Home Aktualitet Daul: Demokracia të funksionojë

Daul: Demokracia të funksionojë

779
0

Vizita në Tiranë e kryetarit të grupit të qendrës së djathtë në Parlamentin Europian, Joseph Daul, një nga negociatorët e takimit Berisha-Rama në Strasburg, ka shërbyer jo vetëm për të dhënë mesazhe të rëndësishme bashkëpunimi në Parlament mes mazhorancës dhe opozitës, por edhe për të zbardhur thelbin e takimit të shumëpërfolur dhe enigmatik të Strasburgut, që solli edhe futjen e Partise Socialiste në Parlament.

Mesazhi i zotit Daul ishte se demokracia nuk është bojkot, por një punë në thellësi, në mënyrë që demokracia të funksionoje. Megjithatë, kur ende nuk ka një marrëveshje, zoti Daul nuk pranon të cilësojë si të dështuar takimin Berisha-Rama në Strasburg.

“Përgjigjia e parë për mua qëndron gjithmonë e njëjta, ne, ia këmi dale, bashkë me zotin Martin Shultz, që demokracia të vihet në veprim dhe që Parlamenti të funksionojë. Ne kemi bërë një takim, ku secili u shpreh dhe ne vendosëm së bashku për 3 gjera që janë të rëndësishme për demokracinë: Së pari njohjen e qeverisë, së dyti pranimin se Kushtetuta dhe shteti i së drejtës duhet respektuar dhe së treti, opozita të punojë në gjirin e Parlamentit. Kjo u respektua. Ne donim të shkonim më larg. Filluan të diskutonin, por nuk më pëlqen të flas për këtë, për hapje kutish, mbyllje kutish. Por jo. Jo. Aty nuk ia dolëm dot. Ekziston një Kushtetutë, ka një shtet të së drejtës dhe organizma ndërkombëtarë në fushën e të drjetës”, ka deklaruar Daul.

Ai i ka bërë thirrje kryetarit të PS, Edi Rama që të pranojë rezultatin e zgjedhjeve dhe që në mënyrë demokratike të luftojë që në zgjedhjet e ardhshme opozita të bëhet pozitë.

“Nuk do të godas mbi zotin Rama. Nuk është në natyrën time, nuk më takon. Por i thash zotit Rama një gjë të vetme: në një demokraci jemi në opozitë deri në zgjedhjet e ardhshme dhe rregullat demokratike duhet të luhen, në atë mënyrë që herën e ardhshme ai të jetë në mazhorancë. Kjo është demokracia. Ai na shpjegoi se ndoshta jo të gjitha rregullat janë të mira, c’ka u respektua edhe nga kryeministri. Por, atëherë, të ulemi rreth tryezës, t’i pershtasim ato, cfarë nuk ka funksionuar. Në këtë pikë duhen bërë propozime”, është shprehur Daul.

Nga ana tjetër, kryeministri Sali Berisha e ka cilësuar si të suksesshëm takimin e strasburgut, sukses që sipas tij solli edhe votiimin e rezolutës për integrimin e Shqipërisë.

“Strasburgu dhe Brukseli kanë qenë një sukses i vërtetë dhe dua të theksoj se në rast se dje u votua me atë unanimimetet 59 me 1, ai votim nuk do të ishte i mundur pa Strasburgun dhe Brukselin”, ka pohuar Berisha.

Por cila do të jetë e ardhmja? A ekziston një draft për të cilin opozita thotë se e ka pranuar, ndërsa mazhoranca jo? Zoti Daul jep këtë përgjigje, që nuk duket optimiste për një takim të ardhshëm mes Berishës dhe Ramës.

“Dëgjoni, shumë sinqerisht nuk e di se për cfarë drafti flisni. Ka patur diskutime. Ne ramë dakort, që nëse do të avanconim më shumë sesa kemi arritur deri tani, atëherë do të kishte takime të nivelit më të lartë, pra, zoti Rama, zoti kryeministër, unë dhe zoti Martin Shultz, për të diskutuar në thelb mbi një dokument, që do të ishte shqyrtuar më parë nga teknicienët tanë. Deri tani më kanë thënë se nuk ka patur propozime për të avancuar në lidhje më  këtë ceshtje. Pra, diskutimi mund të vazhdojë ose të ndërpritet. Parlamenti Evropian nuk është bërë për t’u diktuar ligjin shqiptarëve”, ka theksuar Daul.

Ndërsa kryeministri Berisha ka nënvizuar se nga ana e saj, mazhoranca i ka bërë opozitës të gjitha ofertat për të arritur një kompromis, brenda parimeve kushtetuese dhe shtetit ligjor.

“Dua t’ju garantoj se qeveria është sjellë në këto takime fleksibël, si një mazhorancë jashtë cdo lloj koncepti të revanshit dhe është përpjekur të bëjë maksimumin e kompromiseve brenda parimeve kushtetuese, shtetit ligjor dhe respektit të institucioneve”, ka nënvizuar Berisha.

Dy aleatët e qendrës së djathtë europiane folën për domosdoshmërinë e bashkëpunimit në Parlament për ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar, ku përfshihet, përvec të tjerash Gjyakata Adminsitrative dhe reforma elektorale për zgjedhjet e ardhshme.

Këtë opinion zoti Daul ndau edhe me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, ku theksoi se, “opozita duhet të marrë të gjitha përgjegjësitë dhe të kontribuojë në proceset politike dhe legjislative që nevojiten”.

Kryeparlamentarja ka siguruar kryetarin e grupit të qendrës së djathtë në Parlamentin Europian se mazhoranca është e gatshme të miratojë amendamentet e opozitës, vecanërisht për reformën zgjedhore, duke shpresuar që opozita të mos jetë bllokuese, por kontribuese edhe në ligjet e tjera që kërkojnë shumicë të cilësuar.

Por, për numrin dy të qeverisë, Ilir Meta, i cili ka patur një takim me zotin Daul, sjellja e opozitës deri më tani për të mos përfituar nga hapësirat kushtetuese, i shërben qëllimit të zotit Rama për të mos marrë pjesë në zgjedhjet lokale, gjë që sipas zotit Meta e kanë kuptuar tashmë edhe partnerët ndërkombëtarë.

“Askush nuk ka pasur dyshim në Shqipëri se kjo nuk është një sfidë për transparencën e zgjedhjeve, por për shkak të një frike të kryetarit të PS për t’u përballur sërish me votuesit në kryeqytet”, është shprehur Meta.

Kryetari i grupit parlamentar të qendrës së djathtë është takuar pas mesditës edhe me kryetarin e grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruci dhe tre deputetë të tjerë socialistë. Por takimi është zhvilluar larg kamerave dhe për të nuk ka asnjë deklaratë zyrtare.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here