Home Mustafa Nano Mustafa Nano: Fermerët shqiptarë mbrohen duke i bërë kompetitivë në tregun global

Mustafa Nano: Fermerët shqiptarë mbrohen duke i bërë kompetitivë në tregun global

597
0

Debati për TVSH-në është i thjeshtë, elementar, i qartë e i kuptueshëm nga të gjithë. Nuk ka asgjë të sofistikuar në pikëpamje intelektuale apo akademike në të. E megjithatë, është një nga pak debatet e njimendta ideologjike a programore që mund të jenë bërë në Shqipëri gjatë njëzet viteve të fundit, e për këtë shkak ka një sex appeal të vetin. Po përfshihen në të një numër njerëzish, që kanë know how në këtë lëmë.

Berisha po tenton të bëjë atë që bën gjithmonë në rrethana të tilla, dmth ta vulgarizojë e ta idiotizojë këtë debat (sidomos kur u thotë fshatarëve e fermerëve, që “qëllimi i socialistëve është që juve t’ju mbeten prodhimet në fushë”, ose kur thotë, se “kështu rriten të ardhurat e klaneve dhe të atyre që e kanë shndërruar partinë vetë në parti të biznesit dhe asgjë tjetër”), por debati vijon e është serioz. Edhe fakti, që vetë Berisha i kthehet herë pas here këtij propozimi për ta hedhur poshtë me tërsëllëm e me gjepura, tregon se ky debat vijon. Dhe duhet të vijojë. Por i dokumentuar me shifra nga ana e opozitës, dhe larg akrobacirave idiotike të kryeministrit, duke marrë prej këtij të fundit atë porcion racional që bart ligjërimi i tij. Kur qëllon që e bart.

Ka në reagimin e tij të fundit ndonjë gjë racionale? Sipas Eduard Zaloshnjës, jo. “[Sulmi që i bën Berisha këtij propozimi] nuk ka asnjë këmbë për të ndëjtur sadopak në tokën e shkencës ekonomike. Fermerët që përmend Berisha nuk kanë si dëmtohen nga ulja e propozuar e TVSH-së. Grurin fermerët e prodhojnë për përdorim vetjak (pra nuk u taksohet edhe sot), ndërkohë që fabrikat e miellit punojnë me grurë importi. Kështu që ulja e TVSH-së do të ndikonte vetëm në uljen e kostos së miellit e të bukës. Ulja e TVSH-së për qumështin, vezët dhe vajin e ullirit nuk i rrezikon prodhuesit vendas, sepse prodhimi i tyre është ndjeshëm më i lirë se ai i importit. Sheqer e oriz fermerët tanë nuk prodhojnë, dhe aq më pak barna e paisje shëndetsore…”, thotë Zaloshnja në shkrimin e tij të fundit publikuar në respublica.al.

Gazetari i Shekullit Emirjon Senja, që shkruan për Shekullin, tregon se e kupton pakëz shqetësimin e Berishës, kur thotë se “nëse analizohet lista e produkteve, për të cilat PS-ja kërkon heqjen e TVSH-së, vërehet se nuk kemi të bëjmë me mallra si fruta e zarzavate. Flitet për miellin, bukën, qumështin, vezën, dhe për vajin, orizin, dhe sheqerin. Nga skenari i PS-së do të prekeshin disi bizneset e qumështit dhe pularitë, të cilat vitet e fundit kanë njohur një zhvillim të kënaqshëm”.

Po supozoj se ka të drejtë Senja, ndonëse mendoj se ka të drejtë Zaloshnja. Po supozoj se ka një qeder lokal prej kësaj nisme të PS-së. Normalisht, kryeministri do duhej të linte ato arsyetimet fiu-firifiu me “socialistët që i duan të keqen fermerëve, me socialistët që duan që prodhimet bujqësore të kalben arave, e me Ramën që mbron bizneset që ai i ka krijuar”, e të na shpjegonte me shifra se sa është dëmi që u vjen fermerëve prej këtij propozimi, se sa është xhiroja vjetore që bëhet me qumështin e vezët made in Albania, se në xhepat e kujt futen këto pará që dalin nga shitja e vezëve dhe e qumështit të prodhuar këtu, sa pará shkojnë në xhepat e fermerëve të thjeshtë, e sa pará shkojnë në xhepat e biznesmenëve, “të cilës parti e klan” janë këta biznesmenë  (këtu po eci me logjikën e Berishës, pasi në të vërtetë ky do ishte një diskutim prej të marrësh; ata janë të gjithë biznesmenë shqiptarë), etj, etj. Janë të dhëna që ai i ka para të gjithëve e që ai i di më mirë se të gjithë. Mjafton të japë një urdhër, dhe këto të dhëna i shkojnë në tryezën e punës në harkun e dy orëve, ose i përfundojnë në inbox-in e emailit në harkun e disa minutave. Mirëpo ai nuk ecën kësaj ane, ai nuk flet me shifra e për shifra, pasi i pëlqen më shumë të thotë fraza, rëndom akuza, të rrumbullakosura e me target të shtrirë, ja, si ato që thashë më sipër (në fakt, i ka thënë ai; unë vetëm i citova). Ai nuk flet me shifra për një arsye të qartë. Shifrat e nxjerrin zbuluar; dëmi është shumë më i vogël se sa ai që pretendohet prej tij. Nëse bëhet fjalë për ndonjë dëm.

Pastaj ka një gjë tjetër që të bie në sy në mënyrën se si Berisha ‘mbrohet’ prej këtij propozimi. “Ulja e TVSH-së do të bëjë që t’ju mbeten prodhimet në fushë”, u thotë ai fermerëve, dhe me këtë pranon që bujqësia jonë nuk ka asnjë fuqi kompetitive, se kostoja e prodhimeve lokale është ku e ku më e madhe sa ajo e prodhimeve që vijnë nga jashtë, të cilat po vinë prapëseprapë, s’ka gjë se qeveria jonë paska menduar t’i penalizojë me TVSH në të mirë të prodhimeve tona (vetëm qorrat nuk e shohin, që tregu i prodhimeve agrare është i mbushur me prodhime të huaja). Dhe në këtë kuptim, nëse ka një detyrë për kryeministrin dhe qeverinë, kjo detyrë është ta bëjnë këtë sektor kompetitiv, e jo ta mbrojnë prej kompeticionit të huaj me metoda, që bien mbi kurrizin e konsumatorëve e që e mbajnë bujqësinë shqiptare në kushtet e prapambetjes së thellë, të strukturuar dhe endemike. Si bëhet bujqësia kompetitive? Ky po, që është alamet diskutimi, por kryeministri nuk i hyn kësaj pune, pasi me sa duket nuk i bën fare përshtypje fakti, që bujqësia shqiptare ka mbetur në një gjendje të prapambetur. Madje, duket sikur i intereson ta mbajë bujqësinë në këtë gjendje, pasi vetëm në këto rrethana mund të dalë e të thotë: “kam unë një metodë se si t’ju mbroj nga prapambetja, dhe kjo është t’ju lë të prapambetur”. Mbrojtja e prodhimit vendas prej TVSH-së është një sendërgjí e Berishës, por edhe sikur të ish e vërtetë, ajo nuk realizon gjë tjetër, veçse konservimin e prapambetjes. Mirëpo s’është kjo ajo, për të cilën ka nevojë bujqësia shqiptare. Kjo e fundit ka nevojë të jetë kompetitive.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here