Home Aktualitet Bien akuzat mbi Artan Bajraktarin, prokuroria pushon hetimet

Bien akuzat mbi Artan Bajraktarin, prokuroria pushon hetimet

69
0

artan-bajraktari (1)Bien akuzat për Artan Bajraktarin. Prokuroria e Tiranës pushoi dje hetimet për ishshefin e Interpol Tirana dhe specialisten, Loreta Alla, të cilët dyshoheshin se fshehën urdhër-arrestin belg për deputetin kristiandemokrat Mark Frroku. Sipas prokurorisë, Bajraktari dhe Alla vonuan katër ditë përcjelljen e praktikës organeve kompetente.

Por, thekson prokuroria-këtë shkelje nuk e bënë me dashje, apo me qëllim favorizimin e interesave personale, apo të të tretëve. Sipas prokurorisë, vonesa ndodhi pasi zyrtarët e Interpolit po kryenin disa verifikime të nevojshme lidhur me çështjen. “Nga hetimi rezultoi se vonesa në përcjelljen e praktikes organeve kompetente nuk është bërë me dashje nga dy punonjësit e Interpol Tiranës, por për një shkak objektiv që kishte të bënte me verifikimin e dy email-ve të datës 08.01.2015 dhe 23.01.2015 në sistemin e brendshëm dhe komunikimit me qendrën e Interpolit në Lion Francë.

Meqenëse ky verifikim kërkonte kohë, praktika është bërë e mundur të përcillet disa ditë (4 ditë) jashtë afatit ligjor, pikërisht më datë 27.03.2015, një ditë pas dhënies së autorizimit për arrestimin nga Kuvendi i Shqipërisë për shtetasin Mark Frroku”, arsyeton prokuroria. Mandej, organi i hetimit thekson se “si rezultat i këtij mosveprimi në afatin ligjor, dy personat nën hetim nuk kanë pasur për qëllim të favorizojnë interesat personale apo të të tretëve, por prioritet ka qenë saktësimi i informacionit të përcjellë nga Interpol Brukseli drejt Interpol Tiranës”. Në përfundim të hetimit, prokuroria çmon faktin se nuk përbën vepër penale. Shkeljet e kryera nga Bajraktari dhe Alla konsiderohen të karakterit administrativ.

URDHRI I ARRESTIT

Në dosjen e prokurorisë sqarohet si më poshtë: Në adresë të Interpol Tirana ka mbërritur një email-i datë 18.03.2015, i cili bën fjalë për urdhër-arrestin ndërkombëtar të shtetasit shqiptar Mark Frroku (alias Besnik Morina), i biri i Prengës dhe i Lezës, lindur më 06.10.21972, në Pukë dhe banues në Tiranë. Sipas këtij email-i, shtetasi shqiptar Mark Frroku është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet belge të drejtësisë mbi bazën e urdhrit të arrestit, datë 03.12.2014, të Zyrës së Prokurorit Publik pranë Gjykatës së Apelit Bruksel Belgjikë, për veprën penale të “Vrasjes me paramendimvrasjes nga plagët e marra”, parashikuar nga sesionet 66 dhe 394 të Kodit Penal Belg . Ky email është printuar më datë 18.03.2015 nga operatorja K.D. dhe është sigluar nga shefi i Interpolit (i komanduar) T.H. për specialisten Loreta Alla, e cila ka filluar trajtimin e shkresës më datë 20.03.2015, për shkak të dinamikës dhe gatishmërisë në punë.

Bazuar në përmbajtjen e email-it specialistja Loreta Alla ka nënkuptuar se në lidhje me këtë rast ishte kërkuar informacion më parë nga Interpol Brukseli dhe për këtë arsye ka bërë verifikimet në sistemin e Interpolit. Nga verifikimi ka rezultuar se shtetasi Mark Frroku ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Brukseli më datë 08.01.2015 (data e publikimit të urdhrit ndërkombëtar të arrestit- red notice-kartela e kuqe) dhe më datë 23.01.2015 ishte bërë përditësimi i kartelës në sistem. Për këtë fakt ka vënë në dijeni eprorin e saj Shefin e Sektorit, Artan Bajraktari, i cili i ka kërkuar ta mbajë praktikën, deri në verifikimin e dy email-ve datë 08.01.2015 dhe 23.01.2015 nga oficeri i sigurisë E.D.. Sipas shpjegimeve të dhëna, specialistja Loreta Alla ka pohuar se për shtetasit Mark e Arben Frroku ka pasur një praktikë të mëparshme të filluar që në vitin 2012, por nuk ka pasur shpallje të kërkimit ndërkombëtar nga Interpol Brukseli, përveçse kur ka marrë dijeni për shkresën e datës 18.03.2015.

DËSHMIA E BAJRAKTARIT

I pyetur nga prokuroria mbi marrjen në dijeni të email-it të datës 18.03.2015, Artan Bajraktari (Shefi i Interpol Tirana), ka pohuar faktin se është njoftuar nga specialistja për rastin në fjalë si dhe për dy email-et e datës 08.01.2015 dhe 23.01.2015. Së bashku kanë bërë verifikimet në sistem dhe nëpërmjet oficerit të sigurisë E.D., kanë kërkuar informacion në Lion, Qendrës së Interpolit, nëse email-et e datës 08.01.2015 dhe 23.01.2015 kanë ardhur në adresë të Interpol Tiranës nga Interpol Brukseli. Gjithashtu për shkak të statusit të veçantë të personit për të cilin kërkohej arrestimi ndërkombëtar, më datë 27.03.2015 ka njoftuar, sipas hierarkisë, eprorët e tij shtetasit A.R (Drejtor i Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë) dhe Artan Didi (ish-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit). Ky njoftim, i kryer në mënyrë verbale, është bërë pikërisht ditën në të cilën është vendosur për t’u përcjellë dokumentacioni për në Prokurorinë e Përgjithshme. Ky fakt është pohuar edhe gjatë pyetjes së shtetasve A.R dhe Artan Didi.

Meqenëse verifikimi i dy email-ve dhe përgjigja e Qendrës së Interpolit në Lion kërkonte kohë, praktika mbi urdhër-arrestin ndërkombëtar të shtetasit Mark Frroku është përfunduar dhe më datë 27.03.2015 sipas shkresës nr.xxxx, Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana ka përcjellë pranë Prokurorisë së Përgjithshme Urdhrin e Kërkimit Ndërkombëtar (red notice) për shtetasin Mark Frroku dhe të dhënat e nxjerra nga sistemi e- ASF Nominal Search Result i Interpolit. Për nevoja të hetimit me qëllim për të provuar faktin nëse dy email-et e datës 08.01.2015 dhe 23.01.2015 të Interpol Brukselit kishin ardhur në adresën e Interpol Tiranës, si dhe nëse ekzistonte mundësia e fshirjes së tyre nga sistemi, është kërkuar informacion, nëpërmjet oficerit të sigurisë së Ministrisë së Brendshme dhe zyrës së Interpolit, në Sekretariatin e Përgjithshëm të Interpolit me qendër në Lion, Francë për vënien në dispozicion të të gjithë korrespondencës zyrtare ndërmjet dy Interpoleve Bruksel dhe Tirana, si dhe mbi mundësinë e fshirjes se emailve në fjalë.

Në përgjigje, sipas email-it datë 03.04.2015, ka rezultuar se kartela e kuqe e publikuar më datë 08.01.2015 për shtetasin Mark Frroku (dtl.06.10.1972) është dërguar vetëm tek IPSG (Sekretariati i Përgjithshëm i Interpolit) dhe nuk është bërë difuzion (shpërndarje). Gjithashtu nga tërësia e email-ve te dërguara për periudhën nga data 01.01.2015 deri më 31.03.2015 nga Interpol Brukseli drejt Interpol Tiranës nuk rezultojnë të kenë ardhur emailet e datave 08.01.2015 dhe 23.01.2015 që bëjnë fjalë për urdhër– arrestin e shtetasit Mark Frroku, çka nënkupton faktin se nuk ka fshirje në sistemin e brendshëm të Interpol Tiranës. Përfundimisht duke u nisur nga tërësia e provave të grumbulluara për hetimin e këtij procedimi penal, organi i akuzës ka arritur në përfundimin se fakti nuk përbën vepër penale sipas legjislacionit penal shqiptar.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here