Në Samitin e NATO-s në Bruksel kryeministri Edi Rama është takuar me homologun e tij grek, Aleksis Tsipras
Dy kryeministrat mbështetën mekanizimin e konsultimeve të ngritur nga dy ministrat e Jashtëm, Bushati dhe Kotzias, të cilët ishin të pranishëm në këtë takim, me qëllim gjetjen e zgjidhjeve për problematikat e trashëguara nga e kaluara si dhe për nxitjen e mëtejshme të këtyre marrëdhënieve.
Kryeministri Rama, duke shprehur bindjen se Greqia e ka mbështetur dhe do vijojë ta mbështesë Shqipërinë në rrugën e integrimit, theksoi nevojën e përparimit drejt gjetjes së zgjidhjeve për mosmarrëveshjet ekzistuese midis dy vendeve, në respekt të praktikave më të mira europiane dhe të së drejtës ndërkombëtare.
Ndërsa Kryeministri Tsipras shprehu mbështetjen e fortë të Greqisë ndaj reformave shtet-konsoliduese në Shqipëri si dhe rëndësinë që ai i kushton respektimit të të drejtave të pakicës greke në vendin tonë.