Duket se nisja e punimeve për ndërtimin e xhamisë së re ka shpërblyer edhe pronarët që i dhuruan këtij komuniteti 700 metra katrorë tokë. Kjo pasi ka dyshime se bashkia e Tiranës ka miratuar lejen për nisjen e punimeve për ndërtimin e dy godinave shumëkatëshe ngjitur me xhaminë e re të Myslimanëve.
Bëhet fjalë për ambientin që ndodhet nga ana e Shtëpisë së Ushtrisë, sipërfaqe në të cilën aktualisht ndodhen disa lokale të vogla me lulishte përpara. Sipas një denoncimi që ka mbërritur në redaksi, dyshimet i bazojnë në të thënat e pronarëve të kësaj toke, të cilët u kanë thënë se së shpejti do të nisin punimet për ndërtimin e dy qendrave biznesi pasi kanë marrë lejen nga bashkia e Tiranës.
Po sipas të njëjtit denoncim, ky fakt është pohuar edhe nga ata që po merren me ndërtimin e xhamisë së re, të cilët u kanë thënë se shumë shpejt do të nisin punimet edhe për dy kullat.
Por vetë bashkia e Tiranës e mohon një gjë të tillë dhe sqaron se ata nuk kanë firmosur asnjë leje ndërtimi në këtë zonë, përveç xhamisë. Ndërkohë që sipas procedurës aktuale, për të marrë një leje ndërtimi pranë bashkisë së Tiranës, duhet të aplikosh on-line dhe lejet firmosen nga kreu i bashkisë, pa pasur nevojë të kalojnë në këshill bashkiak.
Por kjo zonë ka një specifikë të veçantë, pasi ka qenë zonë e ndaluar për ndërtime, por në planin e ri urbanistik të Tiranës i është hequr ky kufizim. Megjithatë që të nisin ndërtimet, duhet që më parë të miratohet plani pjesor vendor që zbardh të gjitha detajet, ku do ndërtohet, çfarë do ndërtoheet dhe sa katëshe do të jenë, gjë që deri më tani nuk është bërë. – See more at: http://www.shqiptarja.com/aktualitet/2731/bashkia-firmos-ndertimin-e-dy-godinave-9-kateshe-te-xhamia-e-re-164677.html#sthash.ohLJGSW6.dpuf