Home Aktualitet Gjykata jep sot vendimin per 21-Janarin

Gjykata jep sot vendimin per 21-Janarin

797
0

prendiGjykata e Tiranës jep sot vendimin për ish komandantin e gardës Ndrea Prendi dhe gardistin Agim Llupo, të akuzuar për vrasjen e 4 demonstruesve përpara godinës së Kryeministrisë, gjatë protestës së opozitës kundër qeverisë më 21 janar 2011.

Në seancën e djeshme, për herë të parë që pas 21 Janarit, bëhet publik fakti se atë të premte Garda e Republikës i kishte kërkuar ministrit të Brendshëm Lulzim Basha që të hiqte efektivët e saj nga kordoni i policisë.

Kur procesi gjyqësor i “21 Janarit” erdhi në fundin e shqyrtimit gjyqësor, mbrojtja e përgatitur nga avokati i Agim Llupos, i vetmi i akuzuar në qeli për vrasjet, tha se gardistët nuk janë të trajnuar për menaxhimin e situatave konfliktuale dhe turmave të dhunshme.

Mbrojtësi ligjor i Llupos, avokat Besnik Çerekja, tha në sallën e gjyqit se atë ditë gjenerali Ndrea Prendi dhe kolonel Dashamir Shehi, i kërkuan Bashës i cili ndodhej brenda në Kryeministri që të merrte masa për të kthyer kordonin e policisë jashtë rrethimit të godinës, pasi turma po i vriste. Në këtë rrjedhë logjike, mbrojtja ka akuzuar prokurorinë duke pretenduar se në asnjë moment të hetimeve, përfaqësuesit e akuzës nuk kanë hetuar dhunën ndaj efektivëve të Gardës, të cilët sipas Çerekes, kanë qenë të detyruar të qëllojnë në ajër dhe në asnjë rast nuk kanë qëlluar drejtpërdrejtë në turmë. “Akuza pranon se një turmë e madhe njerëzish ka ushtruar dhunë thellësisht të egër mbi efektivat e Gardës, e shoqëruar kjo me provokime, me sharje, me fyerje, dhunë psikologjike por edhe dhunë fizike të ushtruar në rrethana dhe intensitet të pashembullt, e cila ka realizuar cënimin e integritetit fizik të efektivave të Gardës, por nga ana tjetër nuk reflekton në asnjë moment në lidhje me këto fakte” – thuhet në mbrojtjen e Çerekes. Një tjetër detaj pas të cilit është kapur fort mbrojtja e Llupos, i cili akuzohet për vrasjet e demonstruesve Hekuran Deda dhe Ziver Veizi, është edhe mënyra e qitjes së plumbave. Avokati Çerekja tha se ekspertiza e Ndoc Çardakut, i cili arriti në konkluzionin se plumbi që vrau demonstruesin Veizi kishte qenë rikoshetë dhe jo i drejtpërdrejtë, është më e saktë se versioni i anasjelltë i dhënë nga prokuroria. Ashtu siç pati deklaruar dhe në seancat e mëparshme, avokati tha se prokuroria ka qenë tendencioze gjatë hetimeve dhe se klienti i tij, Llupo, është marrë në pyetje një herë të vetme që nga momenti i arrestimit. Një tjetër kundërshti e mbrojtjes ka qenë edhe koha kur janë regjistruar vrasjet, minutazhi 16:00-16:10. Sipas avokatit, prokuroria nuk ka asnjë provë që të vërtetojë kohën e vrasjeve, pavarësisht pamjeve të shumta filmike që ajo disponon. Mbrojtësi ligjor i Agim Llupos kërkoi në fund të konkluzioneve përfundimtare, pafajësi për klientin e tij.



MBROJTJA E NDREA PRENDIT

Edhe pse një seancë më parë ish-Komandanti i Gardës Ndrea Prendi lexoi personalisht mbrojtjen, përgjatë seancës të së mërkurës ka qenë avokati i tij mbrojtës, Genc Gjokutaj, i cili lexoi konkluzionet përfundimtare në një material prej 24 faqesh. Ashtu si dhe mbrojtja e Llupos, Gjokutaj ka bërë kundërshtitë e tij në lidhje me mungesën e provave për akuzën e vrasjes. “Logjika akuzatore thotë se i mbrojturi prej meje Ndrea Prendi ka pasur objektiv të ndjerin Faik Myrtaj dhe duke shtënë në drejtim të tij ka vënë në rrezik edhe jetën e demonstruesve të tjerë. Ky është një absurditet, pasi siç rezulton por edhe akuza nuk e pretendon se midis të mbrojturit prej meje Ndrea Prendi dhe të ndjerit Faik Myrtaj nuk ka patur as njohje të mëparshme, as konflikt dhe as dijeni nga ana e të akuzuarit për vendndodhjen e të ndjerit në momentin që është goditur me armë zjarri”. Gjokutaj vuri disa herë theksin gjatë mbrojtjes se në momentet kur Garda filloi të qëllonte në ajër, Prendi kishte dhënë urdhër të mos qëllohej. Duke akuzuar gjithashtu prokurorinë për montim të akuzave, mbrojtësi i ish-Komandantit tha se “më 21 janar të vitit 2011, u vu në rrezik jeta e kryeministrit të vendit, dhe I vetmi qëllim i efektivëve të Gardës ka qenë mbrojtja fizike e tij”. Po sipas Gjokutajt, prokurorët e çështjes nuk kanë evidentuar faktin se forcat e Gardës u ndodhën të vetme dhe në numër shumë të vogël përballë turmës, pa praninë e forcave policore të cilat ishin larguar në dy anët e tjera të objektit. Në fund të mbrojtjes, Genc Gjokutaj kërkoi pafajësi për gjeneralin Ndrea Prendi.

Prokuroria e Tiranës kërkoi 23 vite burg për ish-komandantin e Gardës së Republikës, Ndrea Prendin, i akuzuar për vrasjen e demonstruesit Faik Myrtaj, 25 vite për ish-shefin e të ashtuquajturit “grupi i zjarrit” Agim Llupon, akuzuar për vrasjen e demonstruesve Hekuran Deda dhe Ziver Veizi, si dhe tërhoqi akuzën për Margarit Kumen, ish-shoferin e Ndrea Prendit, ndaj të cilit rëndonte akuza “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Sot pritet që Gjykata Penale e Tiranës të japë vendimin për dy të akuzuarit e 21 Janarit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here