Bankat Greke, mund të jenë destinacioni ku mund të kenë përfunduar lekët e vjedhura nga Thesari i Shtetit Shqiptar. Përgjigjia që ka mbërritur në prokurori nga zyrtarët e sistemit elektronik TIMS, ka konfirmuar se Dorian Çollaku, Drejtori i Emisionit, ka lëvizur plot 30 herë në drejtim të Greqisë. Përgjigjia ka konfirmuar se lëvizjet e Çollakut kanë qënë dhe në drejtim të Turqisë, Maqedonisë, Italisë, Malit të Zi, Kosovës deri në Gjermani. Por ajo që u bëri më tepër përshtypje hetuesve të njësisë Task-Forcë, ka qënë intesiteti i madh i lëvizjeve të Çollakut në drejtim të Greqisë. – See more at: http://www.shqiptarja.com/home/1/parat–e-vjedhura-nga-thesari-dyshohet-se-jan—uar-n–greqi-232802.html#sthash.GGiK1im8.dpuf
-Ish-drejtori i Departamentit të Emisionit në Thesarin e Shtetit, Dorian Çollaku rrezikon deri në 7 vjet burg për shpërdorim detyre. 34-vjeçari u la në burg si bashkëpërgjegjës në skandalin e vjedhjes së 713 milionë lekëve në Bankën e Shqipërisë. Sipas prokurorisë, Çollaku është përgjegjës për mosnxjerrjen e shumë akteve që do të rregullonin funksionimin e departamentit që ai drejtonte. Duke qenë se “ka rrezik ikje”, gjykata vlerësoi ta linte atë në “arrest me burg”. “GSH” po boton sot dosjen e plotë të prokurorisë që la në qeli Çollakun.
DOSJA E PLOTE
Në datë 21.07.2014, prokuroria pranë gjykatës së shkallës së parë Tiranë, ka regjistruar procedimin penal nr.5454 për veprat penale të parashikuar nga neni 135 e 248 K.Penal, në ngarkim të punonjësve të Bankës së Shqipërisë Ardian Bitraj dhe Mimoza Bruzia.
Në datë 05.08.2014 është regjistruar emri i personit nën hetim, Dorian Çollaku, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 K.Penal.
Nga aktet provohet se me vendimin nr. 67 datë 14.09.2011 të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, është emëruar shtetasi Dorian Çollaku në detyrën e Drejtorit të Departamentit të Emisionit të Bankës së Shqipërisë.
Nga hetimet e zhvilluara deri në këtë fazë të hetimit është konkluduar se: Shtetasi nën hetim, Ardian Bitraj ka qenë i punësuar pranë Bankës së Shqipërisë, në detyrën e përgjegjësit të “arkës stok” dhe asaj “për veprim” që gjenden pranë Departamentit të Emisionit. Gjatë ushtrimit të detyrës së tij, ky shtetas ka përvetësuar shuma të mëdha parash, veprime të cilat sipas deklarimit të tij, i ka filluar qysh prej vitit 2010 e deri në ditën kur është depozituar kallëzimi penal. Personi nën hetim, Ardian Bitri ka qenë i ngarkuar me administrimin e vlerave monetare që disponoheshin pranë “arkës stok” dhe asaj “për veprim”, gjithashtu ka përvetësuar vlera monetare edhe prej “arkës stok” në kartëmonedha të dëmtuara, të cilat sipas urdhrit të administratorit përkatës së Bankës së Shqipërisë duhet të asgjësoheshin.
Në lidhje me faktin është pyetur si deklarues e në vijim si person nën hetim shtetasi Ardian Bitraj, i cili ka pranuar faktin penal, pra se ka vjedhur shuma parash në vendin ku ishte përgjegjës për ruajtjen dhe administrimin e tyre, si dhe ka shpjeguar në detaje mekanizmin e vjedhjes.
Nga procesverbali i kqyerjes së vendeve, i datës 22.07.2013, konkludohet se rrethanat dhe mekanizmi i shpjeguar nga personi nën hetim, Ardian Bitraj, përputhet plotësisht nga konstatimet e bëra në këqyrje. Po kështu me procesverbalin e sekuestrimit të datës 22.07.2014 janë sekuestruar gjurmë që kanë lidhje me veprën penale.
Nga deklarimet e shtetases nën hetim, Mimoza Burzia pranohet fakti se ka pasur dijeni se shtetasi Ardian Bitraj vidhte shuma parash në arkën për veprim, por nuk e kallëzuar këtë fakt.
Rezulton e provuar se Departamenti i Emisionit është zhvendosur në repartin “X” Linzë në janar 2013, në përbërje të të cilit funksionojnë krahas të tjerave edhe të ngarkuarit me vlera në arkën për veprim dhe në arkën stok. Në këtë departament është shtuar dhe dhoma tranzit që organizmin e vjetër quhej “Rondo”. Por pavarësisht se kanë vazhduar funksionimin si arka për veprim, arka stok dhe ‘dhoma tranzit’, organizimi i punës në këto tri arka nuk është shoqëruar me miratimin e akteve nënligjore, si udhëzime apo rregullore, por ka vazhduar me rregulloret e vjetra e konkretisht me vendimin e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë nr.04 datë 16.01.2012 “Për organizimin dhe funksionimin e Departamentit të Emisionit” si dhe udhëzimit nr.1798 datë 06.11.2001 “Mbi përdorimin e çelësave të arkave me vlera monetare”.
Siç konstatohet, këto akte nënligjore nuk e kanë rregulluar funksionimin e Departamentit të Emisionit, e si rezultat i mungesës së këtyre akteve është mundësuar dhe kryerja e veprimeve kriminale, vjedhjes së shumave të mëdha në Bankën e Shqipërisë.
Urdhëri nr.1798 datë 06.11.2001 i Bankës së Shqipërisë, mbi bazën e të cilit ka funksionuar Departamenti i Emisionit deri në datë 28.03.2014 (dalja e udhëzimit nr. 741), flet për çelësa “dublikatë” dhe jo për çelësa “aktivë”. Siç shihet, ky udhëzim nuk rregullon asnjë procedurë mbi përdorimin dhe administrimin e çelësave aktivë dhe kodeve të kombinatorëve numerikë”.
Për sa më sipër provohet se Departamenti i Emisionit nga data 01.01.2013 deri në datë 28.03.2014 ka funksionuar pa udhëzime e rregullore konkrete.
Bazuar në vendimin e Këshillit Mbikëqyrës nr.13 datë 22.02.2006 “Për miratimin e rregullores për nxjerrjen e akteve juridike” në nenin 5 të tij parashikon përgjegjësinë e Departamentit të Emisionit për hartimin e projekt-rregulloreve dhe projekt-udhëzimeve për funksionimin e këtij departamenti.
Mbi bazën e këtij vendimi, personi nën hetim, Dorian Çollaku duhej të përgatiste aktet nënligjore të funksionimit të arkave me vlera monetare pranë këtij departamenti.
Në datë 28.03.2014 nga ana e Këshillit Mbikëqyrës, mbi propozimin e Departamentit të Emisionit është miratuar rregullorja nr.741 “Mbi administrimin dhe përdorimin e çelësave dhe kodeve numerike të dyerve në Bankën e Shqipërisë.
Ky udhëzim, konkretisht neni 5, pika 2 ndër të tjera përcakton se: “Përdorimi dhe administrimi i çelësave aktivë dhe kodeve të kombinatorëve numerikë, çelësat e dhomës së tranzitimit, përdoren dhe administrohen nga të ngarkuarit me vlera në Departamentin e Emisionit”.
Më tej në pikën 3, gërma “c” përcaktohet se: “Çelësat e dhomës së tranzitimit, të mbyllur në pliko të veçantë, depozitohen dhe ruhen në kasafortë në arkën për veprim. Treshja e arkës për veprim vendos plikon në kasafortë brenda mjediseve të dhomës kasafortë të arkës për veprim dhe çelësat e kësaj kasaforte vendosen në modulin e menaxhimit të çelësave”.
Nga këqyrja e arkës për veprim datë 04.08.2014, rezulton se në këtë ambient nuk gjendet kasafortë apo objekt për vendosjen e plikos së çelësave të arkës trazit dhe stok.
Mosmarrja e masave për krijimin e kushteve në zbatim të udhëzimit nr. 741 datë 28.03.2014 ngarkon me përgjegjësi direkte drejtorin e Departamentit të Emisionit, personin nën hetim, Dorian Çollaku.
Referuar pamjeve filmike, procesverbalit të kqyerjes së tyre si dhe deklarimeve të shtetasit Ardian Bitraj në cilësinë e përgjegjësit të arkës stok, deklarimeve të shtetasit Petrit Ramohitaj në cilësinë e përgjegjësit të arkës për veprim, ka rezultuar se kjo procedurë nuk është zbatuar dhe kjo ka sjellë për pasojë që shtetasi Ardian Bitraj të përfitojë nga kjo situatë dhe të përvetësojë shuma të mëdha parash.
Shtetasi Dorian Çollaku në cilësinë e Drejtorit të Departamentit të Emisionit në Bankën e Shqipërisë, i ushtron funksionet dhe detyrat e tij në mbështetje të rregullores nr. 26 datë 27.03.2014 “Mbi organizmin dhe funksionimin e Departamentit të Emisionit” të miratuar nga Këshilli Mbikëqyrës.
Siç është provuar nga hetimi, si në arkën stok, ashtu dhe në arkën për veprim janë kryer vjedhje në vazhdimësi të shumave të mëdha monetare, vjedhje këto që kanë ardhur si rezultat i mosfunksionimit të organizimit të brendshëm të Departamentit të Emisionit që drejtohej nga shtetasi nën, hetim Dorian Çollaku. Nga hetimet e zhvilluara rezulton e provuar se si në arkën për veprim, ashtu dhe në mjediset e tjera të përcaktuara në udhëzimin nr.741 dt.28.03.2014, mungonte e gjithë infrastruktura për mirëfunksionimin e këtyre arkave, gjë e cila ka sjellë edhe pasojën e ardhur, vjedhjen nga të dyja arkat në fjalë shuma të mëdha monetare që kapin vlerën e mbi 700 milionë lekëve.
Shtetasi në hetim, Dorian Çollaku ka pasur për detyrë në bazë të rregullores “Mbi organizmin dhe funksionimin e Departamentit të Emisionit” miratuar me vendimi n nr.26 dt.27.03.2014 nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, të miratonte manualet e vendit të punës për çdo punonjës, si detyrimin që buron nga neni 25/3 e rregullores së sipërcituar.
Kjo, pasi me vendimin nr.26 dt.27.03.2014 është shfuqizuar vendimi i Këshillit Mbikëqyrës, nr.4 dt.16.01.2012 “Për miratimin e rregullores “Mbi organizimin dhe funksionimin e Departamentit të Emisionit”, i ndryshuar dhe për rrjedhojë edhe manualet e vendit të punës së punonjësve të këtij departamenti, manuale të cilat nuk janë hartuar dhe miratuar nga personi nën hetim, Dorian Çollaku.
Për sa më sipër ka të dhëna të mjaftueshme të bazuara në prova se shtetasi Dorian Çollaku është autori i veprës penale të “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 K.Penal.
Në këto kushte duke qenë së ka rrezik ikje, pasi shtetasi i dyshuar akuzohet për një krim që ka një marzh dënimi gjer në shtatë vite burgim, është e domosdoshme ndalimi i këtij shtetasi.
Për këto arsye:
KËRKOJ:
1. Caktimin e masës “arrest me burg”.
MASA E SIGURISE
Gjykata e Tiranës, pasi ka dëgjuar versionin e të gjitha palëve, ka vendosur që të lërë në burg Çollakun, i akuzuar për shpërdorim detyre.