“Marrëdhënia jonë ka qenë gjithnjë e pasinqertë, sepse Rozana Radi më parë ka qenë e lidhur me bashkëshortin tim të tanishëm.Më pas ne kemi pasur një mosmarrëveshje në VIP Shpia”. Kjo është me pak fjalë dëshmia e dhënë nga këngëtarja Rezarta Shkurta në lidhje me përleshjen me kolegen Rozana Radi në dhjetor 2010 në Tiranë. Prokuroria e kryeqytetit ka dërguar në gjykatë dosjen penale ndaj Rezarta Shkurtës, me akuzën e plagosjes ndaj Rozana Radit. Më poshtë publikohet ngjarja sipas dosjes së dorëzuar në gjykatë nga Prokuroria e Tiranës.
Më datën 06.02.2010, rreth orës 03:00, e pandehura Rezarta Shkurta është konfliktuar me shtetasen Rozana Radi duke e goditur atë me grushte në pjesën e fytyrës. Si pasojë e këtyre goditjeve, shtetases Rozana Radi i janë shkaktuar dëmtime që klasifikohen në plagosje e lehtë. Nga akti i ekspertimit nr. 1337, datë 06.12.2010, rezulton se dëmtimet e shtetases Rozana Radi klasifikohen në kategorinë e plagosjes së lehtë. Nga verifikimet rezulton se Rezarta Shkurta disponon numrin e telefonit 069… dhe në datën 06.12.2010, ora 03:03, ka marrë në telefon Rozana Radin, e cila disponon numrin e telefonit 069…. Ky fakt tregon se ka qenë Rezarta, e cila i ka kërkuar takim Rozanës, takim i cili më pas ka përfunduar me konfrontimin fizik të Rezartës me Rozanën. Rozana Radi, në kallëzimin e saj deklaron se me shtetasen Rezarta Shkurta ka pasur një konflikt në emisionin “VIP Shpia” në Kosovë. Sipas kallëzueses, Rezarta Shkurta i ka çuar mesazhe fyese në Facebook. Më datë 05.12.2011, Rezarta i ka kërkuar takim Rozanës. Ato janë takuar afër Liqenit të Thatë në zonën e Kopshtit Zoologjik. Rozana ka qenë në makinë dhe në këtë moment Rezarta e ka qëlluar me grushte Rozanën, e cila kishte pak kohë që kishte bërë një ndërhyrje kirurgjikale në gjoks dhe po mbronte me duart e saj pjesën e trupit, në një kohë që kishte lënë të zbuluar pjesën e fytyrës, ku dhe ka marrë goditje me grushte nga Rezarta Shkurta. Deklarimi i Rozana Radit është i vërtetë, pasi nga akti i ekspertimit mjekoligjor me nr. 1337, datë 06.12.2010, rezulton se tek e dëmtuara Rozana Radi konstatohet hematomë përreth syrit të majtë, të shoqëruar me infiltrim hamorragjik të sklerës, një ekimoze. Pra, të gjitha këto dëmtime janë në pjesën e fytyrës. Në dosje thuhet se është pyetur shtetasja Rezarta Shkurta, e cila sqaron se ka pasur konflikt me shtetasen Rozana Radi dhe marrëdhëniet e tyre nuk kanë qenë të sinqerta, pasi Rozana ka qenë e lidhur para shumë kohësh me shtetasin Ermal Hoxha, bashkëshortin e Rezartës. Sipas Rezartës, ato kanë pasur konflikt edhe në një emision të zhvilluar nga një televizion në Kosovë. Në lidhje me ngjarjen, Rezarta shpjegon se nuk e ka sulmuar Rozanën dhe se ajo ka qenë në kushtet e vetëmbrojtjes, pasi është sulmuar nga Rozana. Rezarta mohon që ta ketë goditur në fytyrë Rozanën. Duke iu referuar provave dhe aktit të ekspertimit mjekoligjor, rezulton se Rozana Radi është dëmtuar në pjesën e fytyrës dhe Rezarta Shkurta vetë nuk ka pasur asnjë dëmtim. Ky fakt tregon se personi i dëmtuar në rastin konkret është shtetasja Rozana Radi. Duke kryer veprimet e mësipërme (goditur dhe plagosur lehtë shtetasen Rozana Radi), Rezarta Shkurta ka konsumuar tërësisht elementet e veprës penale të “plagosjes së lehtë me dashje” të parashikuar nga neni 89 i Kodit Penal.
Tete deshmitare ne gjyqin e kengetareve
Një numër prej tetë dëshmitarësh janë listuar në Gjykatën e Tiranës për të dhënë deklarime në procesin gjyqësor me akuzën e plagosjes ndaj Rezarta Shkurtës. Rozana Radi është dëshmitarja kallëzuese, ndërkohë që në listë ndodhet edhe këngëtarja Valbona Mema. Një tjetër dëshmitar i njohur është Sinan Hoxha, por dhe Andeta Radi. Sipas gjykatës, në cilësinë e dëshmitarit është thirrur edhe shtetasi Loren Radi, si dhe bashkëshorti i Rezarta Shkurtës, Ermal Hoxha. Prokuroria ka marrë në pyetje edhe shtetasit I. L. dhe G. B. Një tjetër provë e prokurorisë është edhe akt-ekspertimi mjekoligjor mbi dëmtimet e Rozana Radit.