Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2014, u eksportuan 71 miliardë lekë mallra ose 9,2 % më shumë se në të njëjtin tremujor të vitit të kaluar dhe 18,6 % më shumë se tremujori i mëparshëm.
Sipas statistikave zyrtare të Institutit të Statistikave, INSTAT, gjatë 3-mujorit të dytë u importuan 142 miliardë lekë mallra, 10,7 % më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe 21,7 % më shumë se tremujori i mëparshëm.
Përqindja e mbulimit të eksporteve nga importet, është 49,7 %. Gjatë këtij tremujori 30.9 % të eksporteve dhe 11,6 % të importeve i zuri grupi “tekstile dhe këpucë”. Grupi “makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” përfaqëson 17,5 % të importeve, duke u rritur 19,1 % në krahasim me tremujorin e mëparshëm.
Partnerët kryesorë tregtarë vazhduan të jenë Italia dhe Greqia, me të cilat është kryer respektivisht 28,4 % dhe 10,6 % e importeve si dhe 50,0 % dhe 3,3 % e eksporteve.
Me vendet e Bashkimit Evropian është kryer 75,5 % e eksporteve dhe 60,3 % e importeve. INSTAT publikoi buletinin statistikor për tremujorin e dytë të këtij viti.