GJERMANI– Në Gjermani po rritet gjithnjë e më shumë aktitiveti i bandave kriminale, të cilat janë mjaft mirë të organizuara me fije jashtë këtij vendi. Këto banda janë aktive jo vetëm si trafikantë apo shantazhues e kontrabandistë, por ato janë të organizuara edhe në vjedhjen e makinave, mashtrimet dhe vjedhjen e dyqaneve. Bandat me lidhje në Shqipëri renditen ndër vendet e para të kriminalitetit të organizuar në Gjermani.
Ndërkohë që bandat polake dhe lituaneze janë të specializuar për vjedhjen e makinave dhe dërgimi i tyre në vendet e lindjes, bandat nga Shqipëria bëjnë emër në shitjen e drogës. Ndërsa bandat nga ish-vendet sovjetike bien në sy për vjedhje dyqanesh, e delikte të tjera vjedhjeje.
De Maiziere: Kush lufton kriminalitetin në Shqipëri duhet të ketë guxim
Sipas raportit për kriminalitetin e organizuar të prezantuar të mërkurën (01.10) nga ministri i Brendshëm gjerman Thomas de Maiziere në Berlin bandat kriminale komandohen drejt nga Polonia, Lituania dhe Shqipëria. Ministri i Brendshëm gjerman shprehet me kritikë se bashkëpunimi me Shqipërinë dhe Serbinë në këtë drejtim nuk funksionon ashtu si mendon Gjermania. De Maiziere ka pranuar se luftimi i kriminalitetit nuk është optimal dhe kjo për arsye të “ndërlidhjeve të kriminalitetit të organizuar deri në aparatin shtetëror”.
Pikërisht për shkak të këtyre lidhjeve të pushtetit me kriminalitetin shpesh personat përgjegjës në Shqipëri duhet të kenë guxim të madh personal nëse luftojnë krimin e organizuar, ka thënë ministri i brendshëm gjerman. Ky problem duhet të preket edhe në bisedimet e anëtarësimit me Serbinë, ka kërkuar ai. Si shembuj bashkëpunimi ai lëvdoi Poloninë dhe Italinë. Nga viti i kaluar numri i të dyshuarve për krime në lidhje me kriminalitetin e organizuar në Gjermani është rritur me 15%.