Kryeministri i Turqisë, Rexhep Tayip Erdogan, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Shqipëri më datën 14 maj. Mësohet se vizita zyrtare e zotit Erdogan është njëditore dhe vjen pas ftesës që kryeministri shqiptar, Edi Rama i ka bërë homologut të tij turk.
Siç mësohet, gjatë vizitës së tij në Tiranë, kryeministri turk Erdogan, përveç takimeve me kreun e Qeverisë shqiptare, Edi Rama, do të pritet nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, do të zhvillojë një takim me Kreun e Kuvendit, Ilir Meta, si dhe do të mbajë një fjalim të posaçëm në Parlamentin e Shqipërisë.
Kryeministri turk, Rexhep Tayip Erdogan dhe Kryeministri shqiptar, Edi Rama do të drejtojnë edhe takimin e Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë Shqipëri-Turqi, që do të zhvillohet po më datën 14 maj.