Autoriteti Rrugor Shqiptar ka një afat të ri për përfundimin e autostradës Tiranë Elbasan. Projekti i nisur që në kohën e qeverisë “Berisha 2” pritet të mbyllet i gjithi në fund të muajit dhjetor.
“Shpresojmë që duke respektuar afatet e përcaktuara në kontratë në dhjetor të përfundojë ndërtimi i rrugës, pra të segmentit të parë nga TEGU deri në hyrjen e tunelit”, shprehet Albenc Alite, drejtor i projektit.
Segmenti i parë ishte shndërruar në mollë sherri mes qeverisë dhe kompanisë private, se kujt i takon kostoja e rrëshqitjeve të dheut që ndodhën gjatë realizimit të veprës. Tashmë, ato u kushtojnë taksapaguesve shqiptarë një kosto shtesë prej 35 milionë dollarësh. Puna për rehabilitimin ka nisur.
“Këtu implementimi është drejt përfundimit. Është pika e parë rrëshqitjes dhe besojmë në shtator të bëhet e aksesueshme në të dy krahët e autostradës”, thotë Elton Kallabaku, inxhinier i projektit.
Rrëshqitje të tjera janë ato të Ibës, Mulletit, rrëshqitja në kilometrin e 12 në Krrabë, dhe respektivisht në km e 13 dhe 14 të rrugës.
“Kjo është rrëshqitja më e vështirë dhe e fundit e këtij segmenti të parë të autostradës Tiranë-Elbasan. Rezervuari ka ndikuar në rrëshqitjen e dheut, por ndërhyrja duhet të jetë e strukturuar sepse nuk mund të rialokohej në vend tjetër pasi është i rëndësishëm për zonën”, u shpreh Elton Kallabaku, inxhinier i projektit.
Sipas ARRSH, segmenti i parë nga rreth rrotullimi i Saukut në hyrjen e tunelit është i gjatë rreth 13 kilometër dhe kushton rreth 135 milionë dollarë. Kurse vlera fillestare e tenderimit të rrugës është 290 milionë dollarë.