Qeveria i jep të drejtë OSHEE-së ti sekuestrojë shtëpitë të gjithë personave që kanë detyrime të papaguara në masën 150 mijë lekë të reja. Në ligjin e ri të ardhur tashmë në Parlament “Për sektorin e energjisë elektrike”, në nenin 90 parashikohen rastet se si sillet OSHEE-ja kur klienti ka detyrime të papaguara.
“Në rast se detyrimi i papaguar që rrjedh nga një kontratë furnizimi energjie elektrike është mbi 150 000 lekë për klientin familjar dhe mbi 2 000 000 lekë për klientin jofamiljar, furnizuesi ka të drejtë të zbatojë mjetin e sigurimit të detyrimeve të papaguara, duke vendosur barrë hipotekore mbi pasurinë e paluajtshme që furnizohet me energji elektrike në bazë të kësaj kontrate furnizimi, detyrimet e së cilës nuk janë paguar. Barra hipotekore do të vendoset për një periudhë deri në përfundimin e procedurave të ekzekutimit të detyrueshëm”, thuhet në gërmën ‘e’ të këtij neni.
Lidhur me këtë ligj ka reaguar sot edhe deputeti demokrat, Eduard Halimi, i cili shkruan në facebook se “Cmenduria e Rames nuk ka kufi. Pas burgosjes historike se mijera shqiptareve te pamundur per pagimin e energjise elektrike gjate vitit 2014, ne 14 janar te ketij viti ka firmosur nje projektligj “Per energjine elektrike” ku i kerkon Parlamantit ti jape miratimin atij dhe taksidareve te OSHE per te sekustruar pasurite e shqiptareve, shtepi, apartamente, dyqane, toka bujqesore, troje e cfare te kene”.
“Ky projektligji eshte jo vetem antikushtetues por mbi te gjitha eshte nje barbari juridike e njeriu delirant i cili duhet ndalur. Detyrimi i pagimit të faturës së energjisë elektrike është detyrim në të holla, për ekzekutimin e të cilit ndiqen rregullat e parashikuara nga Kodi i Procedurës Civile. Fatura e energjise eshte titull ekzekutiv por ekzekutimi behet nga permbaruesi vetem pasi te shprehet gjykata me pare në masën që do të jetë e nevojshme për plotësimin e detyrimit dhe jo nga kryeministri apo taksidari i tij. Te sekuestrosh banesat, toka bujqesore e troje qe kane vlera qindra here me te madhe se nje fature energjie 1 milion leke, dhe per me teper kete ta besh pa autoritetin gjyqesor por si kryeminister, eshte barbari ligjore”, shkruan Halimi.
Neni 90
Nëse klienti nuk paguan detyrimin e energjisë elektrike ndaj furnizuesit të ngarkuar me shërbimin universal si detyrim i shërbimit publik, brenda afatit të caktuar në kontratë, furnizuesi i energjisë elektrike, nëpërmjet personave të autorizuar nga ana e tij, përveç inicimit të procedurave të ndërprerjes së energjisë, ndërmerr masat e mëposhtme:
d) Inicion procedurat e ekzekutimit të detyrueshëm duke kërkuar lëshimin e urdhrit të ekzekutimit dhe inicimin e ekzekutimit të detyrueshëm, sikurse përcaktohet në Kodin e Procedurës Civile dhe ligjin nr.8662, datë 18.9.2000 “Për trajtimin si titull ekzekutiv të faturës së konsumit të energjisë elektrike”, për çdo vlerë të papaguar detyrimi.
e) Në rast se detyrimi i papaguar që rrjedh nga një kontratë furnizimi energjie elektrike është mbi 150 000 lekë për klientin familjar dhe mbi 2 000 000 lekë për klientin jofamiljar, furnizuesi ka të drejtë të zbatojë mjetin e sigurimit të detyrimeve të papaguara, duke vendosur barrë hipotekore mbi pasurinë e paluajtshme që furnizohet me energji elektrike në bazë të kësaj kontrate furnizimi, detyrimet e së cilës nuk janë paguar. Barra hipotekore do të vendoset për një periudhë deri në përfundimin e procedurave të ekzekutimit të detyrueshëm.