HYRJE Andrea Stefani Nishani me Erdoganin kundër Skënderbeut?

Nishani me Erdoganin kundër Skënderbeut?

0
151

nishani-skenderbeuAskush nuk është aq i pasur sa të blejë të kaluarën e vet, thoshte Oskar Uajlld. Por disa politikanë shqiptarë, për shkak të varfërisë mendore, nuk mund të mos e shesin të kaluarën, historinë, heronjtë e Atdheut të tyre në funksion të llogarive të ulëta për pushtet. Një akt të tillë skandaloz, që vështirë se mund të gjesh shqiptar që e mbështet, raportohet ta ketë bërë Bujar Nishani, Presidenti i Republikës së Shqipërisë me rastin e vizitës së Taip Erdoganit, Presidentit të Turqisë. Nga mediat mësojmë se gjatë një ceremonie në Pallatin e Brigadave, ku Erdoganit i është dhënë një dekoratë nga Nishani, është hequr një bust i Heroit Kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastriotit, Skënderbeut.

Një incident i paimagjinueshëm dhe i pabesueshëm nëse nuk do të shoqërohej edhe me foton përkatëse ku busti i heroit, nuk ndodhet në vendin ku është parë për vite me radhë madje, edhe një vit më parë kur dekorohej Xhorxhio Napolitano, Presidenti i Italisë. Është aq anormal, aq i mbrapshtë, aq antikombëtar, aq primitiv, aq fyes sa nuk mund të besosh se një President Republike mund të jepte OK për një “manovër” të tillë.

Ndaj skepticizmi këmbëngul: Mos ndoshta kemi të bëjmë me një retushim apo falsifikim të fotos në fjalë? Por është heshtja e Presidencës që na e fshin shpresën e dyshimit. Ajo nuk ka bërë asnjë mohim të lajmit të raportuar në media, nuk ka dhënë as edhe një sqarim. Pra skandali qenka i vërtetë?!

Politikanët lindorë nuk heqin dorë nga zakoni i keq për të retushuar historinë në funksion të koniunkturës politike dhe llogarive të luftës për pushtet. Të tillë janë dhe jo pak politikanë shqiptarë që jo vetëm nuk ngopen me manipulimin e të vërtetave të sotme, por duan të shtrembërojnë edhe ato të së kaluarës, historisë. Si një prej tyre po na shfaqet edhe Presidenti Nishani. Këtë herë në sinkron me një tjetër politikan të kritikuar si autokrat. Produkt i kësaj sinergjie të një mendësie politike orientale, besojmë se është edhe skandali i fshehjes së bustit të Skënderbeut që duket se i vraka sytë presidentit turk. Kjo e fundit nuk është gjë e re. Dihet se vite më parë ka qenë po Erdogan (atëherë kryeministër) dhe ndonjë ministër i tij që i kanë sugjeruar qeverisë shqiptare rishikimin e historisë në raport me pushtimin osman e në këtë kuadër, edhe ndaj figurës së Skënderbeut.

Sugjerimi kish ndeshur kundërshtime të forta jo vetëm në Tiranë po edhe në Kosovë dhe krejt trojet shqiptare.

Kritika të ashpra i qenë drejtuar, në një rast tjetër, edhe ish-kryeministrit Fatos Nano që, gjatë një vizite po të Erdoganit në Tiranë, u raportua në media se kish hequr nga zyra e tij një statujë të vogël të Skënderbeut, për të mos i prishur qejfin zyrtarit të lartë turk. Atëherë, politikani Sabri Godo, mbi të gjitha i famshëm për një roman historik kushtuar heroit, reagoi me sarkazëm duke deklaruar: “Na mbetet që të fshehim Skënderbeun dhe të nxjerrim Nanon, dhe kjo do të ishte një gjë e turpshme. Skënderbeun nuk mund ta lëvizë nga vendi, askush. As ndonjë parti politike apo kryeministër. Kështu që, nëse kjo ka ndodhur me të vërtetë, them se i është bërë një poshtërim këtij vendi”.

Sipas kësaj logjike, një poshtërim i tillë i vendit ka ndodhur edhe tani. Ndaj nuk mund të mos themi duke perifrazuar Godon: Ne nuk mund të fshehim Skënderbeun dhe të nxjerrim Nishanin! Dhe duke vazhduar me sarkazëm e Godos pyesim: Mos vallë Bujar Nishani, qoftë edhe si President, e mendon veten më dinjitoz për të përfaqësuar Shqipërinë se sa Heroi Kombëtar i shqiptarëve?! Më falni, por kjo është njësoj ta mendosh veten më me dinjitet se flamuri kombëtar. Sepse Heroi Kombëtar është si flamuri kombëtar. Kush nuk mbron Heroin nuk ka mbrojtur flamurin. Skënderbeu nuk është një turp që duhet fshehur por një flamur që duhet shpalosur! Flamuri kuqezi i kombit njihet jo më kot si “flamuri i Skënderbeut”. Ndaj kush valëvit atë flamur, në stadium, dasma a protesta, ka valëvitur edhe emrin e Skënderbeut. Nuk mund të jesh “kuqezi” pa pasur Skënderbeun në zemër. Nuk mund të jesh shqiptar!

Skënderbeu nuk është shpallur Hero Kombëtar me dekret. Prandaj qeveritë apo politikanët e ditës nuk kanë fuqi mbi të. Janë disa figura mbi të cilat nuk kanë forcë as sistemet, as regjimet, qeveritë dhe aq më pak presidentë e kryeministra xhuxhë e kalimtarë. Duhet referendum i brezave të mbi pesë shekujve për ta zbritur Skënderbeun nga ai piedestal. Shekuj të tërë nuk kanë mundur ta varrosin veprën e tij që, e hedhur në vargje nga Naim Frashëri, u bë edhe kënga e rilindjes së kombit shqiptar pikërisht kur osmanët po e varrosnin së bashku me shovinistët grekë e serbë. E duam miqësinë me turqit, grekët apo serbët por nuk mund ta themelojmë atë mbi gënjeshtrën. Jo mashtrimi si retushim i historisë, por vetëdija për të vërtetat e përgjakshme e saj, vetëdija për tragjizmin e armiqësisë, është themel i një miqësie të vërtetë.

Nëse mikut turk nuk i pëlqente prania e Skënderbeut, përgjigjja modeste e Nishanit duhej të qe: Nuk di në jam i denjë të përfaqësoj kombin e Skënderbeut e jo më të lëviz nga vendi heroin që nuk e lëvizën dot as dhjetëra ushtri osmane bashkë me dy sulltanë, as shekujt! Vetëm një mendjemadhësi që vjen nga mendjelehtësia, mund ta inkurajojë një politikan të bëjë një sakrilegj të tillë në emër të “mikpritjes” apo “diplomacisë”. Është një ngatërrim i pafalshëm asaj që na bën krenarë si shqiptarë me diçka që e vë atë si politikan mendjengushtë në siklet. Kam neveri për shpërthimet apo gjakimet nacionaliste. E di që ardhmëria do t’u lërë gjithnjë e më pak valencë politike kombeve. Por do të mbeten disa gjëra të paprekshme nga historia e tyre, ca rrënjë të përjetshme, të shenjta. Si themelet. Gjergj Kastrioti është një nga ato.

E përsëris, duket akoma e pabesueshme të ketë ndodhur. Në çdo këndshikim. Dhe nëse një gjë e tillë do të guxonin ta quanin normale, atëherë edhe në SHBA duhet të fshihnin bustet e Xhorxh Uashingtonit gjatë vizitës së çdo kryeministri të Britanisë meqenëse ka udhëhequr luftën për pavarësi kundër Anglisë. Madje në Ankara duhet të fshihnin bustet e Ataturkut gjatë vizitës së ndonjë zyrtari britanik, meqë ai ka luftuar me sukses kundër tyre ne Galipoli. Përveç kësaj, republika e sotme turke nuk është pasardhësja e Perandorisë Osmane, edhe pse dikur ka qenë qendra e kësaj perandorie. Gjithë vepra e Qemal Ataturkut ka synuar shkëputjen e Turqisë nga traditat politike anadollake të osmanëve pra, edhe nga tradita e turpshme, poshtëruese, antinjerëzore dhe e përgjakshme e pushtimit. Ataturku synoi perëndimorëzimin e Turqisë. Skandali merr kuptim vetëm nëse vepra madhështore e Heroit Kombëtar të shqiptarëve shfaqet si një pengesë e pakapërcyeshme për disa ambicie perandorake neo-otomane që, mjerisht, shpalosen sot në segmente të politikës turke dhe shkojnë në drejtim të kundërt me ambicien e Ataturkut. Ato gjejnë shprehje edhe në librin “Thellësia Strategjike” me autor kryeministrin e sotëm të Turqisë, Davutoglu. Të tilla synimeve anakronike, Skënderbeun do ta kenë përherë kundër. Madje më të pathyeshëm se sa kur ishte gjallë, në mbrojtje të një ideali europian të shqiptarëve. Sepse tani është i pavdekshëm! “Shqip”

Përgjigju

Please enter your comment!
Please enter your name here