Home Politike Berisha e Rama “shesin” Himarën,shmangin takimet elektorale

Berisha e Rama “shesin” Himarën,shmangin takimet elektorale

1280
0

Ajo që ishte paralajmëruar se bashkia e Himarës do t’i lihet nën tavolinë dhe një mandat tjetër Bollanos po vërtetohet dita-ditës. Dy partitë kryesore përveç se dolën me kandidat më vete çka ndan votat e qytetarëve këtë herë kanë zgjedhur që të mos shkojnë fare për fushatë në Himarë. Edi Rama pak ditë më parë i mori me radhë të gjitha qytetet e Jugut, duke mos e parë të udhës që të ndaloj në Himarë. Në Gjirokastër dhe Sarandë ai falënderoi publikisht Vangjel Dulen e PBDNJ-së duke bërë që jehona të dëgjohet dhe në Himarë. Të njëjtën gjë bëri dhe kryeministri Berisha, ai shkoi në Përmet, Tepelenë e Gjirokastër duke pas pranë vetes ministrin Spiro Ksera, çka nënkupton mirë se Himara është një zonë që këta nuk duan të përzihen, por e kanë lënë si zonë të lirë për Bollanon. Të dy kandidatët e PD-PS për Himarën të kontaktuar shprehen se janë duke punuar intensivisht për këto zgjedhje dhe jo pa keqardhje theksojnë fjalën “të vetëm”. Partia Socialiste ka si kandidat të saj Jorgo Goron, i cili është në një fushatë intensive me takime dhe premtime për zhvillimin e Himarës. Pak ditë më parë Goro ishte në Greqi ku zhvilloi takime të shumta me emigrantë nga Himara, të cilët do të vijnë dhe të votojnë më 8 Maj. Himara në fakt është ajo që përbën një sfidë të vërtetë për këto zgjedhje, duket se është lënë në hije nga dy liderët që më shumë janë të interesuar për betejat personale në qytetet e mëdha. Fakti që Rama kundërshtoi Bollanon për një tjetër mandat bëri që të merrte më lavde, por strategjia e ndjekur gjatë fushatës nuk nderon as atë dhe as Partinë Socialiste. E njëjta gjë vlen dhe për kryeministrin Berisha i cili gjithmonë ka qenë një aleat me Bollanon duke mos nguruar ta mbështes dhe publikisht siç ndodhi në vitin 2007. Të vetmit politikan që kanë shkuar në Himarë për fushatë për të mbështet kandidatët e tyre kanë qenë Paskal Milo dhe Petro Koçi. Të tjerët ose s’kanë gjetur kohë ose s’kanë dashur.
Strategjia për të favorizuar Bollanon
Situata zgjedhore në Himarë është disi e komplikuar, pjesa më e madhe e qytetarëve janë kundër Bollanos për kryetar bashkie duke mbështetur Partinë Demokratike dhe Partinë Socialiste. Mirëpo votat e himarjotëve do të ndahen mes PD-së dhe PS-së, duke sjellë në këtë mënyrë fitoren e Bollanos me votat e minoritarëve grekë, edhe pse ai fiton me një diferencë të vogël, përfaqësuesi i minoritetit merr mandatin.
Zgjedhjet e kaluara
Në vitin 2003 Vasil Bollano fitoi Bashkinë e Himarës nën siglën e PBDNJ-së dhe i mbështetur nga Partia Socialiste, në atë kohë në qeveri. Në 2007 Bollano fitoi sërish, por këtë radhë u mbështet nga Partia Demokratike që ishte në pushtet. Ndërsa këtë radhë nuk do të ketë mbështetjen e asnjë partie, të paktën zyrtarisht.

Si mund të humbasë Bollano
E vetmja mundësi që Bollano të humbasë Bashkinë e Himarës është një bashkëpunim mes dy partive kryesore qoftë bashkëpunim i hapur qoftë dhe i nëndheshëm. Ndarja që ka bërë PD dhe PS në Himarë qoftë ose jo e paqëllimshëm do të lërë në krye të një institucioni shtetëror një person i cili përdhos me deklarata publike jo vetëm një zyrë shteti por dhe dinjitetin kombëtar. Një figurë intelektuale do të ishte një zgjidhje e mirë që palët të ngroheshin mbi interesat partiake. Por duket se PD dhe PS nuk do të bashkëpunojnë kurrë bashkë edhe pse në mes janë interesat kombëtare.

Si humbi Bollano në vitin 2000
Për herë të parë Partia Demokratike dhe ajo Socialiste kanë bashkëpunuar në vitin 2000 duke nxjerrë si kandidat të përbashkët Viktor Mato. Ky i fundit në raundin e parë doli në balotazh me Vasil Bollanon, edhe pse ishte shumë vota përpara. Dhe në raundin e dytë fitoi me 70 për qind të votave. Pra, ky fakt tregon më së miri se nëse PD-PS bashkëpunojnë si në vitin 2000, Himara do të qeveriset nga një shqiptar. Viti 2007 Në zgjedhjet e vitit 2007 për pushtetin lokal të majtët në koalicion kandiduan Aleks Taton që arriti të marrë 518 vota. Partia Demokratike u përfaqësua në zgjedhje me Dhimitri Llazari që mori 710 vota. Kandidati i LDLNJ-së Kosta Andruco mori 79 vota dhe Vasillaq Bollano i PBDNJ-së 1.264 vota. Në proporcional partia e Vangjel Dules mori pesë këshilltarë, LDLNJ-ja një dhe 11 të tjerë i takojnë si rregull partive jo minoritare. Subjekti PBDNJ mori në këtë proces në total 833 vota, pra një diferencë prej më shumë se 500 votash nga Bollano.

Historia e Himarës sipas Bollanos
Jo vetëm tani, por edhe historia e Himarës sipas Vasil Bollanos, flet për një krahinë autonome greke, e cila u ka mbijetuar të gjitha luftërave si të krishterë ortodoksë grekë. Bashkia e Himarës ka hapur së fundi një faqe online në internet ku fillimisht shkruhet Republika e Shqipërisë dhe më pas Bashkia Himarë, por teksa lexon historikun e Himarës të bie lehtësisht në sy se banorët e saj jo vetëm që janë ndjerë grekë, por kanë krijuar edhe një Konfederatë Autonome. “Tridhjetë e tre fshatra të Himarës me ndërgjegje kombëtare Greke krijuan Konfederatën Autonome të Qeravneve, të vetëqeverisur dhe të zhveshur nga çdo lloj takse, të përjashtuar nga thirrja nën armë nga ana e turqve, me sistemin vendor të drejtësisë dhe me të drejtën e mbajtjes së armëve në të gjithë Epirin. Himara i mbajti këto privilegje me shekuj. Me gjithë këto privilegje dhe autonominë esenciale që fitoi, Himara vazhdoi të luftojë kundër turqve gjatë gjithë kohës së sundimit turk. Nuk ekziston asnjë kryengritje ose lufte në të cilën Himara të mos ketë marrë pjesë”, thuhet në faqen zyrtare të kësaj bashkie kur flitet për historikun.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here