Home Andrea Stefani Eksodi kosovar dhe një kritikë Kadaresë lidhur me lirinë

Eksodi kosovar dhe një kritikë Kadaresë lidhur me lirinë

1538
0

stefaniDrejtësia është një emër i dytë për lirinë. – Edmund Burke

“Liria është gjëja më sublime që ka krijuar njerëzimi, madje qëndron mbi njerëzimin vetë. Nëse mund të mburret njerëzimi me diçka është se ka krijuar paradigmën e lirisë, por që ai ende nuk e arrin dot. Njerëzimi është nën nivelin e lirisë”, thotë Ismail Kadare në intervistën e tij më të fundit. Një pohim që s’ka të sharë për nga elokuenca, por që, megjithatë, nuk na tingëllon plotësisht i vërtetë. Se jo tërë njerëzimi është nën nivelin eu lirisë. Ka disa shekuj që në një pjesë të botës, në atë që quhet Perëndim apo më ngushtë Europë, liria nuk është më thjesht një ide, por pavarësisht të metave që shoqëron procesin e zbatimit praktik të çdo ideje, edhe një realitet. Ndryshe përse do ta zgjidhnim Europën si model? Përgjigjja është evidente: Sepse atje ekziston një realitet me liri!

***

Propaganda serbe pretendon se eksodi kosovar nuk ka lidhje me mungesën e lirisë. Prej këtej, nxjerr përfundimin se edhe revolta e kosovarëve ndaj sundimit serb nuk kishte të bënte me lirinë që, sipas saj, ekzistonte edhe nën diktaturën e Millosheviçit kur, siç me të drejtë pohon Kadare, “shqiptarët kishin mungesë të tmerrshme lirie”. Ndërsa kritikon me të drejtë këto spekulime të serbëve, Kadare bie në gabim kur pohon se ikja e kosovarëve i duket e mistershme, e pashpjegueshme madje “kundërthënëse me tërë atë flijim të madh që bëri Kosova për të fituar lirinë”. Sepse nënkupton ekzistencën e lirisë në Kosovë. Dhe po pranove këtë, ke pranuar që kosovarët po arratisen nga liria. Pra pikërisht atë që thonë serbët. Por asgjë e mistershme apo kundërthënëse mbi shkaqet e ikjes nuk mbetet po të kuptojmë, edhe pse në pamje të parë do duket si paradoks, që në Kosovë nuk ka liri. Që kosovarët nuk arratisen nga liria, por nga një kaos i maskuar me shtet, nga një gjendje e humbjes së shpresës (kjo e fundit nuk është thënë të jetë vetëm një atribut intelektual) për shkak të korruptimit të elitave politike dhe sistemit të drejtësisë nga i ka rrënjët edhe polarizimi pasuror dhe varfëria. Dhe drejtohen përsëri nga bota e lirë, nga Europa. Kështu eksodi, sado i dhimbshëm, është jo një ikje nga liria, por drejt një bote me liri, një ikje nga skamja dhe padrejtësia.

***

Kosovarët nuk kanë asnjë problem me lirinë, sepse nuk mund të kenë probleme me atë që nuk ekziston ende në Kosovë. Iluzioni i një gjendjeje “me liri” është krijuar nga fakti i largimit të pushtuesve serbë. Është një iluzioni i fuqishëm ky që, në kushte izolimi, zgjat edhe për dekada të tëra. Madje, edhe kur flakja e shtypjes së huaj pasohet nga një tjetër shtypje, që edhe pse diktatoriale dhe e egër, konceptohet gabimisht si realitet lirie, ngaqë nuk është një shtypje e huaj. Në mjegullinë e këtij iluzioni është maskuar për shumë dekada shtypja, diktatura komuniste në Shqipëri, duke u paraqitur si liri. Por në Kosovë, që nuk është nën izolim, shpërndarja e këtij iluzioni erdhi shumë më shpejt. Nuk ka asgjë për t’u habitur këtu.

***

Pra, Kadare gabon kur pohon se kosovarët e kanë fituar lirinë. Lufta e UÇK-së dhe bombat e NATO-s i detyruan serbët pushtues të largohen, por liria nuk erdhi. Sepse mund ta fitosh pavarësinë e Atdheut, por nuk është thënë të fitosh lirinë e njeriut. Pavarësia e një shteti ka të bëjë me raportet me të huajin, ndërsa liria ka të bëjë, më së shumti, me raportet e njeriut me qeveritë dhe pushtetet e shtetit të Atdheut. Pavarësia është aspekti i jashtëm i lirisë, që shumica e vendeve në botë e kanë arritur. Por kur vjen puna te liria, jo rrallë, gjithçka ngec. Shumë shoqëri po tregohen të paafta ta arrijnë lirinë edhe pse luftojnë me flamurin e saj. Pushtimet zëvendësohen jo rrallë nga diktatura po aq gjakatare sa pushtimet e huaja, madje edhe diktaturat që vetëdeklaroheshin me mburrje si të tilla, zëvendësohen nga demokratura që i fshehin dhunën, shtypjen dhe padrejtësinë, por nuk i luftojnë ato. Thua se çlirimtarët e kanë për detyrë “patriotike”, të zëvendësojnë sa më shpejt zgjedhën e huaj apo edhe diktatoriale, duke hedhur një tjetër zgjedhë, këtë radhë autoktone ose më “demokratike” në qafën e bashkatdhetarëve, se ndryshe s’bëhet! Kujtoni atë që ndodhi më vendet e Europës Lindore, edhe me Shqipërinë, pas pushtimit fashisto-nazist, ku u vendosën diktatura staliniste, edhe pse qe derdhur realisht gjak për liri! Shikoni edhe më afër në kohë, si po degradon pranvera arabe në luftëra civile dhe kaos! Një tjetër shembull i paaftësisë së disa shoqërive për të ndërtuar sistemin e lirisë. Sepse liria nuk është vetëm të përmbysësh, por, madje kjo është pjesa më e vështirë, edhe të ndërtosh.

***

Kosova vuan pikërisht nga një paaftësi e tillë. Pushtuesi serb iku, por liria nuk erdhi. Kjo është e vërteta e hidhur që Kadare nuk arrin ta perceptojë si shkak të eksodit të kosovarëve. Arratisja, ikja është njëherazi edhe pohim i një dobësie, i një paaftësie qytetare për të luftuar për drejtësi pra, edhe për liri. Një gjymtim i shfaqur edhe në Republikën e Shqipërisë nga thuhet se 1 milion njerëz kanë emigruar përgjatë këtyre viteve. E kanë manifestuar më parë këtë dobësi edhe kombe të tjerë që kanë përhapur gjakun e tyre nëpër botë, deri në Amerikë. Por ndërkaq, arratisja si e tillë, krahas pafuqisë, është edhe refuzim për të pranuar, për t’u aklimatizuar, për t’u konformuar me një gjendje poshtëruese për dinjitetin e njeriut. Jo vetëm në rrafshin ekonomik, por shumë më gjerë. Aq më shumë në raport me lirinë e njeriut. Ka një konotacion proteste edhe në këtë ikje të sotme. Ka mjaft raste kur gjendja të bëhet e padurueshme edhe në Atdheun “e lirë” sa të detyron të arratisesh prej tij. Vetë Kadare e ka provuar një vuajtje të tillë.

***

Sepse liria nuk është vetëm të mos të të futin në burg, mos të të bastisin kohë e pa kohë shtëpinë, nuk është vetëm të të lënë të flasësh, të kritikosh qeveritë dhe politikanët pa të burgosur, të organizohesh politikisht dhe jo politikisht e të bësh deri edhe protesta e demonstrata pa të vrarë me plumb. Të gjitha këto janë aksesorë të domosdoshëm të lirisë, por kjo e fundit, është një gjendje shtetërore me ligje të mira që gjejnë zbatim, me anë të një sistemi të sofistikuar pushtetesh të ndara që baraspeshohen e kontrollohen reciprokisht.

***

Pra liria është një gjendje me drejtësi. Aty ku nuk ka ligj, nuk ka liri, thoshte Xhon Lok. Dhe e kishte fjalën për ligje të mira, jo për ligje diktatoriale apo të lobuara me korrupsion për të legalizuar gjakime dhe epshe klanesh të pushtetshme. Këto ligje të zbatuara me vendosmëri e bëjnë të mundur drejtësinë që, sipas Edmund Bërke, është një emër i dytë për lirinë. Pra drejtësia, është liri dhe liria drejtësi. Pa drejtësi nuk ka liri, duhet të themi ne. Dhe është naivitet të besosh se liria nuk ka të bëjë me mirëqenien ekonomike, por vetëm me për shembull, të thuash atë që do. Liria nuk është vetëm infrastrukturë, por edhe themel. Si drejtësi, si marrëdhënie, si respektim i ligjeve dhe kontratave apo i konkurrencës, ajo është në themel të të gjithë përparimit dhe begatisë europiane. Kosova është e varfër se nuk ka liri. Por liria është, si vetë jeta, një proces që ka ngritjet dhe uljet e veta që i përjeton edhe sot në Europë. Dhe a ia vlen ta duash lirinë vetëm për të mirat materiale që sjell? Jo! – themi njëzëri me Tukëvilin. Se pastaj do ta braktisim arritjen më sublime në kohë krizash dhe vështirësish materiale. Në Europë sot janë në provë rrënjët e lirisë. Nuk kam asnjë dyshim që janë aq të thella, sa cunami i krizës ekonomike nuk i çrrënjos dot për të përmbysur pemën madhështore të saj.

***

Kosova (edhe Shqipëria) është e varfër se nuk ka qenë kurrë e lirë. Ajo mbetet një shtet ku duket se po bën kërdinë padrejtësia dhe korrupsioni. Kritika për Kadarenë, në këtë rast, është se lirinë e koncepton në mënyrë disi romantike, vetëm si flakje e sundimit të huaj serb pas të cilit, liria mbin thuajse vetiu! Por liria mbin e rritet vetëm kur, sikundër shkruan Xhon Stjuart Mill, njerëzit e saj të shndërruar në qytetarë, arrijnë të ngrenë një sistem të prirur dhe në gjendje të kufizojë aftësinë e çdo qeverie për të ndërhyrë padrejtësisht, qoftë edhe me ligj, në jetën e qytetarit, në fatin e tij, për t’ia cenuar liritë të drejtat dhe në radhë të parë, ato të punës, pronës apo jetës.

***

Politikanët duan t’ia dinë vetëm për vete, raporton media kosovare të deklarojnë të kthyerit mbrapsht nga eksodi. Ka një mosbesim në rritje ndaj elitës politike që çon edhe në humbjen e shpresës se vendi do bëhet më mirë. Pohojnë edhe korrupsionin e lartë dhe mungesën e drejtësisë, një situatë ku, siç shprehej një nga të ikurit, nuk di kujt t’i drejtohesh për hallin që ke. Pra, nuk është vetëm gjendja ekonomike që ju heq shpresën, por edhe mungesa e elitave dhe institucioneve të dedikuara që mund të ndikonin në përmirësimin e gjendjes.

***

Ndërsa bëj këtë kritikë lidhur me konceptin e lirisë, është detyrim ndaj së vërtetës të pohoj se vepra e artistike e shkrimtarit tonë të shquar, është një himn për lirinë e njeriut dhe si e tillë, universalizohet me një shtrirje dhe thellësi të paarritshme nga çdo publicistikë. Madje edhe nga publicistika e vetë Kadaresë. Në këtë rrafsh, shkrimtari e mposht publicistin. Kujtoj një novelë të Kadaresë, që nuk dëgjoj të përmendet shumë por që, sipas mendimit tim, përveç bukurisë mbetet tepër aktuale për Shqipërinë dhe Kosovën. Titullohet “Lamtumira e së Keqes”. Është koha kur Perandoria Otomane duhet të tërhiqet (ashtu siç tërhiqet një vërshim) nga Ballkani dhe nga Shqipëria. Por urrejtja që ka për Europën, për shpengimin dhe lirinë e njerëzve të saj, e bën të vrasë mendjen se si Shqipëria, robina e saj për pesë shekuj, të mos bashkohet me Europën, por, të bëjë të kundërtën, të bashkohet vullnetarisht me Azinë për të mbetur me dashje një robinë. Shkurt, të zgjedhë vetë robërinë dhe jo lirinë. Dhe formulën e kësaj intrige e kërkon te gjetja e një sundimtari për Shqipërinë, e një politikani që fsheh një delikt, një krim të rëndë a një korrupsion. Dhe llogarit që pas ardhjes në pushtet, ky sundimtar, do përpiqet ta fshehë këtë krim duke vrarë të gjithë shokët e tij më të afërt që e dinë të fshehtën përvëluese. Më pas, ata më të largëtit dhe më tej edhe ata që mund ta kenë mësuar nga më të largëtit! E kështu me radhë. Shtypja e masakra do shtohej aq shumë sa më në fund, Europa që nuk i duron krime të tilla për shkak të mendësisë së lirisë dhe atij flamuri të urryer që ata, europianët, e quajnë “të drejtat e njeriut”, do t’i dilte kundër, duke ia rrezikuar pushtetin. Në këtë moment, sundimtari do rikthehej për mbrojtje në prehrin e Azisë. E bashkë me të edhe Shqipëria!

***

Është një mesazh i fuqishëm jo vetëm për të djeshmen diktatoriale, por edhe të sotmen e turbullt të Shqipërisë dhe Kosovës. Por mjerisht po jetojmë në një kohë kur videopushteti po bën kërdinë dhe, sikundër pohon Sartori, homosapiens po ia lë vendin homovidens, një qenieje që ngopet me imazhe ndërsa zbrazet nga mendimi. Sepse lexon gjithnjë e më pak libra. Edhe Kadarenë. Ndiej dhimbje që shqiptarët nuk po e shfrytëzojnë sa duhet avantazhin e madh e të qenët bashkëkohës të një shkrimtari kaq të shquar të cilin, ndryshe nga Shekspiri apo Balzaku, mund ta lexojnë në gjuhën amtare pa atë hemorragji të toneve apo ngjyrave që pashmangshëm bashkëshoqërojnë operacionin e përkthimit. Me një Kadare të lexuar më në thellësi nga shqiptarët, edhe qëndresa e tyre qytetare për liri e drejtësi, edhe në Kosovë, do të ishte më me rrënjë e për rrjedhojë, edhe arratisjet dhe eksodet më të rralla.

***

Kjo bjerrje e aftësisë për të reflektuar (ca prej së cilës e trashëgojmë edhe si gjymtim nga diktatura), i ka bërë njerëzit lehtësisht të manipulueshëm nga sharlatanët e politikës që kanë grumbulluar pushtet dhe para. Dhe në krah të tyre është edhe i gjithë bagazhi i asaj që, siç me të drejtë nënvizon Kadare, nuk mposhtet kollaj edhe pse ka rënë. Bagazhi i diktaturës. Fortifikimet e saj, qendrat e zjarrit, frëngjitë, kallashët, egërsia dhe intoleranca ndaj mendimit ndryshe dhe gjithë formave të lirisë, mbeten në trutë e njerëzve, në idhujt, kultet apo tabutë që ajo ka gdhendur në kokat e tyre për dekada të tëra. Prandaj, edhe pse diktatura ka rënë, aksioma se liria nuk dhurohet është më e vërtetë se kurrë. Veçanërisht në shtete pa tradita të rrënjosura lirie, si Shqipëria dhe Kosova, për lirinë duhet luftuar çdo ditë. Nuk duhet ikur. Edhe kur të hedhin baltë, të fyejnë, të poshtërojnë a diskriminojnë. Sepse duan të ta heqin edhe atë pak liri që imponon koha, qoftë edhe lirinë për të thënë ca të vërteta të hidhura për zuzarët dhe të korruptuarit, por shëruese për shoqërinë. Dhe nuk ke ku mbështetesh në raste të tilla veçse te besimi te liria, te vetëdija se pa përdorur atë pakëz liri që ka ardhur dhe regëtin bashkë me momentin historik, ti nuk mund të kontribuosh për lirinë në tërësi, nuk mund të jesh dishepull i asaj që siç thotë edhe Kadare, është arritja më sublime për njeriun dhe njerëzimin.

“Shqip”

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here