Banka Botërore paralajmëron se rritja e çmimit të ushqimeve, e shkaktuar kryesisht nga rritja e çmimit të naftës, po shtyn drejt varfërisë ekstreme, miliona persona. Sipas ekspertëve të Bankës Botërore, theksohet se çmimet e ushqimeve në botë janë 36 për qind mbi nivelin e një viti më parë.
Rritja është shtyrë nga problemet në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën Veriore teksa vijojnë të jenë të paqëndrueshme. Kjo rritje çmimesh ka shtyrë 44 milionë persona drejt varfërisë ekstreme që prej qershorit të kaluar.
Një rritje tjetër me 10 për qind do të shtynte 10 milionë persona të tjerë në varfërinë ekstreme të 1.25 dollarëve për ditë, theksoi Banka Botërore. Edhe më herët organizata për ushqim dhe agrikulture e OKB-së ose FAO, bëri me dije se çmimet globale të produkteve ushqimore do të vazhdojnë të rriten, duke iu referuar monitorimit nga afër të Indeksit të çmimeve gjatë muajve të fundit.
Çmimet e larta të ushqimeve janë një shqetësim i madh për vendet me të ardhura të ulëta që përballen me probleme në financimin e importeve të ushqimit dhe për familjet e varfra, të cilat shpenzojnë një pjesë të madhe të ardhurave të tyre për ushqim.