U futa në Youtube.com për të ndjekur intervistën e patriarkut të kishës ortodokse serbe, Irenej, por nuk u kapa në befasi nga qëndrimet e tij. I njihja këto qëndrime. Madje, opinionet e veta, duke qenë se ish në Tiranë, i kish nakatosur edhe me ndonjë frazë korrekte e elegante, si “shqiptarët e serbët kanë jetuar mirë bashkë gjatë qindra vjetëve”, etj. Në Serbi e për serbët, ai ka përdorur e përdor një gjuhë më virulente. Sa për ilustrim, po sjell një qëndrim të tijin në vitin 2011, një vit pasi u ul në fronin e udhëheqësit shpirtëror të ortodoksëve serbë: “Ata [të Brukselit] po na ofrojnë sot anëtarësimin në BE, e për këtë na kërkojnë të paguajmë një çmim të tmerrshëm, na kërkojnë të harrojmë Kosovën e Metohinë. Por kush jemi ne që mund ta bëjmë këtë? Me ç’logjikë mund ta bëjmë këtë, xhanëm? A mund të jetojë një njeri, nëse i priten kryet? A mund të jetojë një njeri, nëse i shkulin zemrën nga kraharori? Ja, kështu është edhe Kosova, është zemra, është koka e Serbisë. Unë nuk e di se ç’mendojnë njerëzit e thjeshtë lidhur me këtë gjë, por unë di se ç’mendoj unë. Nëse duhet të hyjmë në BE me këtë kusht, atëherë do të ishte më mirë t’i thoshim Europës: ‘faleminderit për zemërgjerësinë e dashurinë tuaj, por ne Kosovën nuk e lëshojmë’.”
Nuk u kapa në befasi jo vetëm se ia njihja qëndrimet, por edhe sepse qëndrime të tilla dihen edhe pa i dëgjuar të dalin nga goja e shumicës së klerikëve të kishave ortodokse. Kush njeh historinë e krijimit të kishave ortodokse në Ballkan e di shumë mirë se ato kanë kuruar mbi të gjitha interesa të natyrës profane e temporale, sidozot ato kombëtare, e shumë pak e kanë vënë ujin në zjarr për t’i përcjellë grigjës së besimtarëve fjalën e Zotit. E për këtë është mjaft të lexosh fjalën e mësipërme të Irenejt. Është kjo gjuha e atij që ka marrë përsipër të bëjë ndërmjetësin mes njerëzve dhe Zotit? Ka lidhje ky me mesazhin e Krishtit? Absolutisht, jo. Kjo është gjuha e një politikani. Dhe Irenej ka lidhje me Krishtin, aq sa kam unë lidhje me Irenejn.
Mirëpo, Irenej nuk është një fenomen i çuditshëm. Ai është një fenomen i zakonshëm brenda një Kishe, si kjo serbe, që ka qenë gjithherë e lidhur me politikën, në mos në shërbim të politikës. Nuk është se Kishat e tjera ortodokse në Ballkan, a në Europë, janë ndryshe. As Kisha shqiptare nuk bën përjashtim. Përkundrazi, është provë tjetër e lidhjes së Kishës me politikën, dhe kjo duket qysh te fakti që ajo është krijuar nga Fan Noli, që nga njëra anë ka qenë njëri prej nacionalistëve më të mëdhenj në historinë e Shqipërisë, e që nga ana tjetër veç për fe nuk e ka vënë ujin në zjarr; ai ishte ateist n’daçi prej një disponimi shpirtëror, n’daçi prej një formimi kulturor, dhe prandaj krijimi i Kishës sonë ortodokse autoqefale ka qenë një vepër thjesht kombëtare; u ngrit me një motivim thjesht kombëtar e me një funksion thjesht kombëtarist. Me këtë nuk po bëj një denoncim, a një kritikë. Po bëj një konstatim. Të gjithë e dinë, se nuk mund të ishte ndryshe në rrethanat që grekët në Jug, në fund të shekullit XIX e në fillim të shekullit XX, po bënin çmos, dhe jo krejt pa sukses, ta bënin të tyrin “Epirin e veriut” e të shkombëtarizonin shqiptarët ortodoksë.
Kisha serbe, për shkak të historisë së saj, është shumë më e helmuar me politikë e me nacionalizëm se sa shumë Kisha të tjera. Është historia e kombit serb që e ka bërë të tillë. Dikujt, gjetkë, Irenej mund t’i ngjajë me një njeri të çmendur, por në Serbi ai është një normalitet. E duket se soji i tij edhe në Shqipëri është një normalitet. Shqiptarët i kanë dhënë munxët Irenejt gjatë 48 orëve të fundit, jo se kanë ndonjë gjë me patriarkun politikan a me priftin që veç te Kisha nuk e ka mendjen. Jo, shqiptarët i kanë dhënë munxët thjesht një nacionalisti serb, që nuk pajtohet dot me idenë se Kosova nuk është më e serbëve. E sikur Irenej, me të njëjtin disponim shovinist apo fashist, të ish i yni, ne shqiptarët do ta trajtonim si një ikonë kombëtare. E duke qenë se nuk e kemi një Irenej tonin, e kemi shpikur atë. Kemi shpikur Nikolla Markun, që është i të njëjtit brumë, s’ka gjë se më pak i ardhur. Nikolla Marku pra në thelb nuk ka asnjë ndryshim prej Irenejt, dhe kush i jep munxët një prifti nacionalist si Irenej duhet t’i japë munxët edhe një prifti nacionalist si Nikolla Marku. Përndryshe, i bie që ai vetë s’ka asnjë ndryshim nga fenomeni që kritikon, i bie që të vetmin kriter të vlerësimit të gjërave në këtë botë ka nacionalizmin. E nëse e pranojmë nacionalizmin si kut të vetëm të matjes së gjërave në këtë botë, atëherë nuk kemi të drejtë të qortojmë as Irenejn. Kaq e thjeshtë është.
Po rikthehem në krye, dhe po përsëris: Nuk ishte Irenej që më befasoi. E nuk është Irenej që më intereson. Janë gjërat e këtushme që më interesojnë, e në këtë mes më ra në sy (po e lë mënjanë fushatën nacionaliste që u ngrit sa hap e mbyll sytë; po mbetem tek intervista TV) ndërhyrja furacake e gazetarit gjatë raportimit të këtij lajmi. I gjendur nën trysninë e idesë se kjo intervistë do të provokonte shumë diskutime e mllefosje, i bindur se intervista marrë patriarkut të kishës serbe të njohur për nacionalizmin e vet të shpërpjestimuar do të pickonte shumëkënd, e për të mos e lënë veten të bëhej tabelë qitjeje e histerisë nacionaliste që do të shpërthente se s’bën, siç shpërtheu, reporteri bëri dhe komentatorin. Ndërhyrja e parë e reporterit ishte në fund të gjysmës së parë të intervistës së patriarkut serb, ai tha: “Irenej harron të përmendë dhunën serbe në Kosovë, apo varrezën masive të Rashkës”. Dhe në fund të intervistës: “Patriarku Irenej ka shmangur me këmbëngulje komentet mbi gjenocidin serb në Kosovë”.
Siç shihet, vëzhgimet e reporterit janë të sakta, dhe të drejta, por puna është se kjo nuk është punë e tij. Nuk është se reporteri e ka të ndaluar të komentojë. Ai edhe mund të komentojë, nëse do, e nëse dikush ka nevojë për komentet e tij, por nuk është mirë që këtë ta bëjë gjatë raportimit të lajmit në TV. Gjatë lajmeve në TV ai duhet të raportojë e të informojë, e jo të mbajë qëndrime, të denoncojë e të bëjë gazetarinë militante. Me fjalë të tjera, ai duhet të bëjë Teutën e ndrojtur të ‘Nëntorit të një kryeqyteti’, e jo arrogantin Mete Aliu, të cilit, kur iu duk se kish ardhur koha e tij, kur iu duk se kish ardhur koha që ai t’i dinte të tëra e të vendoste për gjithçka, ia futi një klithme para mikrofonit: Ju flet Tirana!
Shqip