Kreu i “Vetëvendosjes”, Albin Kurti, ka shprehur edhe njëherë qëndrimin e kësaj lëvizjeje kundër bisedimeve ndërmjet Kosovës me Serbinë. Ai ka thënë se bisedimet pa kushte me Serbinë, janë të dëmshme për Kosovën dhe se nga kjo, do të përfitojë vetëm pala serbe. Lëvizja “Vetëvendosje”, të shtunën ka mbajtur mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, ku në rend dite, ishte prezantimi i aktiviteteve të “Vetëvendosjes” dhe strategjia e veprimit për të ardhmen të këtij subjekti parlamentar. Në fjalën e tij hyrëse, lideri i “Vetëvendosjes”, Albin Kurti, ka thënë se me kritikën dhe idetë e saj, kjo lëvizje po ia kthen historinë politikës dhe politikën historisë. Ai edhe njëherë tregoi se sa të dëmshme janë për vendin bisedimet, të cilat po zhvillohen me palën serbe në Bruksel, bisedime të cilat sipas tij, ndihmojnë Serbinë që të hyjë në Bashkimin Evropian. “Sa më shumë që po bisedohet me Serbinë aq më shumë po humbim territor dhe aq më tepër jo funksional po bëhet shteti ynë. Bisedimet pa kushte për Serbinë mund të jenë qëndrime parimore dhe gjithsesi janë bisedime të dëmshme. Politika e Qeverisë së Kosovës ndaj Serbisë është që ta shtyjë sa më parë Serbinë kah BE-ja, sepse ajo e sheh të vetmen rrugë të njohjes së Kosovës nga Serbia”, u shpreh Kurti.