Ish-guvernatori i Bankës së Shqipë-risë, Ardian Fullani, është dërguar dje në qelitë e Burgut 302 në Tiranë menjëherë pas vendimit të dhënë nga gjykata e kryeqytetit.
Zyrtari i lartë që po hetohet për “shpërdorim detyre” duket se do të qëndrojë në këtë godinë në zbatim të masës së arrestit të vendosur nga gjykata, për sa kohë që ajo të jetë në fuqi. Burimet nga Burgu 302 kanë thënë dje se 59-vjeçari Ardian Fullani është vendosur në një qeli të zakonshme, ndërsa do të trajtohet në mënyrë të barabartë me shtetasit e tjerë sipas përcaktimeve ligjore. Në burgun ku është vendosur ish-guvernatori ndodhet aktualisht edhe Ardian Bitraj, ish-vartësi i Fullanit, personi kryesor i akuzuar për vjedhjen në Bankën e Shqipërisë. Pas një qëndrimi prej 48 orësh në qelinë e posaçme në katin e dytë të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, Fullani është larguar dje prej andej rreth orës 10:40. I veshur me një kostum të zi dhe me një këmishë të bardhë, ish-guvernatori është vendosur në autoburgun e togës së shoqërimit dhe rreth orës 10:50 ka mbërritur në Gjykatën e Tiranës. Distancën kohore prej dhjetë minutash nga ky moment, i arrestuari e ka shfrytëzuar për të vendosur kollaren me të cilën u shfaq në sallën e gjyqit, të cilën nuk e kishte vendosur në momentin kur furgoni i forcave të rendit e solli në gjykatë nga Drejtoria e Policisë.