Home Aktualitet MPB njofton per rrezikun nga permbytjet ne ditet ne vazhdim

MPB njofton per rrezikun nga permbytjet ne ditet ne vazhdim

726
0

permbytjeNë ditët në vijim pritet përkeqësim i kushteve atmosferike, me shira të dendur dhe erë të fortë, ndaj Drejtoria e Emergjencave Civile në Ministrinë e Brendshme njofton gjithë qytetarët se nuk ka vend për panik, por u kërkon gjithë strukturave në qendër apo në pushtetin lokal, të dëshmojnë angazhimin maksimal për përballimin në kohë të çdo situate.

Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri ka urdhëruar mbledhjen e Shtabeve të Emergjencës në qarqe, për të mbajtur nën mbikqyrje çdo situatë.

Nisur nga parashikimet e Institutit të Gjeo-shkencës dhe Shërbimit Metrologjik Ushtarak, sot mbi vendin tonë do të mbizotërojë mot me vranësira dhe shira intensiv. Mot i përkeqësuar, kryesisht në jug të vendit do të ketë edhe për 5 ditët e ardhshme, ndërsa në lartësitë mbi 1000 metra priten reshje dëbore.

Reshjet mund të shoqërohen edhe me rritje të nivelit të përrenjve dhe të lumenjve në qarqet: Elbasan, Fier, Berat, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër.

Nisur nga parashikimet e motit, nuk përjashtohet mundësia për përmbytje të lokalizuara anës brigjeve apo përmbytje urbane në varësi të gjendjes së infrastrukturës së kanalizimeve. Prurjet maksimale të ujit janë parashikuar për ditën e enjte, datë 26 nëntor.

Në një njoftim të saj, MPB thekson se institucionit të Prefektit në çdo qark i është kërkuar marrja e masave parandaluese për përballimin e ndonjë situate që mund të sjellë premisa për rrezikimin e komunitetit nga përmbytjet apo rrëshqitje masive të dherave dhe inerteve.

“Ministria e Punëve të Brendshme fton qytetarët të telefonojnë për të kërkuar ndihmë në numrin falas të Policisë së Shtetit 129, por edhe t’i përgjigjen thirrjes për ndihmë të strukturave shtetërore në raste emergjencash”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here