Në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë është mbajtur seanca dëgjimore për akuzat e ngritura kundër shtatë kosovarëve, të dyshuar se janë pjesë e një rrjeti ndërkombëtar të përfshirë në trafikimin e organeve njerëzore, të njohur ndryshe si rasti Medikus, emri i klinikës ku janë kryer operacionet.
Në këtë seancë të cilën e ka drejtuar Gjykatësi i Bashkimit Evropian, Victor Paradal, prokurori ndërkombëtar Jonathan Ratel ka paraqitur aktakuzën si dhe provat që janë mbledhur. Gjykatësi ka në dispozicion 15 ditë që të konfirmojë aktakuzën e që do i hapte rrugën procesit gjyqësor.
Avokatët mbrojtës të të dyshuarve kanë hedhur poshtë akuzat e prokurorit ndërkombëtar të cilat i ka quajtur të paargumentuara.
“Çështja e kontrollimit të klinikës Medikus nga ana e organeve dhe policisë gjyqësore, provat janë bërë pa prezencën e avokatëve mbrojtës, janë bërë pa urdhër të gjyqtarit hetues kështu që i kemi konsideruar si prova të papranueshme” tha avokati mbrojtës Fazli Balaj.
Zëdhënësja e EULEX-it Kristina Herodes tha se çështje Medikus nuk ndërlidhet me akuzat që kanë të bëjnë me Shtëpinë e Verdhë.
“Çështja Medikus dhe e ashtuquajtura çështja e “Shtëpisë së Verdhë” nuk ndërlidhen me njëra tjetrën sepse çështja Medikus ka filluar në nëntor të vitit 2008 në Prishtinë” tha Herodes.
Në aktakuzë, prokurori Ratel ka përmendur edhe mjekun turk Yusuf Sonmez i cili gjendet në arrati për të cilin tha se ka qenë pjesëmarrësi kryesor në operacionet e kryera. Hetimet për këtë klinikë kanë filluar në vitin 2008 nga Policia e Kosovës dhe ajo e UNMIK-ut.