Adnan Januzaj në gjurmët e David Bekam. Mesfushori me origjinë shqiptare, që po rezulton një nga surprizat e pakta të sezonit katastrofik të Mançester Junajtid, po ndjek rrugën e ish-lojtarit të djajve të kuq. Agjenti belg i 19-vjeçarit ka arritur një marrëveshje me grupin sportiv të investimeve “Doyen”, që do të kujdeset për të drejtat komerciale të tij.
Në këtë grup bën pjesë edhe publicisti që kujdeset për të drejtat e imazhit të David Bekam. Nën kontratë me këtë kompani janë edhe të tjerë emra të mëdhenj si Nejmar, Ksavi, Negredo dhe Beker. Sipas “Daily Mail”, kompania në fjalë do të ketë një peshë të madhe edhe në vendimin që do të marrë djaloshi për kombëtaren që do të përfaqësojë në të ardhmen.
Në këtë aspekt, ky është një lajm negativ për Shqipërinë, pasi “Doyen” synon tregje të mëdha dhe në këtë rast, imazhi i 19-vjeçarit rritet vetëm nëse ai luan për një skuadër prestigjioze si Anglia apo Belgjika. Gjatë javëve të fundit është folur shpesh për një afrim të mundshëm të Januzajt me Belgjikën, pasi trajneri Vilmots e kërkon me ngulm për ta aktivizuar në Kupën e Botës, që do të startojë gjatë muajit qershor në Brazil.