuniteteve është shprehur i gatshëm për të lënë imunitetin, për t’i hapur rrugë kështu hetimit nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme, pasi nga kjo e fundit është kërkuar autorizim i Kuvendit për ndjekje penale ndaj tij. Ish-ministri i Ekonomisë, Prifti, theksoi se videoja që ka zbuluar eksperti amerikan nuk është asgjë më shumë se sa një vërtetim për akuzat që Prifti ka ngritur ndaj Ilir Metës.

“Jam gati nëse Kuvendi gjykon, sipas nismës që ka ardhur dje nga deputetët e PD, të nënshkruaj çdo lloj deklarate që deputetët të jenë të barabartë sa i takon hetimit. Dua të deklaroj se videoja për të cilën më akuzojnë është filmuar për të denoncuar korrupsionin. Filmimi me sekretarin Leonard Beqiri u bë vetëm për të dokumentuar arsyet e presionit që Meta ka bërë mbi mua. Në të dalin fakte të reja, si edhe provohen ato që kam thënë më parë. Për akuzat e Prokurorisë më mjafton vetëm një orë për të vërtetuar se nuk qëndron. Jam larguar si ministër sepse nuk kam pranuar të firmos ato që kërkonin si favore”, tha ai.
Priti, duke u shprehur se vijon presioni mbi të për të ndaluar akuzat, theksoi gjithashtu se është i gatshëm që të sakrifikojë deri në fund. Ai shtoi se do të respektojë Prokurorinë dhe se do të shprehet në këtë organ për më tej.

“Garantoj se kjo që po bëhet ndaj meje është presion, por nuk kam për ta frenuar misionin tim. Nuk kam për t’u trembur, nuk kam për t’u tërhequr, nuk e kam për herë të parë që përballem me presione të të gjitha natyrave. Edhe muajt e fundit kam pasur presione të jashtëzakonshme për të frenuar atë që kam bërë. Jam i gatshëm të sakrifikoj edhe më shumë se kaq, për të vazhduar atë që kam nisur”, tha ish-ministri.
Por ai gjithashtu tha se e gjithë kjo mund të ishte evituar me një thirrje për sqarim që mund të kishte bërë Prokuroria, ashtu siç veproi me Ilir Metën. “Jam krejtësisht i hapur për organet e hetimit, por po u them diçka që, sigurisht që do të ishte evituar një zhurmë kaq e madhe nëse prokuroria, siç bëri me z. Meta që deponoi, unë do të kisha preferuar që të isha thirrur, se me një seancë të vetme do të kisha provuar se nuk ka asgjë të kundërligjshme. Ata nuk e bënë, unë jam i detyruar të vazhdoj me procedurat”, u shpreh Prifti.

Ish-ministri i Ekonomisë tha se videoja e dytë, për të cilën Prokuroria e Përgjithshme e akuzon, provon akuzat që ai ka bërë për Ilir Metën. Prifti tha se në këtë video të dytë nuk ka asgjë më shume se sa vërtetim ndaj akuzave që ai ka ngritur për Metën.
“Disa thonë se unë e kam zhdukur apo fshehur këtë video, që qenka zbuluar nga eksperti amerikan. Kur kam dorëzuar kompjuterin, u kam sqaruar prokurorëve se në atë kamera ka pasur video të tjera, që për shkak të memories janë fshirë për të bërë filmime të tjera. Sigurisht që unë e kam në arkivin tim këtë video dhe nuk më ka shkuar ndërmend për ta zhdukur, por nuk ka qenë momenti i përshtatshëm për ta shfaqur atë. Ditët e fundit kam qenë pjesë e disa akuzave që janë bërë në media. Unë nuk kam ndërmend të sulmoj askënd. Kam denoncuar zv.kryeministra dhe ministra, kam denoncuar afera për kontrabandë. Kam denoncuar afera me koncesione, privatizime, tendera. Po u them qartë, nuk dua të zgjatem shumë, me vete kam Zotin, por kam edhe faktet. Do respektoj institucionin e Prokurorisë dhe të gjitha do t’i deklaroj atje. Nuk ka asnjë veprim që mund të cilësohet si i kundërligjshëm. Videoja provon atë që unë kam thënë për Ilir Metën më përpara. Në gjykimin tim ka një seri faktesh që provojnë akuzat të mëparshme, por që në vetvete nuk ka asnjë kundërvajtje apo vepër penale”, përfundoi Prifti fjalën e tij në Këshillin e Rregullores së Imuniteteve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here