Home Aktualitet Greqia: Pakti detar, Turqia ka nderhyre per ta prishur

Greqia: Pakti detar, Turqia ka nderhyre per ta prishur

557
0

Marrëveshja detare me Shqipërinë, ngacmoi Turqinë” Këto fjalë janë thënë vetëm pak ditë më parë nga ish-Ministrja e Jashtme e Greqisë, Dora Bakojani në një intervistë për emisionin “Dosje të reja” që transmetohet në televizionin e shtetit fqinj, SKAI.
Në këtë emision Bakojani së bashku me personazhe të tjerë të njohur të Greqisë, hedhin dritë mbi prapaskenat e marrëveshjes së shumë përfolur, e cila për Greqinë ishte një marrëveshje e përsosur. Por, gazetari grek Stavros Lygeros arrin deri aty sa të deklarojë se Turqia ka ndërhyrë ashpër duke i dhënë ryshfete Gjykatës për të rrëzuar këtë marrëveshje.
Dora Bakojani
Ish-Ministrja e Jashtme Greke, Dora Bakojani e pyetur nga gazetarja e emisionit “Dosje të reja” shpreh në një farë mënyrë keqardhje për prishjen e kësaj marrëveshje, e cila sipas saj kishte plotësuar të gjitha qëllimet e politikës së jashtme greke. “Duhet të them se kjo marrëveshje ishte “State of the art”. Kishim arritur të plotësojmë të gjitha qëllimet e politikës së jashtme greke, por njëkohësisht të bëjmë edhe një punë ndërmarrëse që ishte tërësisht e nevojshme për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve. Atëherë kishte kundërshti nga Partia Socialiste që doli me argumentin se i mori të gjitha Greqia dhe se nuk duhet të ishte nënshkruar me të tilla politika”, – ka deklaruar Bakojani.
Por, pjesa më e fortë e intervistës së saj është momenti, kur ish-Ministrja e Jashtme tregon se ishte e bindur se kjo marrëveshje do të ngacmonte shumë dhe palën turke. “Nuk kisha asnjë dyshim, nuk kisha ndonjë vërtetim, por nuk kisha dyshime se kjo marrëveshje kishte ngacmuar edhe Turqinë. Më pas marrëveshja shkoi në Gjykatën Kushtetuese dhe aty u rrëzua”, – u shpreh për SKAI ish-Ministrja e Jashtme e Greqisë, e cila ishte një prej firmëtareve të kësaj marrëveshje.
Stavros Lygeros
Në emisionin “Dosje të reja”, i pranishëm ishte dhe një prej gazetarëve më të njohur të shtetit fqinj, Stavros Lygeros, i cili lëshoi akuza të rënda, sipas të cilave Turqia kishte korruptuar anëtarët e gjykatës për të rrëzuar marrëveshjen detare mes Shqipërisë dhe Greqisë. “Bëhet e njohur, dhe kur e di unë, do me thënë që e dinin edhe shërbimet e Ministrisë së Jashtme që turqit ndërhynë shumë ashpër, duke dhënë ryshfet edhe tek gjykatësit që krijoi një klimë që çoi aty ku çoi”, – u shpreh gazetari Lygeros për televizionin grek SKAI.
HISTORIA
Pakti detar më Greqinë u nënshkrua nga dy qeveritë në vitin 2009. Marrëveshja në fjalë është firmosur më datë 27.04.2009 nga pala shqiptare dhe ajo greke, pas një vizite të vetë kryeministrit grek të asaj kohe dhe ministres së Jashtme në vendin tonë. Pakti detar u kundërshtua më forcë nga një pjesë e madhe e opinionit publik, si një marrëveshje që cenonte rëndë kufijtë territorial.
Por, ishte Gjykata Kushtetuese e cila rrëzoi në datën 26 janar 2010, me votim unanim 9-0, marrëveshjen e përcaktimit të kufirit detar me Greqinë. Një ndër arsyet më të forta që detyruan gjykatën të merrte këtë vendim, ka qenë fakti se anëtarët e grupit negociator të palës shqiptare nuk e kishin marrë lejen speciale nga Presidenti i Republikës, për të negociuar me palën greke. Gjithashtu Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj theksoi se në projekt-marrëveshjen në fjalë konstatohen shkelje procedurale dhe substanciale që bien në kundërshtim me Kushtetutën dhe Konventën e Tretë Ndërkombëtare të OKB-së për të Drejtën e Detit të vitit 1982.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here