Home Aktualitet Banesat e Romeve: policia ndalon 2 te dyshuar

Banesat e Romeve: policia ndalon 2 te dyshuar

666
0

Arrestohen nga policia shtetasit që dhunuan dhe më pas dogjën banesat e komunitetit rom në zonën e Stacionit të Trenit në Tiranë. Policia njoftoi sot se është bërë i mundur ndalimi i shtetasve Klodian Rexhep Vladi dhe Besmir Skëndër Vladi, përkatësisht 22 dhe 23 vjeç, nga Tirana.

Në njoftimin e policisë thuhet se këta shtetas dyshohet se disa ditë më parë, në zonën e Stacionit të Trenit në Tiranë, pas një konflikti për motive të dobta, kanë plagosur lehtë, tre shtetase (pjesëtarë të Komunitetit rom) dhe më pas kanë shkatërruar me zjarr dy prej banesave të tyre, duke i djegur ato plotësisht.

Pas kësaj ngjarje përfaqësues e pjestarë të komunitetit rom janë larguar për tu zhvendosur në një tjetër zonë në kryeqytet.

Një ditë më parë kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Wollfarth, Ambasador i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri Alexander Arvizu dhe Shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri Ambasadori Ettore Sequi, u kanë bërë thirrje autoriteteve shqiptare që të ndërmarrin veprimet e duhura për hetimin e personave të cilët pak ditë më parë larguan me forcë dhe i vunë zjarrin barakave të dhjetra familjeve rome.

Nëpërmjet një komunikate për shtyp, OSBE, SHBA dhe BE shprehin bindjen se qytetarët shqiptarë janë kundër akteve të tilla të dhunës, ndaj grupeve dhe pakicave.

Më poshte deklarata e e plotë e zyrës së OSBE-së, ambasadës së SHBA-së dhe BE-së.

Ambasadori Eugen Wollfarth, Kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Alexander Arvizu, Ambasador i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri dhe Ambasadori Ettore Sequi, Shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri lëshuan sot deklaratën e mëposhtme në lidhje me ngjarjen e kohëve të fundit me familjet rome:

“Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, Ambasada e SHBA-së në Tiranë dhe Delegacioni i BE-së në Shqipëri janë informuar se prej 20 shkurtit 2011, për disa ditë, dhjetëra familje rome janë larguar me forcë nga vendqëndrimi i tyre pranë qendrës së Tiranës nga persona të paidentifikuar, të cilët u vunë zjarrin barakave ku ata jetonin dhe i përzunë prej tyre”.

“Ne vërejmë se, si pasojë e këtyre veprimeve, pati lëndime të rënda dhe një numër i madh njerëzish, duke përfshirë edhe fëmijë, u detyruan të zhvendoseshin nga vendbanimi”.

“Ne theksojmë se Shqipëria është angazhuar të zbatojë Planin e Veprimit për Përmirësimin e Situatës së romëve dhe sintive në Zonën e OSBE-së, si dhe Vendimin e Këshillit të Ministrave 2009 për Shtimin e Përpjekjeve të OSBE-së për Integrim të Qëndrueshëm të romëve dhe sintive. Miratimi i këtij vendimi nga Shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së, përfshirë Shqipërinë, tregon angazhimin e këtyre vendeve për të luftuar diskriminimin dhe racizmin ndaj romëve dhe sintive, edhe nëpërmjet medias”.

“Në Opinionin e tij për aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim, Komisioni Evropian ka identifikuar luftën kundër diskriminimit dhe mbrojtjen e të drejtave të romëve si fusha parësore, të cilave u duhet kushtuar vëmendje e veçantë nga autoritetet”.

“Në këtë frymë, ne u bëjmë thirrje autoriteteve përgjegjëse të ndërmarrin veprimet e duhura për hetimin e ngjarjes shqetësuese të shkurtit, për të siguruar që veprime të tilla të mos përsëriten më. Ne i nxisim autoritetet të marrin hapat e duhura për të siguruar asistencën e nevojshme sociale, përfshirë strehimin, për ata njerëz që kanë mbetur të pastrehë.”

“Ne jemi të bindur se shumica e qytetarëve janë kundër akteve të tilla të dhunës ndaj grupeve të pakicave.

“OSBE, SHBA dhe BE bashkohen me përfaqësuesit e shoqërisë civile në thirrjen për t’i dhënë fund diskriminimit dhe dhunës ndaj familjeve dhe fëmijëve romë.”

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here