Hetimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda zbulojnë transaksionet bankare që janë kryer mes Ilir Karçinit, Mëhillajt dhe vrasësit me pagesë Julian Sinanaj, që momentalisht ka statusin e bashkëpuntorit të drejtësisë. Pikërisht në këto transaksione sipas organit të akuzës provohet kalimi i shumave financiare në llogarinë bankare të vrasësit me pagesë Julian Sinanaj. Ky i fundit më pas pjesën më të madhe të parave, ia ka kaluar familjes së tij, nënës dhe dy motrave.
Veç transaksioneve që janë nxjerë nga sistemi elektronik i bankave, prokuroria ka arritur të gjejë dhe disa mandate bankare në shtëpinë e Julian Sinanaj në Tiranë, ku tregohen shumat e tërhequr dhe transfertat e bëra. Ndërkohë sipas anëtarëve të grupit hetimor në përgjigjet që kanë marrë nga disa banka të nivelit të dytë, në llogaritë e Julian Sinanaj dhe anëtarëve të familjes së tij, rezultojnë vetëm 100 mijë euro të depozituara në banka.
Kjo shumë është konstatuar vetëm nga përgjigjet që kanë kthyer tre banka të nivelit të dytë, ndërkohë pritet që shifra mund të ritet, pasi pjesa më e madhe e bankave që veprojnë në Shqipëri gjatë kësaj kohe ende nuk kanë kthyer përgjigje për Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Nga ana tjetër policia ka vendosur të publikojë foton e dy kushërinjve Genin dhe Andon Mëhillaj, duke vënë 10 mijë euro shpërblim për këdo person që jep informacion në numrin 129. Për momentin të dy konsiderohen si drejtuesit e bandës së tritolit dhe vrasjeve me pagesë.
Në kërkim të lekëve
Administrimi i sasive të mëdha të lekëve për çdo vrasje që kryente Julian Sinanaj, ka shtyrë grupin e hetimit të përqëndrojë një pjesë të verifikimeve në kërkimin e shumave financiare në banka dhe në anëtarët e familjes së tij. Ende nuk dihet nëse, sekuestrimi i këtyre shuma është pjesë e bashkëpunimit, por nga ajo që konfirmohet është se momentalisht janë gjendur vetëm 100 mijë euro.
Pjesë e kësaj shumë është dhe pagesa e dhënë në formën e kaparit prej 50 mijë euro që Ilir Karçini, ka paguar për llogari të Sinanaj. Kjo shifër do të pasohej me një shifër tjetër prej 70 mijë euro, e cila do pagohej vetëm disa ditë pasi bosi i gazit dhe njeriu që zotëron portin në “Porto Romano” në Durrës, Piro Bare, do të ekzekutohej nga Sinanaj. Momentalisht, prokuroria ka mundur të verë në sekuestro dhe shtëpinë 50 metra katror në Vlorë, e cila është rregjistruar në emër të së ëmës së Sinanaj, dhe shumën prej 100 mijë euro, që është gjetur tre banka. Ndërkohë hetimet për gjurmimin e lekëve vijojnë.
10 mijë euro
Policia e Shtetit ofron 10 mijë euro për këdo person që jep të dhëna të sakta për vendodhjen e dy kushërinjve Genis dhe Andon Mëhillaj. Sipas, policisë të dy super të kërkuarit nuk rezultojnë të kenë dalë nga Shqipëria nga pikat doganore, ndërkohë dyshimet flasin se ata mund të jenë larguar nga kufiri i gjelbërt ose fshihen në ndonjë prej strehë të sigurtë në zonën e Jugut.
Për arrestimin e tyre kërkime janë kryer në dhjetëra banesa, por pa rezultat. Policia e Vlorës ka marrë në pyetje dhe familjarët e dy të kërkuarve, por në dëshminë e tyre ata kanë deklaruar se nuk kishin dijeni për vendodhjen e djmeve. Tashmë, Policia e Shtetit ka kërkuan dhe ndihmën e qytetarëve duke ofruan 10 mijë euro shpërblim për këdo që jep informacion të saktë mbi vendodhjen e Genis dhe Andon Mëhillajt.
Kontrabanda me gazin
Në qershorin e vitit 2010 kompania “PrimaGaz Albani” që administrohet nga i arrestuari Ilir Karçini, ka shpëtuar nga një gjobë prej 10 milion lekë e vendosur nga Drejtoria e Doganës në Durrës. Gjoba është hequr pjesërisht nga gjyqtari Neritan Tabaku, i cili me vendimin e tij, ka detyruar doganën ti kthejë kompanisë sasinë prej 4 milion lekë. Kjo pasi në anijen çisternë “M/T SPICAGAS” është tentuar të fshihet sasia prej 6.526 kg gaz. Ky veprim është konsideruar si veprim i kundraligjshëm, dhe për pasojë dogana ka vendosur gjobën prej 10 milion lekë Karçinit. Ky i fundit e ka ankimuar në gjykatën e Durrësit,dhe se gjyqtari Neritan Tabaku, ka pranuar pjesërisht kërkesën e tij, duke detyruar doganën të kthejë 4 milion lekë, Ilir Karçinit.
Sollaku: Klienti im s’ka organizuar vrasje
Ish-Prokurori i Përgjithshëm, njëherësh anëtari i Asamblesë Kombëtarë të Partisë Socialiste Theodhori Sollaku, ka zgjedhur të mbrojë biznesmenin e gazit Ilir Karçini gjatë zhvillimit të seancës së parë gjyqësore kundër tij. Sollaku, njihet si një ndër miqtë e vjetër të Karçinit dhe se që në momentin e parë të arestimit ai ka shfaqur interes në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.
Gjatë procesit gjyqësor, Sollaku ka kërkuar caktimin e një mase të butë të klientit të tij, pasi sipas avokatit, ai jo vetëm që nuk ka kryer asnjë vrasje,por dhe nuk ishte organizator i një krimi të tillë. Në seancë vetë Ilir Karçini, ka dhënë vetëm gjeneralitetet, duke mos thënë asnjë fjalë. Ndërsa dy prokurorët Ardian Nezha dhe Behar Dibra, i kanë kërkuar gjykatës caktimin e masës së “arrestit në burg” për Karçinin, duke me konsideruar këtë të fundit si ideatorin e planit të vrasjes së biznesmit Piro Bare, ku shkak i konfliktit mes tyre ka qënë mos lejimi i anijeve me gaz për tu shkarkuar në Porto Romano. Në fund gjykata ka pranuar kërkesën e prokurorisë.