Dëshmitari i Divjakës, i cili deklaroi se ishte në gjendje të identifikonte dy persona të tjerë në makinën e tretë që kishte lidhje me trafikun e drogës me avion, është kërcënuar me jetë dy ditë më parë.
Punonjësi i pikës së karburantit me iniciale A. Gj., i cili tregoi për gazetën se një automjet tip “Benz” kishte kërkuar ndihmë tek ai përmes një harte që t’i shpjegonte vendin e ngjarjes, ka marrë një thirrje anonime në telefon nga një person i paidentifikuar. “Fshije nga mendja makinën, ndryshe të fshijmë ty dhe familjen tënde”. Ky ka qenë kërcënimi që ka marrë dy ditë më parë punonjësi i karburantit, i cili shprehet se nga mosbesimi që ka te policia e Divjakës, nuk e ka denoncuar ende ngjarjen. Ndërsa shprehet i frikësuar më shumë për familjen e tij, pasi personi nga ana tjetër e telefonit dukej mjaft serioz dhe i prerë.
Është e vërtetë që jeni kërcënuar pas intervistës që keni dhënë në media?
Po, më kanë kërcënuar me jetë, mua dhe familjen.
Në telefon?
Po, më ka marrë një numër i panjohur, domethënë një thirrje pa numër dhe më ka kërcënuar.
Kur ka ndodhur kjo?
Dje (të mërkurën), rreth orës 10:00 të mëngjesit.