Home Aktualitet Speciale: 150 orët e dramës shkodrane

Speciale: 150 orët e dramës shkodrane

641
0

Një fatkeqësi sa natyrore aq edhe gabim njerëzor, në prag festash, u ka rënë për pjesë qytetarëve shkodranë. Prej gjashtë ditësh, Shkodra dhe komunat për rreth kanë përjetuar 150 orë tmerri nën ujë, ku gjithçka që kishin ndërtuar me mund, iu shemb brenda pak orësh si kala rëre. Shirat e shumtë kanë bërë që përmbytjet të tregohen të pamëshirshme me shkodranët, duke u futur në shtëpitë e tyre për t’i prishur të gjitha të mirat materiale dhe duke “dëbuar” nga shtëpitë rreth 12 mijë banorë.
6 ditë përmbytje
Janë gjashtë ditë përmbytje. Gjashtë ditë tmerri, që shkodranët, i kishin provuar vetëm pak muaj më parë, por jo në këtë masë. Ashtu si në janar, përmbytjet vizituan Shkodrën edhe këtë fundvit duke i lënë banorët e saj pa shtëpi, dhe të strehuar në dhoma konviktesh. Gjithçka nisi më datë 1 dhjetor ku reshjet përmbytën si fillim fshatin Obot, i cili është epiqendra sa herë që në Shkodër ka përmbytje. Ditën e patë, të paktën 150 shtëpi janë rrethuar nga uji, ndërsa 20 banesa janë mbushur me ujë. Ndërsa në ditën e dytë të përmbytjeve, shifrat janë rritur në mënyrë të menjëhershme. Shtabi i Emergjencave ka njoftuar për 10 mijë ha tokë të përmbytura, 1544 shtëpi të rrethuara nga uji, 744 shtëpi të përmbytura, 317 familje të evakuuara, 8440 gjë e gjallë e evakuuar. Duket se shirat dhe daljet e lumenjve nga shtrati e kanë rënduar së tepërmi situatën. Ditën e tretë të përmbytjeve, janë regjistruar 12. 800 hektarë tokë nën ujë, 3000 shtëpi të përmbytura dhe 6000 shtëpi të tjera të rrethuara nga uji. Janë evakuuar 7944 persona dhe uji ka depërtuar brenda në lagjet e Shkodrës. Gjithashtu nën ujë janë gjendur disa shkolla, ku është është pezulluar mësimi. Ndërkohë Ministria e Transporteve ka informuar se pjesa më e madhe e akseve rrugore në Shqipëri kanë qenë të pakalueshme. Në ditën e katërt të katastrofës shkodrane, sipërfaqja e tokës së përmbytur rezulton 13 950 ha. Të rrethuara nga uji janë gjendur 4597 shtëpi, ndërkohë janë të përmbytura 2561 shtëpi. Nga zonat e përmbytura janë evakuuar 2623 familje me 11023 persona. Pas ndalimit të reshjeve të shiut, në ditën e pestë mbi 14. 130 mijë hektarë tokë janë regjistruar nën ujë, bashkë me 2580 shtëpi, ndërsa 4610 të tjera janë të rrethuara nga uji. Këto janë të dhënat e Shtabit të Emergjencës mbrëmjen e 5 Dhjetorit, ndërsa u deklarua se ndalimi i reshjeve ka bërë që të bien ndjeshëm prurjet anësore në kaskadën e Drinit e për pasojë janë ulur edhe shkarkimet në hidrocentrale.

14. 130 hektarë
tokë është totali i përmbytjeve pesë ditore në qytetin e Shkodrës dhe rrethinat e saj.

2580 shtëpi
regjistrohen nën ujë si pasojë e përmbytjeve prej disa ditësh në qarkun e Shkodrës.

4610 shtëpi
gjenden të rrethuara nga uji, ku katet e para të tyre janë jo funksionale.

11023 banorë
kanë braktisur shtëpitë e tyre dhe janë strehuar nëpër konvikte e hotele në Shkodër.

Dita e parë, 1 Dhjetor

Të paktën 150 shtëpi janë rrethuar nga uji, ndërsa 20 banesa janë mbushur me ujë. Mësohet se në këtë fshat kanë qenë forcat RENEA, forcat e policisë së shtetit dhe forcat e policisë kufitare, të cilat u kanë ardhur në ndihmë banorëve. Edhe në fillim të këtij viti, Oboti ishte ndër të parët që u përmbyt, ndërsa këtë herë fshati është mbuluar nga uji për shkak të fryrjes që ka pësuar liqeni i Shkodrës. Forcat RENEA, të Policisë së Shtetit dhe ato kufitare kanë arritur të evakuojnë nga ky fshat problematik rreth 80 banorë dhe rreth 20 krerë bagëti. Evakuimet e banorëve kanë vazhduar përmes Urës së Sagjicës që del më pas tek ura e Bunës. Situatë e rënduar ka qenë edhe në lagjen “Xhabie” në Shkodër, ndërsa qarkullimi i mjeteve në këtë zonë, që shërben si dalje nga qendra e qytetit, është bërë problematik. Uji ka depërtuar mbi trotuar, madje, në disa segmente të rrugës, edhe brenda disa dyqaneve dhe lokaleve. Fryrja e liqenit ka bërë që kanalet kulluese të mbingopen me sasitë e mëdha të ujit dhe nuk kanë qenë në gjendje të shkarkojnë. Për të kaluar këtë gjendje qeveria ka akorduar një fond prej 500 milion lekësh. Ndërkohë qeveria vendosi “shpalljen e gjendjes së emergjencës civile.

Dita e dytë, 2 Dhjetor

Dhjetë mijë hektarë tokë në Shkodër u gjendën nën ujë, ndërkohë që situata ka qenë tejet e rënduar. Lumenjtë Buna dhe Drin kanë dalë nga shtrati dhe kanë vërshuar në qytet. Në lagjen “Xhabie”, uji ka vërshuar rreth 500 metra brenda qytetit. Nën ujë ka qenë e gjithë zona nga lagja “Xhabie” në hyrje të Shkodrës deri tek Harku i Bërdicës pjesë e aksit nacional Shkodër- Tiranë. Është izoluar edhe Shiroka, Zogaj dhe rruga drejt Muriqanit. Shtabi i Emergjencave njofton për 10 mijë ha tokë të përmbytura, 1544 shtëpi të rrethuara nga uji, 744 shtëpi të përmbytura, 317 familje të evakuuara, 8440 gjë e gjallë e evakuuar. Shifrat rikthejnë situatën e përmbytjeve të janarit. Gjatë natës së dy Dhjetorit shumë banorë janë larguar me shpejtësi nga zona për t’i shpëtuar ujërave. Me qindra banesa në katet e para janë gjendur nën ujë ndërsa kanë dalë jashtë funksionit kabinat elektrike. Lagje të tëra në Shkodër të cilat kanë pasur prezencë uji kanë qenë të bllokuara. E njëjta situatë ka qenë edhe në lagjet “Livade”, “Ajasëm”, “Bahcallëk”, “Tophanë” dhe në rrugën “Pedonale”. Ura e Bunës që lidh qytetin me Shirokën dhe Zogajn ka qenë tërësisht e mbuluar nga uji, lartësia e të cilit ka arritur ne mbi një metër duke lënë të izoluar këto dy fshatra. Në të gjitha zonat e përmbytura banorët kanë vuajtur edhe mungesën e energjisë elektrike.

Dita e tretë, 3 Dhjetor

Qytetarët e Shkodrës janë “përulur” përpara përmbytjeve, pasi kanë braktisur shtëpitë e tyre, duke mos parë rrugëzgjidhje tjetër për menaxhimin e situatës. Bilanci në ditën e tretë të përmbytjeve ka qenë tejet tragjik. Janë regjistruar 12. 800 hektarë tokë nën ujë, 3000 shtëpi të përmbytura dhe 6000 shtëpi të tjera të rrethuara nga uji. Janë evakuuar 7944 persona. Uji ka depërtuar brenda në lagjet e Shkodrës. Gjithashtu nën ujë janë gjendur disa shkolla, ku është është pezulluar mësimi. Ndërkohë Ministria e Transporteve informoi se pjesa më e madhe e akseve rrugore në Shqipëri kanë qenë të pakalueshme. Vetëm gjatë natës është zgjeruar me 500 ha sipërfaqja e përmbytur. Në lagjen “Xhabie”, në hyrje të Shkodrës është rritur niveli i ujit. Uji ka vërshuar në brendësi të qytetit në një gjatësi deri në 1 km. Në lagjet “Xhabie”, Livadhe, e vetmja mundësi për të lëvizur ka qenë me varka pasi niveli i ujit ka arritur deri në 1. 5 metra. Në ditën e tretë të përmbytjeve regjistrohen 13 njësi vendore të përmbytura, përkatësisht Bashkia e Shkodrës, komuna Dajç, Ana e Malkit, Bërdicë, Guri i Zi, Bushat, Rrethina, Velipoja, komuna Qendër, Malësi e madhe, Hajmel, Kastrat, Gruemirë dhe komuna Shkrel.

Dita e katërt, 4 Dhjetor

Mijëra banorë kanë braktisur shtëpitë e tyre në Shkodër, ndërsa rreth 14 mijë hektarë tokë janë fundosur nën ujë. Ky është bilanci i arritur në ditën e katërt të përmbytjeve në qarkun e Shkodrës, ku uji ka arritur mbi një metër dhe ka shkaktuar dëme të pariparueshme materiale. Situata jo vetëm që nuk ka parë dritën e përmirësimi, por është rrezikuar maksimalisht çarja e argjinaturës së Torovicës, e cila automatikisht do të fundoste edhe qytetin e Lezhës duke sjellë dëme të pallogaritshme.
Ministria e Brendshme njoftoi për situatën më të fundit të krijuar nga përmbytjet. Duke u nisur nga të dhënat e grumbulluara në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, mbi situatën e krijuar nga reshjet, më 4 Dhjetor, sipërfaqja e tokës së përmbytur rezulton 13 950 ha. Të rrethuara nga uji gjenden 4597 shtëpi, ndërkohë janë të përmbytura 2561 shtëpi. Nga zonat e përmbytura janë evakuuar 2623 familje me 11023 persona.
Efektivat e Policisë së Shtetit dhe të Forcave të Armatosura që kanë vepruar në terren, krahas evakuimit të banorëve, kanë kryer edhe furnizimin me ushqim, ujë të pijshëm e veshmbathje të banorëve të evakuuar, e po kështu janë angazhuar për përforcimin e argjinaturave.

Dita e pestë, 5 Dhjetor

Mbi 14 mijë hektarë janë regjistruar nën ujë, bashkë me 2580 shtëpi, ndërsa 4610 të tjera janë të rrethuara nga uji. Këto janë të dhënat e Shtabit të Emergjencës mbrëmjen e 5 Dhjetorit, ndërsa u deklarua se ndalimi i reshjeve ka bërë që të bien ndjeshëm prurjet anësore në kaskadën e Drinit e për pasojë janë ulur edhe shkarkimet në hidrocentrale. Kjo ka bërë që niveli i ujit të pësojë një rënie të papërfillshme në raport me të përgjithshmen, rreth 20 centimetër. Gjithsesi kjo rënie i ka bërë më optimistë njerëzit që banojnë në zonat e izoluara, kryesisht në qytetin e Shkodrës, që të marrin pak frymë e të lëvizin për të furnizuar shtëpitë e tyre me ushqime. Përmirësimi i përkohshëm i motit i ka mobilizuar përfaqësuesit e strukturave t shtetit për ta shfrytëzuar në maksimum, në mënyrë që të ndërhyhet në zonat e përmbytura për të evakuuar njerëz, për të organizuar furnizime me ushqime, medikamente etj. Por, megjithë diellin pas 1 jave shi, gjendja ka qenë tepër e rënduar në lagjet Shirokë dhe Zogaj apo dhe në komunat Dajç, Ana e Malit, Velipojë, Gur i Zi, ku niveli i ujit ka arritur mbi 3 metër, duke e bërë të pamundur qarkullimin e mjeteve të transportit, qofshin edhe kamionët e lartë të ushtrisë.

Dita e gjashtë, 6 Dhjetor

Megjithëse shiu ka pushuar, në ditën e gjashtë, në Shkodër vazhdon të mbetet gjendja e jashtëzakonshme e krijuar nga përmbytjet. Ndonëse moti është përmirësuar, ende nuk mund të flitet për përmirësim të situatës. Në gjashtë lagje të Shkodrës situata prej ditësh mbetet e njëjtë. Janë kryesisht lagjet periferike që kufizohen me Liqenin e Shkodrës dhe lumenjtë e Drinit, Bunës e Kirit. Për banorët nuk bëhet fjalë të lëvizësh, me këmbë, apo me mjete të vogla për të kaluar nga një banesë në tjetrën, apo për të lëvizur në rrugë. I vetmi mjet mbetet varka. Niveli i ujit nëpër lagje ka mbetur i njëjtë. Problematike paraqitet gjendja sidomos në lagjen hyrëse të qytetit, atë “Xhabiaj”, ku uji, përveç se ka mbuluar asfaltin dhe trotuaret, ka depërtuar edhe në brendësi të dyqaneve në anë të rrugës kryesore. Qarkullimi në këtë aks rrugor vazhdon të bëhet vetëm me mjete lundruese, të cilat çdo ditë e më shumë shtohen në këtë zonë. Të bllokuara tërësisht nga rritja e nivelit të ujit janë edhe dy pikat turistike në breg të liqenit të Shkodrës, ajo e Shirokës dhe e Zogajve, ku uji tashmë ka depërtuar në të gjitha lokalet e shërbimit përgjatë rrugës Shkodër-Shirokë. Ndërkohë, në të njëjtën situatë gjenden edhe disa prej banesave private rrëzë malit të Taraboshit.

Ende nuk parashikohet fond për dëmshpërblimin e banorëve

Qeveria, 3 miliard lekë për përballimin e situatës në Shkodër

Qeveria ka miratuar dje një shumë prej 300 milion lekësh të reja, të cilat do të shkojnë për përballimin e situatës emergjente që është shkaktuar nga përmbytjet në Shkodër. Pas një fondi prej 50 milion lekësh të reja që u miratua pak ditë më parë, qeveria merr masat për përballimin e kësaj katastrofe. Ndërkohë që në këtë fond nuk është parashikuar asnjë dëmshpërblim për banorët e përmbytur.
Vendimi
Qeveria ka miratuar dhe botuar menjëherë në Fletoren Zyrtare vendimin për dhënien e një fondi prej 3 miliard lekësh për përballimin e situatës në qarkun e Shkodrës. Sipas vendimit, “në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.10 190, datë 26.11.2009 “Për buxhetin e vitit 2010”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë” dhe të ligjit nr.8756, datë 26.3.2001 “Për emergjencat civile”, me propozimin e Ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave vendosi: 1. Miratimin e një fondi, deri në kufirin prej 300 000 000 (treqind milionë) lekësh, për t’u përdorur nga Ministria e Brendshme, në programin buxhetor “Emergjenca civile”, për përballimin e situatës emergjente, të krijuar nga përmbytjet natyrore. Ky fond klasifikohet si shpenzim nga të ardhurat jashtë limitit (kapitulli 6). 2. Fondi prej 300 000 000 (treqind milionë) lekësh mbulohet nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) dhe kalimi i tij, për llogari të Ministrisë së Brendshme, bëhet në bazë të shpenzimeve faktike, të kryera për përballimin e kësaj situate. 3. Njësitë vendore të qarkut të Shkodrës, në situatë emergjente, dhe objekti i përdorimit të këtij fondi, të përcaktohen nga Komiteti Ndërministror i Emergjencës Civile. 4. Kriteret dhe procedurat e përdorimit të këtij fondi të përcaktohen me një udhëzim të përbashkët të Ministrit të Financave dhe të Ministrit të Brendshëm. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare”.
Ndihmat
Efektivat e Policisë së Shtetit dhe të Forcave të Armatosura që kanë vepruar në terren në ndihmë të banorëve të përmbytur të Shkodrës, krahas evakuimit të banorëve, kanë kryer edhe furnizimin me ushqim, ujë të pijshëm e veshmbathje të banorëve të evakuuar. Po ashtu, helikopterët të mbushur me ushqime e veshmbathje u janë gjendur pranë banorëve në nevojë.

Qyteti verior ka kaluar një tjetër ditë nën mbretërinë e ujit

Shkodër, përmirësohet moti, gjendja ende kritike

Kushtet atmosferike në Shkodër janë përmirësuar sërish gjatë ditës së djeshme. Por, kjo nuk mund të thuhet për situatën në zonat e përmbytura, pasi uji vijon të jetë i pranishëm, edhe pse nuk ka shënuar rritje të nivelit. Informacione nga Shtabi i Emergjencave pranë Komitetit Ndërministror, që ndjek nga afër situatën, bënë të ditur se disa lagje vazhdojnë të jenë të përmbytura dhe në to mund të hyhet vetëm me mjete lundruese. E njëjta situatë është dhe në komunat Ana e Malit, Velipojë e Dajç.
Raportimi
Ende mijëra hektarë tokë dhe mijëra banesa janë në ujë, ndërsa në lagjet e Shkodrës makinat e dikurshme kanë dalë jashtë “funksioni” pasi vendin e tyre e kanë zënë varkat. Mijëra banorë presin ndihma nga shteti për t’u ushqyer dhe për t’u furnizuar me ujë të pijshëm. Ndërkohë, mungesa e energjisë elektrike në shumë zona është një problem tjetër. Zëdhënësi i Komitetit Ndërministror, Leonard Olli, tha se “po vijojnë operacionet në terren nga toka dhe ajri për t’iu ardhur në ndihmë banorëve të rrezikuar. Edhe argjinaturat e rrezikuara janë përforcuar, ndërkohë që popullatës i janë siguruar uji i pijshëm, ushqimet, ndihma shëndetësore dhe energjia elektrike, duke përjashtuar rastet kur kabinat janë të përmbytura dhe përbëjnë rrezik për jetën e njerëzve”. Sipas Shtabit të Emergjencave “vazhdon dhe ndihma me mjete teknike dhe ajo humanitare dhe nga jashtë vendit”. Vëmendja e autoriteteve është përqendruar dhe tek disiplinimi i shkarkimeve nga kaskada e Drinit.
Përmbytjet
Nga të dhënat e Shtabit të Emergjencave civile në Shkodër mësohet se janë afro 12 mijë persona të evakuuar nga 2800 familje. Të përmbytura janë 2600 banesa, ndërkohë që 4600 të tjera janë të rrethuara nga ujërat. Sipërfaqja e përmbytur arrin në 14 mijë ha tokë. Për një përmirësim të situatës ka njoftuar dhe prefektura e Lezhës, një rajon më pak i prekur nga përmbytjet. Banorët e Fushë Krujës, një tjetër rajon i përmbytur, kanë paralajmëruar protesta për të kërkuar dëmshpërblimet nga përmbytjet e shkaktuara katër ditë më parë. Ditët në vijim nuk janë dhe aq shpresëdhënëse për zonat e përmbytura. Në zonat e Shkodrës reshjet e shiut do të bien me intensitet të enjten, kurse të premten do të ketë mot me diell, por të acartë. Maksimalja e temperaturave do të shënohet vetëm 5 Gradë Celsius në këtë qytet, kurse minimalja 1 Gradë Celsius.
Shqipëria drejt rrëshqitjes
Specialistët e tokës mendojnë se erozioni në të gjithë vendin këtë vit është 25 % më i lartë se mesatarja e dhjetë viteve të fundit. Reshjet e shiut, por edhe prerja e pyjeve dhe e kullotave kane ndikuar në rritjen e gërryerjes së tokës dhe të lumenjve në vend. Apeli i shumë inxhinierëve dhe profesorëve, në këto ditë të vështira për mijëra qytetarë në veri dhe jug të vendit është ngritja e një njësie specialistësh të cilët të hartojnë një plan masash për kalimin e kësaj situate emergjente.

KESH deklaron se situata ka filluar të përmirësohet

HEC-et,bien prurjet dhe shkarkimet

Ndalimi i reshjeve ka shkaktuar edhe rënien e nivelit të prurjeve të ujit në hidrocentralet e kaskadës së Drinit dhe për këtë arsye janë ulur edhe shkarkimet nga portat e tyre. Korporata Elektroenergjetike Shqiptare KESH ka njoftuar paraditen e së hënës se ka një rritje me rreth 20 centimetra në liqenin e hidrocentralit të Fierzës i cili tani është ngjitur në kuotën e 291,59 metrave, në një kohë që kuota maksimale e tij është 296 m. Por ajo që bie në sy është një reduktim i ndjeshëm i prurjeve në Fierzë që sipas KESH aktualisht janë 900 metër kub në sekondë apo rreth 500 metër kub me pak se një ditë më parë. Por sasia e shkarkimeve është mbajtur në të njëjtat nivele me rreth 1000 metër kub në sekondë, me synim që të ulet kuota e liqenit. Në hidrocentralin e Komanit situata është në përmirësim. Niveli i liqenit me shkarkimet që shkojnë deri në 1400 metër kub në sekondë është ulur me rreth 50 centimetra dhe ka rënë në kuotën 169. 5 metra në një kohë që maksimumi i liqenit është kuota 175 metra. Së bashku me shkarkimet e Fierzës prurjet në Koman janë 1350 metër kub në sekondë. Më e rënduar është situata e hidrocentralit të Vaut të Dejës, pavarësisht se edhe këtu parametrat janë në përmirësim. Kuota e liqenit është 73.8 në një kohë që maksimumi i lejuar është 76 metra. Por KESH raporton se në këtë hidrocentral ka një rënie të prurjeve më rreth 200 metër kub në sekondë. Ata janë regjistruar paraditen e të hënës 1800 metër kub në sekondë ndërkohë që shkarkimet janë rreth 1500 metër kub në sekondë apo 500 metër kub me pak se një ditë më parë. Situata e hidrocentraleve po monitorohet pandërprerë.

Meta: Çdo gjë për të ndihmuar banorët
Zëvendëskryeministri dhe njëherësh ministri i Ekonomisë, Ilir Meta, ka inspektuar dje situatën nga përmbytjet në Trush të Shkodrës. I shoqëruar edhe nga ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, numri dy i qeverisë theksoi se do të bëhet çdo gjë për të ndihmuar banorët si për t`u evakuuar ashtu edhe për ushqime. “Këtë situatë do e kalojmë së bashku vijoi Meta dhe shprehu besimin se me punën që është bërë dhe po bëhet, me angazhimin dhe përkushtimin e të gjithë autoriteteve, një gjë e tillë do të arrihet”. Meta prej ditësh është instaluar në Shkodër duke qenë dhe shefi i Shtabit të Emergjencave Civile në këtë qytet për të përballuar me sukses situatën e rëndë të krijuar për shkak të përmbytjeve.

Vasili: Nuk ka vend për panik epidemie
Pavarësisht katastrofës më të madhe të ndodhur ndonjëherë gjatë gjithë këtyre viteve të fundit, situata shëndetësore në qytetin e Shkodrës është nën kontroll. Këtë siguri e dha dje ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, i cili tha se mjekët po shërbejnë deri në terrenet më të vështira, ndërkohë që aktualisht në asnjë zonë të përmbytur nuk janë konstatuar raste epidemie. Sipas tij, situata në Shkodër po shkon drejt përmirësimit, por edhe në rast se do të jetë e nevojshme, do të shkojnë për të dhënë ndihmën e tyre në fshatrat e përmbytura edhe mjekë nga Tirana, Durrësi dhe Elbasani. Deklaratat e ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili u bënë pas një takimi me specialistë të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, ku u diskutua për përforcimet shëndetësore në qytetin e Shkodrës.

Kryeministri e cilëson të suksesshëm operacionin e shpëtimit

Berisha: Evakuimet, jo afatshkurtra

Kryeministri Berisha ia ka kushtuar të gjithë mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD, situatës së rëndë të krijuar nga përmbytjet ditët e fundit. Kreu i qeverisë premtoi se qeveria do të bëjë çdo gjë për të zvogëluar pasojat e përmbytjeve që kanë përfshirë disa qarqe të vendit, si pasojë e reshjeve të shumta, duke informuar mbi masat që janë marrë për të menaxhuar situatën në zonat e përmbytura, kryeministri Berisha theksoi se për shkak të situatës që paraqitet në terren “evakuimi i banorëve mund të mos jetë afatshkurtër”.
Përmbytjet
Kreu i qeverisë tha dje  se”Këto janë përmbytjet ndër më të mëdhatë në historinë e viteve të fundit, ndërsa janë zhvilluar operacione ndihme dhe shpëtimi tepër komplekse, sidomos në zonën e Shkodrës dhe Nënshkodrës. Përparësia jonë absolute ka qenë shpëtimi i jetës së njerëzve në zonat e rrezikuara. Kemi bërë të pamundurën që pasojat e këtyre vërshimeve të trajtohen sa më shpejt. Në qytetin e Shkodrës janë dhjetëra mijëra shtëpi dhe lokale të përmbytura. Përmbytjet kanë detyruar shpërnguljen e mbi 12 mijë banorëve nga shtëpitë e tyre, ndërkohë që shumë të tjerë kanë mbetur të izoluar. Kërcënim madhor ka qenë diga e Torovicës, ku po punohet për të parandaluar një vërshim me pasoja katastrofale në këtë luginë. Janë mbrojtur stacionet e pompimit dhe depot e ujësjellësve për qytetin e Shkodrës dhe të Durrësit. Janë furnizuar banorët pa ndërprerje me ushqime, si dhe është garantuar ndihmë shëndetësore”. Kryeministri lajmëroi se krahas ndërhyrjeve imediate, qeveria ka gati projektet për të nisur ndërhyrjet afatgjata që padyshim janë ndoshta ndërhyrjet më të kushtueshme.
Evakuimi
“Do të punohet me vendosmëri drejt atyre ndërhyrjeve që bëjnë të mundur zvogëlimin e përmasave të përmbytjeve”, tha Berisha, duke pranuar se pavarësisht kushteve të përmirësuara të motit situata paraqitet e vështirë, mund të ketë një evakuim joafatshkurtër.”Përmbytje ka pasur edhe në qarqe të tjera të vendit, ndërkohë që në shumë akse rrugore ka pasur rrëshqitje dherash. Shkalla e mobilizimit ka qenë e plotë dhe totale, ndërsa u shpall gjendja e emergjencës civile në tre qarqe, Shkodër, Lezhë dhe Durrës”, tha Berisha. Ndërkohë, kryeministri Berisha bëri të ditur, se festimet për 8 Dhjetorin do të shtyhen, ndërsa kërkoi shtyrjen e seancës parlamentare të së enjtes.

Shtabi do të koordinojë për çdo veprim operacional të nevojshëm

Përmbytjet, LRI ngre Shtabin e Vullnetarëve

Nxitur nga situata në zonat e përmbytura, Lëvizja Rinore për Integrim mblodhi Kryesinë, për të vendosur se si mund të kontribuohet në këtë moment. Në përfundim të mbledhjes Kryesia ka dalë me dy vendime të rëndësishme, i pari ka të bëjë me ngritjen e Shtabit të Përgjithshëm të Vullnetarëve i cili do të drejtohet nga kryetari i LRI-së së Tiranës, Endrit Braimllari. Shtabi i Vullnetarëve do të jetë në funksion të Shtabit të Emergjencave dhe do të koordinojë për çdo veprim ooperacional që do të jetë i nevojshëm. “Ndërkohë që dega e LRI-së në Shkodër prej ditësh operon në terren, me një konfirmim të shkurtër e të shpejt deri tani nga degët tona në rrethe kanë konfirmuar pjesëmarrjen 112 të rinj”, është shprehur Ardit Çela, sekretar u marrëdhënieve me Publikun në LSI. Vendimi tjetër i LRI-së, ka të bëjë me fillimin e fushatës në mbarë vendin për sensibilizimin dhe ngritjen e fondeve për t’u ardhur në ndihmë familjeve në nevojë. LRI deklaroi se “nëse dikush mendon të bëjë politikë me fatkeqësitë e të përfitojë politikisht me to, kjo është diçka tepër e gabuar. Ne mendojmë se nuk është koha për politikë. Është koha për solidaritet njerëzor. Është koha për të qëndruar afër e për të ndihmuar njëri – tjetrin”.

Myslimanët shprehen të gatshëm për ndihma

Përmbytjet, Komuniteti Mysliman në ndihmë të banorëve

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka shprehur gatishmërinë institucionale në shenjë solidariteti e ndihme për banorët e dëmtuar nga përmbytjet e fundit në pjesën më të madhe të vendit e sidomos në zonën e Shkodrës. Në mbledhjen e saj të fundit, Kryesia e Komitetit Mysliman të Shqipërisë pasi ka analizuar gjendjen e krijuar ka dalë me disa vendime konkrete, si: shpallja e kësaj jave, java e lutjeve për familjet që gjenden të përmbytura dhe të gjitha myftinitë në vend të angazhohen për mbledhjen e kontributeve në vlera monetare, veshmbathje dhe produkte ushqimore në favor të të dëmtuarve.

Rama: Vendi po kthehet në moçal
Lideri i opozitës, Edi Rama, ka qenë në zonat e përmbytura në qytetin e Durrësit nga ku e vuri theksin tek ajo që e quajti papërgjegjshmëri që lejon përsëritjen e këtij fenomeni në mënyrë të vazhdueshme në të gjithë Shqipërinë. Sipas tij vendi është kthyer në një moçal gjithandej dhe për këtë është e nevojshme të bëhet një ndërhyrje radikale për të përmirësuar situatën. “Këtu Shqipëria është kthyer në moçal. Me mijëra në shtëpi në Shkodër, Vlorë, Fier, Durrës po përmbyten. Kjo gjendje nuk duhet të vazhdojë kështu dhe shteti duhet ta zgjidhë një orë e më parë”, tha Rama. Rama përsëriti se buxheti i vitit 2011 duhet të ndryshojë për t’ju përshtatur kësaj situate të rëndë të krijuar si dhe duhet të parashikojë sipas tij një operacion radikal për të ndalur moçalizimin e vendit. “Duhet të ndryshojmë 100 për qind buxhetin e shtetit për vitin 2011, me qëllim që paratë të futen në punë për të mbrojtur vendin nga shkatërrimi. Uji në Shqipëri është fatkeqësi, kur duhet të ishte pasuri”, tha Rama. Banorët e zonave të përmbytura në Durrës cilësuan si problem të madh të kësaj zone faktin se strukturat përkatëse shtetërore nuk kanë marrë asnjë investim për të përmirësuar rrjetin e kanalizimeve. Ndërkohë në kryeqytet të gjithë deputetët e PS-së nuk kanë marrë pjesë në asnjë nga komisionet kuvendore që janë zhvilluar në Kryesinë e Kuvendit, pasi siç konfirmohet nga selia rozë ata janë shpërndarë në zonat e tyre për shkak të situatës së vështirë të krijuar.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here