Ministria e Energjisë u ka revokuar licencat 23 kompanive të tregtimit me shumicë të lëndëve hidrokarbure. Ky vendim erdhi pas përfundimit të fazës së parë të kontrolleve në këtë hallkë të zinxhirit të tregut. Arsye kryesore e revokimit mbetet mospërmbushja e kushteve ligjore dhe teknike për ushtrimin e aktivitetit.
VENDIMI
Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjinkuri, tashmë ka firmosur urdhrin për këtë masë dhe është bërë edhe rakordimi me institucione të tjera, siç janë Qendra Kombëtare e Licencimit, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. “Ministri ka firmosur kërkesën për revokimin e licencës së 23 kompanive të tregtimit me shumicë, të cilat nuk kanë përmbushur kërkesat ligjore të kapaciteteve minimale dhe kushteve teknike. Ministria e Energjisë do të vazhdojë kontrollet e të gjitha subjekteve që nga prodhimi, përpunimi, transportimi dhe tregtimi i hidrokarbureve nga pikat e shumicës dhe pakicës”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Energjisë.
IMPIANTET
Një ndër pikat më të rëndësishme që është diskutuar jo pak vitin e kaluar, ishte ajo për impiantet e përpunimit. Në bazë edhe të ndryshimeve ligjore të fundit u vendos që këto të fundit të mos kryejnë një proces të tillë pa marrë autorizim dhe se përpunimi do të kryhet nga rafineritë. Ministria e Energjisë bën me dije se pikërisht këto subjekte do të jenë në monitorim të vazhdueshëm. Po kështu do të bëhen ndryshime të reja ligjore, që synojnë ashpërsimin e masave ndëshkimore për rastet e abuzimeve me standardin e cilësisë së lëndëve hidrokarbure.
KUJT IU REVOKUA LICENCA
1. “Joni MD” sh.a.
2. “Halilaj Holding Group” sh.a.
3. “Duçellari 2010” sh.a.
4. “Ina Petrol” sh.a.
5. “Al Prima” sh.a.
6. “Gentjan 2011” sh.a.
7. “Alfa Omega Enterprise” sh.a.
8. “New Petrol” sh.a.
9. “Lilo Petrol 2011Compani” sh.a.
10. “Dizayn Gaz” sh.a.
11. “Niti Petrol Company” sh.a.
12. “Gramozi Oil Compani” sh.a.
13. “Albania Oil Compani 2011” sh.a.
14. “Petroleum 2011- Company” sh.a.
15. “Lloga Oil Company” sh.a.
16. “Power Sprint Oil” sh.a.
17. “Sheng Oil” sh.a.
18. “Eurostandard Oil” sh.a.
19. “Evo Power” sh.a.
20. “Dion Petroleum” sh.a.
21. “Tangra Group” sh.a.
22. “East Mediterranean” sh.a.
23. “Kalaja” sh.a.