Një 24 vjeçar nga Librazhdi i Shqipërisë është vrarë në luftimet në Siri në mëngjesin e datës 15 Gusht.
News24 dhe BalkanWeb mesojne se behet fjale per shtetasin Idajet Ali Balliu. I riu dyshohet se është shqiptari që mbeti i vrarë në Siri. Balliu ka qenë banues i fshatit Dragostunjë në Librazhd, rreth 8 km larg Elbasanit dhe është larguar disa kohë më parë sëbashku me familjen drejt Sirisë.
Mediat në Shqipëri mësojnë se emri i luftës ishte ‘Ebu Derda esh Shami’, ndërsa ky emërim ka kuptim “I biri i Derdasë nga Shami”. Shami është zona që përmbledh Palestinën, Sirinë, Irakun, Libanin dhe Jordaninë.
24 vjeçari, i datëlindjes 10 maj 1990 është vrarë në një betejë në Alepo, e cila ka nisur që gati një javë.
Pas lajmit për vrasjen e shqiptarit në internet janë bërë publike edhe foto të tij. I riu është paraqitur në këto foto i veshur me rroba ushtarake, ndërsa mban armë zjarri në duar. Shokët e tij kanë thënë se ai ka rënë dëshmor në luftën për xhihad. Viktima nga Librazhdi mësohet se arsimin e mesëm e ka kryer në Tiranë dhe më pas studimet e larta i ka kryer në Arabinë Saudite, ku edhe besohet se është indoktrinuar.
Deri tani, numri i shqiptareve e kosovareve te vrare ne Siri ka arritur mbi 14.
FLET XHAXHAI I SHQIPTARIT TË VRARË NË SIRI
Tahir Balliu, xhaxhai i Idajet Balliut tregon për News24 e BalkanWeb mbi nipin tashmë të vrarë në Siri. Sipas Tahirit, persona që mashtrojnë duhet të futen në burg. Idajeti, thotë xhaxhai, ishte një djalë që arsimin e mori në Arabi dhe gjithë të afërmit kujtonin se i riu ndodhej ende në këtë shtet për studime. Me vete ka marrë dhe prindërit.
“Nipi është larguar herët nga fshati, bashkë me familjen e tij. Ka mbaruar arsimin e mesëm në Berat dhe konkurroi për studime në Arabi. Pasi fitoi të drejtën e studimit në Arabi, të gjithë kemi menduar se ndodhet ende atje për studime. Besoj se është mashtruar për dhe joshur nga paratë sepse ka pasur një gjendje të vështirë ekonomike. Vëllezërit dhe familjarët e tjerë jetojnë në Lushnje, babai dhe nëna e tij ndodhen në Xhihad në Arabi”.
“Nipi im ishte një djalë i ri që u vra për dicka të gabuar. Nga mediat mësuam se ai luftonte në Siri. Ne jemi ojash besimtar, por jo ekstremistë. Sinqerisht kërkoj ndëshkimin e personave që mashtrojnë për para, ata përfitojnë nga gjendja tepër e keqe e personave”.