Home Aktualitet Azem Hajdari, nisin homazhet te Pallati i Kongreseve

Azem Hajdari, nisin homazhet te Pallati i Kongreseve

738
0

azem-hajdariHeroi i Demokracisë, Azem Hajdari, do të prehet që nga sot në varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Pas ceremonies së homazheve të organizuar nga Bashkia e Tiranës, që nisi sot rreth orës 10:00, eshtrat e liderit të dhjetorit do të zhvendosen nga Sharra drejt Varrezave të Dëshmorëve.

Në ceremoni morën pjesë katër ministra të qeverisë ‘Rama’, ndërkohë që pritet të marrin pjesë edhe kryetari i Parlamentit, Ilir Meta si dhe një grup deputetësh të PS. Në ceremoni morën pjesë edhe kreu i Komunitetit Myslyman, Selim Muça dhe kreu i Kishës Katolike Imzot Rrok Mirdita.

Në një njoftimi për shtyp, Bashkia e Tiranës lajmëroi se më datën 12 shtator, personalitete të larta të jetës politike nga Shqipëria dhe më gjerë, kryetarët e partive politike, studentët e dhjetorit ‘90, intelektualët, nismëtarë të lëvizjes për demokraci, miq, shokë dhe kolegë të Azemit do të kryejnë homazhe për nder të tij e më pas ta përcjellin për në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Bashkia njofton se në orën 10:00, në Pallatin e Kongreseve do të kryhen homazhe, në nderim të Heroit të Demokracisë, Azem Hajdari, ndërsa në orën 12:00 kortezhi i përmortshëm me arkivolin e vendosur në shtratin e topit, do të niset për në varrezat e Dëshmorëve të Kombit.

Në orën 12:30 do të nisë ceremonia e varrimit në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Azem Hajdari, Heroi i Demokracisë, mban titullin më të lartë të Republikës së Shqipërisë “Urdhrin e Flamurit” dhe urdhrin më të lartë në Republikën e Kosovës, “Medaljen e Lartë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, të dhënë nga ish–Presidenti Ibrahim Rugova. Azem Hajdari është Qytetar Nderi i Tiranës dhe pothuajse i të gjithë bashkive dhe komunave të Republikës së Shqipërisë.

Vendimi për të rivarrosur Azem Hajdarin në Varrezat e Dëshmorëve u mor në datën 5 shtator dhe bashkia ngriti një komision të posaçëm pune që do të merrej pikërisht me ceremoninë që do të zhvillohet sot në prani të shumë personalitete të ftuara nga të gjitha trevat shqiptare. Azem Hajdari në dhjetor 1990 u vu në krye të lëvizjes studentore, kohë e cila shënon dhe fillimin e aktivitetit të tij politik. Në dhjetor 1990 – shkurt ai u zgjodh Kryetar i Komisionit Nismëtar të Partisë Demokratike. Në vitet 1991 – 1993 ishte nënkryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe anëtar i Komitetit të saj Drejtues. Më 31 mars 1991 – deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë për Shkodrën. Më 22 mars 1992 – deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë për Shijakun. Më 26 maj 1996 – deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë për Bulqizën, 29 qershor 1997 – deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë për Tropojën, 1992-1996 – kryetar i Komisionit Kuvendor për Rendin Publik dhe SHIK-un, – nëntor 1996 – kryetar i Sindikatave të Pavarura Shqiptare, qershor 1997 – kryetar i Komisionit Kuvendor për Mbrojtjen Kombëtare, 1995 – 1998 – president i klubit të futbollit “Vllaznia” të Shkodrës dhe president i Federatës Shqiptare të Arteve Marciale.

4 MINISTRA TË QEVERISË RAMA HOMAZHE PËR HAJDARIN
Ora 11:05- Rreth orës 11:05 minuta katër ministra të qeverisë Rama kanë shkuar në Pallatin e Kongreseve për të kryer homazhe në nderim të liderit të dhjetorit, Azem Hajdarit.

Në homazhe marrin pjesë minisstrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto, ministrja e Arsimit Lindita Nikolla dhe ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin Ilirjan Celibashi.

TOPI: AZEMI DINTE TË BËNTE DHE TRIMIN DHE DIPLOMATIN, ‘I PAPËRLYER’
Ora 10:41 Kreu i FRD-së, Bamir Topi e kujton Azem Hajdarin si një nga njerëzit më të guximshëm, kurajoz dhe pa komplekse në PD.

“Njeri shumë i guximshëm, njeri kurajoz, pa komplekse,. Dinte të bënte dhe trimin dhe diplomatin. E përkujtoj me shumë mall dhe respekt dhe vlerësim. Ai do jetë në jetë të jetëve si një njeri që mbahet mend si njeri i papërlyer. Respekt për këtë figurë të madhe të kombit shqiptar”, u shpreh Topi për gazetarët pas homazheve në nder të Azem Hajdarit.

NISIN HOMAZHET
Ora 10:00 Qindra njerëz i janë drejtuar mëngjesin e sotëm Pallatit të Kongreseve për të kryer homazhet në nder te “Heroit të Demokracisë”, Azem Hajdari.

Personalitete të larta të jetës politike nga Shqipëria dhe më gjerë, kryetarët e partive politike, studentët e dhjetorit ‘90, intelektualët, nismëtarë të lëvizjes për demokraci, miq, shokë dhe kolegë të Azemit do të kryejnë homazhe për nder të tij e më pas ta përcjellin për në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit.

Në ceremoni marrin pjesë edhe kreu i Komunitetit Myslyman, Selim Muça dhe kreu i Kishës Katolike Imzot Rrok Mirdita.

ELIOT ENGEL FJALIM NË KONGRESIN AMERIKAN: NDEROJMË KONTRIBUTIN HISTORIK TË AZEMIT
Anëtari i Kongresit Amerikan, Eliot Engel, paraqiti në Dhomën e Përfaqësuesve një deklaratë në përkujtim të 15 vjetorit të vdekjes së Heroit të Demokracisë, Azem Hajdari.
Përmes fjalëve dhe veprave, thuhet në deklaratë, Azem Hajdari tregoi se liria nuk dhurohet, por fitohet me përpjekje, vendosmëri dhe besim.

Azem Hajdari, i cili u vu në krye të lëvizjes studentore që përshpejtoi rënien e komunizmit në Shqipëri, u vra më 12 shtator 1998. Ai kishte mundur t’i mbijetonte një atentati të mëparshëm në vitin 1997 brenda parlamentit shqiptar, ku mori plagë të rënda.

Gjatë konfliktit në Kosovës, thuhet në deklaratën e Kongresmenit Engel, Azemi mbështeti gjithashtu lëvizjen e Kosovës për liri e pavarësi, duke i kushtuar asaj kohë dhe energji.

Në deklaratën e tij, Eliot Engel, anëtar i Dhomës së Përfaquesve dhe numri i dy i komisionit për marrëdhëniet me jashtë të kësaj Dhome, thotë se Azem Hajdari ishte një mbrojtës i fuqishëm i vlerave demokratike dhe hero për shumë shqiptarë.

Në fjalimin e tij Engel mes të tjerash ka theksuar se “në përvjetorin e 15-të të vdekjes së parakohshme të Azem Hajdarit, populli shqiptar do të nderojë një herë më shumë një udhëheqës të vërtetë historik të lëvizjes demokratike të Shqipërisë. Në këtë ditë, 12 shtator, shqiptarët nga i gjithë vendi dhe nga e gjithë bota, duke përfshirë kosovarët shqiptarë, do të mblidhen për të kujtuar Azemin dhe ta shoqërojnë atë në vendin e fundit të prehjes së tij në varrezat e dëshmorëve Tiranë”.
Eliot Engell me Azemin
Engel u kërkon kolegëve të tij, anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve, të përkujtojnë Azem Hajdarin për kontributin historik në ndërtimin e demokracisë në Shqipëri.

“Z.Kryetar, Azem Hajdari ishte një kampion i fuqishëm i vlerave demokratike dhe hero për shumë shqiptarë. Kam respekt të kërkoj që ju dhe kolegët e tjerë të mi të nderuar të bashkoheni me mua në njohjen e kontributit historik të Azem Hajdarit për ndërtimin e demokracisë në Shqipëri”, shprehet Engel.

Biografia e Azem Hajdarit:
– Azem Hajdari u lind më 11 mars 1963, në qytetin Bajram Curri;
– I martuar, me tre fëmijë, Kirjaldi, Rudina dhe Azemi i vogël, i lindur katër muaj pas vdekjes së Azemit;
– Më 1987, fiton të drejtën e studimit dhe regjistrohet në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave Politike e Juridike;
– Në vitin 1993 diplomohet për filozofi, në Universitetin e Tiranës;
– Në vitin 1995 diplomohet si jurist, në Universitetin e Tiranës;
– Në vitet 1993-1994 ndjek kualifikim pasuniversitar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për filozofi;
– Më 1996 ndjek kualifikim për politikat e sigurisë e mbrojtjes, në kuadrin e NATO-s, në Garmisch-Partenkirchen, në Gjermani;

Aktiviteti Politik:
– Dhjetor 1990 – Udhëheqës i Lëvizjes Studentore;
– Dhjetor 1990 – shkurt – Kryetar i Komisionit Nismëtar të Partisë Demokratike;
– 1991 – 1993 – Nënkryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe anëtar i Komitetit të saj Drejtues;
– 31 mars 1991- Deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë për Shkodrën;
– 22 mars 1992 – Deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë për Shijakun;
– 26 maj 1996 – Deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë për Bulqizën;
– 29 qershor 1997 – Deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë për Tropojën;
– 1992-1996 – Kryetar i Komisionit Kuvendor për Rendin Publik dhe SHIK-un;
– Nëntor 1996 – Kryetar i Sindikatave të Pavarura Shqiptare;
– Qershor 1997 – Kryetar i Komisionit Kuvendor për Mbrojtjen Kombëtare;
– 1995 – 1998 – President i klubit të futbollit “Vllaznia” – Shkodër dhe president i Federatës Shqiptare të Arteve Marciale

Vlerësime për Heroin e Demokracisë:
– Urdhëri i Flamurit;
– Urdhëri “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”, dhënë nga Presidenti i Republikës;
– Medalja e Artë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, dhënë nga ish-Presidenti i Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova, në vitin 2003;
– Urdhëri “Nderi i Kombit” (2002);
– Pishtar i Demokracisë;
– “Qytetar Nderi” i qytetit të Tiranës, Vlorës dhe i pothuajse të gjithë bashkive e komunave të Shqipërisë

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here