Home Ekonomi Qeveria kerkon borxh 25 milione euro nga bankat

Qeveria kerkon borxh 25 milione euro nga bankat

226
0

Qeveria do emetojë javën që vjen bonon në euro në tregun e brendshëm. E thënë ndryshe, Ministria e Financave kërkon që të financojë deficitin në euro. Bono do të jetë në dispozicion të bankave të nivelit të dytë. Ky është hapi i parë i Qeverisë, që pas zvarritjes me disa muaj, të shitjes së eurobondit 400 milionë euro në tregjet ndërkombëtare. E gjendur përballë kërkesës për euro dhe pamundësisë për të shitur eurobondin,

Ministria e Financave më në fund ka vendosur që këtë boshllëk ta mbushë duke tërhequr euro nga bankat e nivelit të dytë në Shqipëri. Sipas drejtorit të Borxhit, Xhentil Demiraj, “bono në euro pritet të ketë afat 9-mujor dhe një vlerë rreth 25 milionë euro”. Në pamje të parë duket se kërkesa e Qeverisë për të tërhequr euro nga bankat e nivelit të dytë, do të sjellë një rritje të kërkesës për euro dhe si rrjedhojë edhe vlerësimin e saj. Por drejtori i borxhit sqaron, se ministria ka disa muaj që po mbikëqyr të dhënat monetare të bankave dhe po vihet re se sasia e kredisë, në krahasim me atë të depozitave në euro, është shumë e vogël. Sipas përllogaritjeve, gjatë këtyre 5 muajve depozitat e reja në euro arrijnë në 250 milionë, ndërsa kreditë rreth 100 milionë. Kjo situatë, duket se ka vënë në “vështirësi” bankat e nivelit të dytë. Pasi, interesat e depozitave, nuk po përballohen nga sasia dhe interesat e kredive. Një lloj ngërçi ky, që duket se po kthehet në bumerang për bankat e nivelit të dytë, pasi janë ato që kanë rritur interesat e kredive në euro dhe aplikojnë një politikë shtrënguese për financimin e bizneseve dhe individëve.

Nga ana tjetër, ligji i lejon bankat e nivelit të dytë në Shqipëri që të investojnë jashtë vendit. Kështu, bankat marrin depozitat në euro të qytetarëve shqiptarë dhe i investojnë ato në instrumente të tjerë jashtë vendit. Shumë prej bankave të nivelit të dytë, kanë blerë tashmë borxhet e vendeve fqinje, apo rajonale.Nga ana tjetër, bankat e mëdha botërore, duke blerë euro nga bankat e nivelit të dytë në Shqipëri, me interesa të ulta, fare mirë mund t’ia rishesin Qeverisë shqiptare, si kredi sindikale, të njëjtën shumë parash, por me interes më të lartë. Këto kanë qenë arsyet, që sipas Demiraj, detyruan Ministrinë e Financave të provojë shitjen e bonove në euro në tregun e brendshëm. Sipas Drejtorit të Borxhit, pritet që gjatë këtyre muajve të ketë edhe ankande të tjera të bonove në euro për tregun e brendshëm. Megjithatë, ai thekson se afati i maturimit të tyre do të jetë i shkurtër, pra deri në një vit. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, norma mesatare e ineterit për kreditë që aplikojnë bankat e nivelit të dytë, është rreth 7.74 për qind. Kjo për një afat 6-12 muaj. Por nga ana tjetër, duke qenë se borxhi që i jepet Qeverisë është një borxh i sigurt, edhe norma e interesit në këtë rast mund të jetë shumë më e ulët. “E gjithë kjo sasi bonosh në euro, do të shlyhet menjëherë sapo tregjet ndërkombëtare do të krijojnë kushtet e nevojshme për emetimin e  eurobonit”, thekson Demiraj.

Qeveria po pret që tregjet të qetësohen, dhe të ofrojnë norma interesi më të ulta, për të shitur eurobondin 400 milionë euro. Deri në atë kohë, duket se një pjesë e eurobondit do të merret nga tregu i brendshëm, duke provokuar kështu një situatë të re në tregun bankar dhe atë të kursit të këmbimit.

Previous articleKE miraton Rezolutën për Shqipërinë
Next articleRama: S’ka zgjedhje pa hapur kutite

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here