Në kohën kur të paraqiteshin kërkesat e tre të arrestuarve që ndodhen në paraburgim Mihal Delijorgji, Ylli Pinari dhe Sokol Ngjeçi për lirimin nga qelia, pas vendimit të Gjykatës së Lartë që liroi të pandehurin Dritan Minxholli, seanca e 109 gjyqësore u shty.
Shkak për shtyrje u bë debati mes kryesuesit të treshes gjykuese, gjyqtarit Ridvan Hado dhe mbrojtësit ligjor të të pandehurit Mihal Delijorgji, avokat Gëzim Veleshnja. Debat ky që u finalizua me largimin nga salla të avokatit Veleshnja nga gjyqtari Hado, për prishje të rendit dhe qetësisë në sallën e gjyqit, pasi kërkoi me ngulm të fliste dhe të paraqiste një kërkesë. Gjyqtari Hado nuk pranoi t’i jepte fjalën avokatit Veleshnja, në momentin që ai e kërkonte, pasi në sallën e gjyqit po fliste avokati i të pandehurit Luan Hoxha. “Do të jap fjalën dhe do të paraqesë kërkesën që paske, por prit radhën se po flasin avokatët e tjerë. Sapo të mbarojnë ata do të flisni ju”,-iu drejtua gjyqtari Hado avokatit Veleshnja që për të disatën herë kërkoi fjalën për të parashtruar kërkesën për lirimin nga qelia të të pandehurit Mihal Delijorgji. Por, avokati Veleshnja, i irrituar me mos përfilljen e kërkesës së tij, vendosi të flas pa leje çka irritoi gjyqtarin Hado i cili kërkoi të dilte nga salla e gjyqit pas debateve mes tyre në lidhje me mënyrën e menaxhimit dhe moderimit të seancës gjyqësore.
Pas largimit nga salla të avokatit Veleshnja, treshja gjykuese vendosi të ndërpres seancën gjyqësore për të vazhduar ditën e hënë 7 shkurt ora 9:00. Ndërkaq, mesditën e së enjtes ishin avokatët mbrojtës të të pandehurve Mihal Delijorgji, Ylli Pinari dhe Sokol Ngjeçi, që depozituan pranë sekretarisë së kësaj gjykate, kërkesën për ndryshimin e masës së sigurisë të klientëve të tyre. Kjo kërkesë, erdhi një ditë pasi Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë me relator gjyqtarin Andi Çeliku vendosi zëvendësimin e masës së sigurisë nga “arresti me burg” në “arrest shtëpie” për të pandehurin Dritan Minxholli. Lirimi i këtij të fundit erdhi pasi, sipas përllogaritjes së afateve të paraburgimit kanë mbaruar afatet 12 mujore të qëndrimit të tyre në qeli nën masën e sigurisë “arrest me burg”.
Sipas arsyetimit të Gjykatës së Lartë, numërimi i ditëve të paraburgimit ka filluar që nga momenti i mbylljes së hetimeve nga Prokuroria dhe dorëzimi i saj pranë Gjykatës së Lartë për gjykim në mars të 2009-ës. Por, për shkak të imunitetit i pandehuri Fatmir Mediu nuk u gjykua, duke pezulluar dosjen ndaj tij dhe më pas, dosja penale me 28 të pandehurit u dërgua pranë Gjykatës së Shkallës së Parë. Pranë kësaj gjykate, dosja ka shkuar në qershor të 2009-ës, çka sipas arsyetimit të treshes që po gjykon dosjen, numërimi i ditëve të paraburgimit ka filluar që nga ky moment. Por, Gjykata e Lartë e ka hedhur poshtë këtë pretendim, duke i numëruar afatet e paraburgimit që në mars të 2009-ës, çka sipas këtyre përllogaritjeve, Minxholli, Delijorgji, Pinari dhe Ngjeçi duheshin liruar këtu e 90 ditë më para.
***
Pas shume seancave të shtyra çështja “Gërdeci” merr një drejtim tjetër. Gjykata e Lartë dha masën me arrest shtëpie për ish-drejtorin e fabrikës së demontimit të armëve në Gërdec, Dritan Minxolli. Vendimi i Gjykatës erdhi pas mbarimit të afateve të paraburgimit për të pandehurin Minxolli. Minxolli do të qëndrojë në arrest shtëpie deri në mbarimin e plotë të hetimeve.
Rreth dy muaj më parë Gjykata e Shkallës së Parë e kryesuar nga gjyqtari Ridvan Hado, vendosi rrëzimin e kërkesës për lirimin e menjëhershëm të Minxollit nga burgu, për shkak të përfundimit të afateve të paraburgimit.
Ndërkohë, edhe të pandehurit Mihal Delijorgji, Ylli Pinari dhe Sokol Ngjeçi kanë kërkuar lirimin nga qelia për shkak të mbarimit të afateve të paraburgimit.