Home Aktualitet Krim në familje. Burri vret gruan, vjehrrën e më pas vetëvritet në...

Krim në familje. Burri vret gruan, vjehrrën e më pas vetëvritet në sytë e 3 fëmijëve

483
0

viktimaNjë vrasje e trefishtë brenda një familjeje të varfër ka tronditur Laprakën, mëngjesin e sotshëm. Rreth orës 5:50, shtetasi Emiljano Rustemi, 32 vjeç ka vrarë me armë zjarri bashkëshorten e tij, Izaura Rustemin, 28 vjeçe; vjehrrën e vet, Ëngjëllushe Shaqirin, 65 vjeçe e më pas, edhe veten. Policia njoftoi se nga hetimet paraprake, shkak i vrasjes janë bërë mosmarrëveshjet në çift, pas kërkesës së 28-vjeçare për t’u ndarë nga i shoqi, që e dhunonte.

Çifti kishte tre fëmijë të mitur, të cilët fatkeqësisht kanë qënë prezentë në momentin e aktit makabër të babait të tyre. Gjendja e tyre psikologjike është e rënduar dhe ata janë marrë nën trajtim nga një psikolog.

Rustemi e ka kryer vrasjen në shtëpinë e vjehrrës së tij, Engjëllushes, e cila kishte marrë brenda në shtëpi vajzën e saj, Izaurën dhe fëmijët e saj të mitur, pas kthimit nga Greqia, divorcit që çifti kishte nisur dhe vështirësive ekonomike. Vjehrra e tij shiste çanta dhe rroba të përdorura tek stacioni i trenit dhe me të mbante gjithë pjesëtarët e familjes së saj.

RAPORTIMI NGA VENDI I NGJARJES

Gazetari Spartak Koka njoftoi se ngjarja ka ndodhur në Laprakë, në rrugën “Pandi Dardha”, në katin e dytë të një pallati, kur Rustemi ka vrarë fillimisht vjehrrën dhe më pas, gruan, Izaurën, nënë e tre fëmijëve.

Çifti kishte probleme prej disa kohësh dhe kishin grindje për shkak të dhunës që burri ushtronte mbi gruan e tij. Emiljano Rustemi kishte qënë i dënuar në Greqi me një vit e gjysëm burg për vjedhje, deri më 5 mars. Pas kthimit nga Greqia, ai i kishte kërkuar vjehrrës ta strehonte për disa ditë në shtëpinë ku ajo jetonte me Izaurën dhe tre nipërit.

Në mëngjes, kur 65-vjeçarja ishte ngritur për të bërë bërë kafen dhe nisur për në punë, Emiljano ka marrë armën që e kishte fshehur pas disa kanaçeve dhe ka qëlluar së pari mbi të e pastaj mbi gruan e vet. Fëmijët kanë parë të gjithë skenën.

Gratë nuk kanë pasur urdhër-mbrojtjeje; fakti që vjehrra e ka strehuar me mirëbesim tregon për një akt human, dhembshurie të saj ndaj dhëndrit problematik, që vazhdimisht kishte ushtruar dhunë mbi vajzën e saj.

KUNATA E ENGJELLUSHE SHAQIRIT

Fatmira Shaqiri, kunata e Engjëllushe Shaqirit, tregon se Emiljano e keqtrajtonte familjen e tij. “Ai prandaj e ka bërë burgun,- tha ajo, – se e rrihte Izaurën dhe ajo priste të bëhej operacion nga këmba. Kishte shumë kohë që e bënte, qëkur e ka marrë. Ai u lirua nga burgu dhe erdhi tek ata. I tha e shoqja “Ti për mua s’je”. Po ai tha “mirë, unë kalamajtë do t’i marr.”

E kam kunatë, motrën e burrit…nuk ka ku të vejë më keq, ikin nënë e bijë për qejfet e tij. Punonte ajo e shkreta dhe mbante vajzën me tre fëmijë. Që kur ka hyrë në burg ai, ka shkuar e ëma e ka marrë vajzën, se e nxirrte ai të lypte në rrugë në Greqi me tre fëmijë. Fëmijët janë duke u mbajtur nga komshija. Ato jetonin në një dhomë,” përfundoi kunata e së ndjerës.

FQINJA

Fqinja e Engjëllushe Shaqirit rrëfeu për “News24″ se ajo ishte një grua dinjitoze, e respektuar, që e vetme kishte marrë përsipër të kujdesej për vajzën me tre të mitur, mbetur pa shtëpi dhe pa punë dhe nën kërcënimin e Emiljanos së dhunshëm. “As Izaurës nuk i ndihej zëri,”- tha fqinja. Fëmijët tashmë ndodhen tek fqinja e Engjëllushes.

DEKLARATA ZYRTARE E POLICISE SE TIRANES

Policia e Tiranës ka lëshuar një deklaratë zyrtare lidhur me vrasjen e trefishtë që ndodhi sot në Laprakë. Në të thuhet: “Në Tiranë, një krim i rëndë në ambjentet familjare. Sot më datë 10.03.2015 rreth ores 05.55 në afersi te Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave në Laprakë, në brendësi të banesës së shtetases Ëngjëllushe Shaqiri, te ish konviktet e ish Shkollës së Partisë ka ndodhur një ngjarje e rëndë kriminale ku për pasojë janë vrarë më armë zjarri shtetaset;

– Ëngjëllushe Shaqiri 65 vjeç

– Izaura Rustemi (e bija) 28 vjeç

– Emiljano Rustemi 32 vjeç.

Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet policore të Komisariatit të Policisë Nr.3 Tiranë si dhe është formuar grupi hetimor i përbërë nga specialistë të hetimit të Sektorit për Krime të Rënda, ekspertë kriminalistë si dhe është njoftuar prokurori i gatshëm. Grupi hetimor ka filluar kryerjen e veprimeve hetimore e proceduriale dhe sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje.

Nga veprimet hetimore paraprake të kryera në vendngjarje rezulton se rreth orës 05.50 shtetasi Emiljano Rustemi ka shkuar në banesën e vjehrës shtetases Ëngjëllushe Shaqiri ku banonte dhe bashkëshortja e tij Izaura Rustemi dhe pas një debati disa minutësh ka vrarë me armë zjarri tip automatik bashkëshorten dhe më pas vjehren shtetasen Ëngjëllushe Shaqiri të cilat kanë gjetur vdekjen e menjëhershme. Disa minuta më pas autori është vetvrarë.

Nga hetimet paraprake rezulton se autori i vetvrarë Emiljano Rustemi lindur në Tiranë e banues ne Tiranë në rrugën “Myslim Keta”, ka ardhur nga emigracioni nga Greqia më datë 04 Mars 2015, ku nga të dhënat paraprake hidhen dyshime se ka qënë i dënuar dhe ka vuajtur rreth 1 vit burg për veprën penale të vjedhjes. Gjithashtu nga hetimet dyshohet se motivi i vrasjes është mosmarveshje të cilat kanë lindur pas divorcit që bashkëshortja i ka kërkuar.

Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar me cilësinë e provave materiale arma e zjarrit automatik tip “Kallashnikov”, 11 gëzhoja të kalibrit 7.62 si dhe sende të ndryshme të cilat do zbardhin plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe hetimit. Materiali proçedurial do t`i referohet Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here