Home Shendetesi Hipotiroza, nga se shkaktohet dhe si ndikon ne organizem

Hipotiroza, nga se shkaktohet dhe si ndikon ne organizem

339
0

tiroideHipotiroza është një sëmundje e cila vjen si pasojë e mungesës së hormoneve të gjendrës tiroide. Kjo sëmundje ka një probabilitet një rast në 3 mijë banorë. Është një sëmundje e lindur e cila shkaktohet nga mungesa e jodit në ushqimet që përdorim apo vendin ku jetojmë. Sipas Petrit Hoxhës, mjek endokrinolog, evidentimi dhe diagnostikimi i sëmundjes që në moshë të hershme ul ndjeshëm mundësinë e zhvillimit të kësaj sëmundjeje që mund të ketë pasoja të pakthyeshme.

Çfarë është hipotiroza?
Hipotiroza e lindur, siç kuptohet edhe nga vetë emri, është një sëmundje e lindur. Kjo ka të bëjë me mungesë të prodhimit të hormoneve të gjendrës tiroide. Këto, në mënyrë figurative, janë motori që vë në lëvizje shumë funksione të organizmit.

Çfarë mund të shkaktojë mungesa e këtij hormoni?
Mungesa e hormoneve, them kështu pasi janë dy hormone, mund të shkaktojë prapambetje të zhvillimit mendor, prapambetje të zhvillimit në gjatësi, prapambetje të zhvillimit të kockave, të krijimit të rruazave të gjakut dhe shumë funksione të tjera jetësore.

Nga se shkaktohet kjo sëmundje?
Arsyeja që çon në krijimin e kësaj sëmundjeje është e njohur. Shkaktohet nga ndryshimet gjenetike në ato zona ku ka pamjaftueshmëri të jodit. Mungesa e jodit në ambientin ku jetojmë shkakton hipotirozën. Në rajonet ku ka mungesë jodi është më e theksuar si sëmundje. Shqipëria është një vend ku niveli i jodit është i ulët. Ne kemi ndërtuar programe për t’i siguruar popullsisë sasinë e duhur të jodit, me anë të kripës. Kur një femër është shtatzënë dhe ka mungesë jodi, ka një prapambetje të trurit të bebit. Ka mungesë neuronesh dhe kjo situatë shprehet pas lindjes apo në një moshë më të rritur. Në këto zona ku ka mungesë jodi vihet re një koeficent i ulët inteligjence. Nuk zhvillohen në masën e duhur receptorët që marrin informacion kur tiroidja është në gjendje të mirë.

Kur shfaqet te fëmija hipotiroza dhe çfarë shenjash ka?
Nëse fëmija bart sëmundjen e hipotirozës, atëherë tek ai shfaqen kohë pas kohe shenja të cilat e njoftojnë mjekun për mungesën e hormoneve të tiroides. Tek fëmija vërehet zverdhje e lëkurës, e cila vazhdon për një kohë të gjatë. Kockat e kokës janë të hapura në pjesën e sipërme dhe pjesën prapa. Gradualisht ai fillon të ketë një lëkurë të ashpër, të zbehtë, bark të madh, të fryrë, ka kapsllëk, fillon të mbajë gjuhën jashtë pasi i zmadhohet. Nuk reagon mirë në marrëdhënie me nënën, nuk e njeh atë, nuk ka emocione kur e ka atë afër. Flenë gjatë dhe duhet t’i zgjosh që të pinë qumësht.

Ka një sërë shenjash të cilat e bëjnë nënën të kuptojë që diçka tek fëmija e tyre nuk shkon. Fëmija nuk flet, nuk qesh dhe këto janë të zakonshme gjatë moshës 9 – 12 muajsh. Kuptohet që në këtë stad sëmundja ka avancuar dhe është shumë vonë për të bërë diçka.

Hormonet e tiroides nxisin palcën e kockave të prodhojë rruaza të kuqe dhe mungesa e tyre jep anemi. Hormonet e nxisin kockën të zhvillohet, të rritet dhe për pasojë, mungesa e tyre bën që fëmija të mos ketë rritjen e duhur trupore. Hormonet e tirodes nxisin muskulaturën të jetë aktive, nxisin funksionimin normal të zorrës dhe të zemrës. Me kalimin e moshës sëmundja rëndohet dhe bëhet më e dukshme.

Cila është pjesa më e rëndë e kësaj sëmundjeje, defekti më i madh që mund të shkaktojë?
Të gjithë pasojat që ajo shkakton, janë të rënda për njeriun dhe funksionimin normal të trupit, por mund të them ajo që është më e dukshmja dhe më e rënda, është zhvillimi i vonshëm intelektual.

Si veprohet për diagnostikimin e kësaj sëmundjeje aktualisht?
Programet që ushtrohen sot janë me qëllimin e trajtimit të sëmundjes që në lindje. Që në ditën e tretë merret një pikë gjaku e cila analizohet për të parë nivelin e hormoneve të gjendrës tiroide. Nëse konstatohet mungesë e hormoneve, fillon mjekimi i menjëhershëm i fëmijës. Nëse nuk zbulohet që në lindje dhe zbulohet në një kohë tjetër, ka disavantazhe: kemi humbur shansin e madh që të nisim mjekimin e tij dhe ai do të ketë zhvillim më të vonshëm mendor krahasuar me moshatarët e tij.

Si duhet të veprojnë prindërit e këtyre fëmijëve?
Ajo që ne kërkojmë nga qytetarët është që të kërkojnë ndihmën e mjekut dhe të mos presin sa sëmundja të zhvillohet.

Nga mjekët kërkohet që të bëjnë analizat menjëherë pas lindjes për të parë gjendjen e hormoneve të tiroides dhe të nisin trajtimin kur konstatojnë deficencë të hormoneve.
Shteti duhet të realizojë programet e shtimit të jodit në kripën që përdoret në mënyrë që të mos ketë probleme të mungesës së jodit.
Të ndërtohen programe të cilat bëjnë matjen e hormoneve që ditën e tretë pas lindjes. Nëse bëhen këto, do të zbulohen më shpejt rastet me mungesë dhe do të bëhet i mundur kurimi i fëmijës në kohë.

Sa raste ka në popullsi?
Është diku te 1 rast në 3 mijë në botë. Në Shqipëri ka 35 mijë lindje në një vit dhe nga këto mund të kemi 10-15 fëmijë të lindur me mungesë të hormoneve të tiroides. Është një disavantazh për familjen dhe shoqërinë pasi askush nuk dëshiron të ketë qytetarë që kanë zhvillim të ulët mendor, pasi ka kostot dhe pasojat e veta.

Previous articleJohn Kerry: “Ka prova qe Rusia ka bashkepunuar ne rrezimin e avionit”
Next articleBeatrix Ramosaj tregon te pasmet teper seksi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here