Sot është 7 marsi, dita kushtuar mësuesit dhe gjithë nxënësit e prindërit e tyre po urojnë mësuesit.
Kjo ditë e rëndësishme e ka zanafillën në 7 mars të vitit 1887 me hapjen e Mësonjëtores shqipe në Korçë.
Në prag të 7 Marsit, ditës së mësuesit, kryeministri Edi Rama bashkëbisedoi me mësues në godinën e qeverisë, jo vetëm për reformat që priten të transformojnë sistemin arsimor, por edhe për rritjen reale të pagave për mësuesit.
Kryeministri Rama tha ditën e enjte se këtë vit u shënua rritja e pagës në 4 përqind, si rritje mesatare për 40 mijë punonjës të arsimit, ndërsa shtoi si hap të rëndësishëm nisjen e projektit të “Shkollës, Qendër Komunitare”.
Por, për kryeministrin, vendosja e dialogut konstant është domosdoshmëri për reformën, qoftë në maturën shtetërore, në arsimin e lartë, apo për tekstet shkollore.
I pyetur nga mësuesit, Rama shtoi se kushdo prej tyre, që do të shënojë rezultate më të larta, do të ketë edhe një bonus specifik, ndërsa shkollat do të kenë një kartë të performancës së tyre. Kryeministri Rama u pyet edhe për strategjinë e qeverisë për sigurinë në shkolla, e cila e nxiti Ramën të flasë edhe për mënyrën se si lexohen ngjarjet më të fundit.