Ministria e Arsimit ka vendosur që te heq nenin që flet për simbolet fetare në shkolla në draftin për Arsimin Parauniversitar. Sipas burimeve zyrtare nga kjo Ministri paragrafi për simbolet fetare në draftin e Ligjit për Arsimin Parauniversitar është ndryshuar. ”Ministria e Arsimit dhe Shkencës, e ka konsultuar gjerësisht projektigjin gjatë muajve dhjetor-janar me komunitetet fetare dhe është vendosur, heqja e këtij paragrafi. Projektligji, është në procesin e përmirësimit në të gjithë kapitujt e tij, mbështetur në sugjerimet e shkollave, mësuesve, prindërve, institucioneve qendrore , grupeve të interesit, partnerëve të huaj dhe sapo të përfundojë, do të dërgohet për miratim në Këshillin e Ministrave. Publikimi në një të përditshme, sipas së cilës paragrafi për simbolet fetare në draftin e Ligjit për Arsimin Parauniversitar, nuk është ndryshuar nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, është tërësisht i pavërtetë,” bënë të ditura dje burime zyrtare nga MASH. Në fakt neni 36 pika 4 e këtij projektligji që ndalonte nxënëset me ferexhe në shkolla gjeti kundërshtime të shumta nga Komuniteti Mysliman pasi sipas tyre diskriminonte nxënësit me besim islam në të drejtën e tyre për tu shkolluar. Krahas KMSH-së edhe Kisha Ortodokse Autoqefale ka reaguar në lidhje me pr/ligjin për arsimin parauniversitar, i cili ndalon simbolet fetare në shkolla. Sipas institucioneve fetare në vendin tonë bindjet fetare dhe për rrjedhojë dhe mbajtja e simboleve nuk mund të përbëjnë pengesë ose kërcënim për nxënësit dhe shkollat pasi shoqëria shqiptare edhe pse multifetare është e njohur për harmoninë dhe bashkëjetesën paqësore ndërfetare. Për më tepër, në Shqipëri ne nuk kemi konflikte rreth simboleve fetare. Për Komunitetin Mysliman në Shqipëri projektligji ishte tejet evaziv dhe nuk përcaktonte qartazi se çfarë nënkuptohej me simbolet fetare. Deri më tani, përdorimi i shamisë tek vajzat myslimane është konsideruar si simbol fetar, ndërkohë që teologët e kundërshtojnë këtë fakt. Pikërisht, kjo është arsyeja pse drejtuesit e Komunitetit mysliman kanë reaguar ndaj draftit për arsimin parauniversitar i hedhur për diskutim nga Ministria e Arsimit qysh në dhjetor të vitit që lam pas. Në nenin 36 të projektligjit për arsimin parauniversitar përcaktohet se në institucionet arsimore ndalohet organizimi i veprimtarive partiake dhe/ose fetare me nxënësit ose punonjësit e tyre. Gjithashtu, sipas këtij projektligji, në institucionet arsimore ndalohet indoktrinimi ideologjik i nxënësve. Ndërkaq, ndalohet që nxënësit të detyrohen nga punonjësit e institucionit arsimor që të marrin pjesë në veprimtari partiake dhe/ose fetare ose në veprimtari të tjera që nuk janë parashikuar në planin e veprimtarive të institucionit. Dhe së fundi projektligji përcakton se ndalohet ekspozimi i simboleve fetare në institucionet arsimore, përveç shkollave ku mësohen lëndë fetare. Gjatë 8 viteve të fundit ka pasur 5 raste kur nxënës janë përjashtuar nga shkolla ose nuk janë lejuar që të hyjnë në mësim për shkak të simbolikës fetare.
NENI 5
LAICITETI I ARSIMIT PARAUNIVERSITAR
1. Arsimi parauniversitar publik ka karakter laik.
2. Në institucionet arsimore është i ndaluar indoktrinimi fetar.
NENI 36
NDALIME TË DISA VEPRIMTARIVE NË INSTITUCIONIN ARSIMOR
1. Në institucionet arsimore ndalohet organizimi i veprimtarive partiake dhe/ose fetare me nxënësit ose punonjësit e tyre.
2. Në institucionet arsimore ndalohet indoktrinimi ideologjik i nxënësve.
3. Ndalohet që nxënësit të detyrohen nga punonjësit e institucionit arsimor që të marrin pjesë në veprimtari partiake dhe/ose fetare ose në veprimtari të tjera që nuk janë parashikuar në planin e veprimtarive të institucionit.
4. Ndalohet ekspozimi i simboleve fetare në institucionet arsimore, përveçse në shkollat ku mësohen lëndë fetare.
>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>
Krijohet AKAFPK, do të akreditojë shkollat profesionale
Qeveria vendosi në mbledhjen e radhës për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve,(AKAFPK).Ky institucion AKAFPK-ja do të punojë për krijimin e një sistemi unik të kualifikimeve profesionale, të njohura në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, si dhe zbatimin e Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve. Për realizimin e këtij objekti, Agjencia Kombëtare e Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve do të hartojë plane dhe programe për zhvillimin e sistemit të arsimit dhe formimit profesional (AFP), që miratohen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta; do të hartojë programe për realizimin e politikave për zbatimin e Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve; do të hartojë programe për zbatimin e sistemit të sigurimit të cilësisë nga institucionet ofruese të AFP-së. Gjithashtu kjo agjenci do të duhet të mbajë regjistrin kombëtar të kualifikimeve profesionale. Por ajo që renditet si më e rëndësishmja në detyrat që do të kryejë kjo agjenci është akreditimi i institucioneve që ofrojnë arsimim dhe formim profesional.
Tafaj: Shkollat profesionale të bashkëpunojnë me biznesin
Shkollat profesionale dhe bizneset duhet të lidhin ura bashkëpunimi me njëra-tjetrën pasi kjo do të ishte përfituese për të dyja palët. Kështu është shprehur kreu i arsimit, Myqerem Tafaj i cili gjatë një vizite në shkollën e mesme të Hoteleri-Turizmit në Tiranë theksoi se në këtë mënyrë nxënësit afrohen me tregun e punës, dhe bizneset plotësojnë kërkesat e tyre duke thithur edhe talentet e reja. “Shkolla duke bashkëpunuar ngushtë me biznesin orientohet më shpejt ndaj kërkesave që ka ekonomia private dhe tregu i punës. Është një nga rrugët më të suksesshme mbështetur në përvojën e vendeve të tjera për t’iu përgjigjur kërkesave të tregut të punës dhe zhvillimit të ekonomisë”- tha Tafaj. Në sajë ndryshimeve që i ka bërë Ministria e Arsimit draftit për arsimin profesional, tashmë nxënësit do ta mbarojnë shkollën pas katër vitesh. Por atyre ju jepet dhe një mundësi tjetër, që pas dy vitesh në sajë të një certifikate të posaçme, të gjejnë një vend pune në profesionin që ata kanë studiuar.