Autori i plagosjes së një polici në Durrës është vrarë mbrëmjen e sotme gjatë një shkëmbimi zjarri me forcat speciale të policisë. Gazmir Marku u vra rreth orës 20:45 minuta pranë një banese në zonën e Kënetës.
Prej 48 orësh policia ishte vënë në ndjekje të Gazmir Markut, i cili të shtunën vonë plagosi me armë zjarri policin Agron Halilaj.
Policia bëri të ditur se në momentin e aksionit për kapjen e të shumë kërkuarit, Marku kishte në dorë një granatë dhe një kallashnikov.
“Marku qëlloi me kallashnikov në drejtim të policisë. Në momentin e ndjekjes ai u fut në një oborr banese ku tentoi të fshihej”, sqaruan burime policore për gazetaren Klodiana Haxhiaj.
Plagosja e oficerit të policisë nga Marku
Një oficer i krimeve të Drejtorisë së Policisë së Durrësit ka mbetur i plagosur rreth orës 1:00 pas mesnatës së të shtunës në zonën e Kënetës, ndërsa kishte shkuar për kontroll në një banesë ku dyshohej se fshihej një grabitës. Agron Halilaj, 42 vjeç me gradë nënkomisar ka marrë 2 plumba, ndërsa bashkë me efektivë të tjerë kishin shkuar në shtëpinë e 32-vjeçarit Gazmir Marku, i cili dyshohej se kishte kryer një grabitje disa orë para. Mësohet se një banor i lagjes 15 kishte denoncuar tentativën për grabitje në lokalin e tij rreth orës 22:00 të së shtunës. Denoncimi në numrin 129 bëri që një patrullë e policisë dhe inspektori i krimeve Halilaj të nisnin punën në drejtim të identifikimit të autorëve. Në bazë të dëshmive, autor i dyshuar i tentativës për grabitje rezultoi 32-vjeçari Marku. Patrulla me 3 punonjës policie është afruar pranë banesës së Gazmir Markut, ku në derën e oborrit të kësaj banese ka marrë kontakt me babain e tij. Në këtë moment, pa paralajmërim, në një distancë të afërt, 32-vjeçari ka qëlluar me breshëri me një armë zjarri automatik në drejtim të efektivëve të policisë. Më pas Marku është larguar në rrugicat e zonës informale, duke iu fshehur dhjetëra efektivëve, që për më shumë se 18 orë kanë bërë krehjen e zonës. Nënkomisar Halilaj është dërguar me urgjencë në spital ku i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale për 2 plumbat e marrë në krah. Aktualisht sipas mjekëve, gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetën.