Dy mjekët e Spitalit Universitar të Traumës, Alfred Gega dhe Sami Koçeku, kanë hedhur poshtë pretendimet e ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, për deformim të realitetit gjatë ngjarjes së 21 janarit. Sipas tyre, deklaratat e bëra gjatë asaj dite, nuk përputhen me tabulatet e zbardhura nga Ministria e Shëndetësisë, ndërsa theksojnë se janë të hapur ndaj çdo hetimi. “Ju si media duhet të shikoni tabulatet dhe të bëni diferencën e madhe midis asaj që thotë ministri me atë çka kam thënë unë. Shikoni, se ka tjetërsim të të dhënave dhe informacionit që kam thënë unë. Çfarëdolloj deklarate që të bëja unë, ai nuk përbën krim, por është një deklaratë mjekësore. Unë mund të jem i paaftë, mund të jem gjithçka, por është deklaratë mjekësore dhe nuk përbën krim.
Ju shikoni origjinalet dhe bëni diferencën”, – tha në një prononcim për “Gazeta Shqiptare”, shefi i Urgjencës, Sami Koçeku. Gjithashtu, mjeku u shpreh se ka pasur një manipulim edhe të videove të transmetuara në televizione, ndërsa hodhi akuza edhe për organizatorët e ngjarjes së “21 janarit”. “Unë deri tani nuk kam asnjë lloj njoftimi zyrtar. Gjithçka ka dalë në media, por unë nuk e quaj zyrtare. Zyrtare e quaj kur e kam me letër, me dokumente. Ata flasin për një problem që tashmë është i vjetër, ka 3 vjet që ka ndodhur, dhe unë do shpresoja t’i shikoja me kurora me lule ata njerëzit që e organizuan dhe e mbyllën ngjarjen, megjithatë njoftim zyrtar nuk kam marrë. Së pari, ministri mund të bëjë çfarë të dojë, të njoftojë edhe Urdhrin e Mjekut, dhe Prokuroria të vendosë çfarë të dojë, sepse ne jemi në një shtet civil dhe evropian, por le të bëjnë si të duan, është e drejta e tyre. E dyta, gjeta disa video në internet dhe deklaratat e mia janë të gjitha të tjetërsuara dhe në shumë vende i kanë vënë me pika, pra unë nuk kam folur dhe janë vendosur pikat, që është disi banale, dhe kanë shtuar e janë futur elementë, megjithatë është punë e tyre”, – u shpreh Koçeku.
Ndërkaq, mjeku tjetër i akuzuar, në atë kohë nëndrejtor i Spitalit Ushtarak, Alfred Gega, tha se nuk u trembet akuzave të ngritura, pasi sipas tij, është “i mbrojtur” nga vetë deklaratat që ka bërë. “Unë do të rekomandoja vetëm diçka: Mund të shikoni deklaratën time të 21 janarit. Është vetëm një deklaratë që unë kam bërë në fund të ditës dhe komentet bëjini si të doni, por unë kam bërë vetëm një deklaratë në cilësinë e nëndrejtorit të spitalit.
Mund të hapni YouTube, të ndiqni deklaratën time dhe ta komentoni si të doni. Unë nuk di asnjë gjë për ankesën e ministrit, por do ju rekomandoja të kishit informacione sa më korrekte. Ato janë deklarata që janë bërë në aspektin ‘më the të thashë, më tha i thashë’, pra me të dëgjuar, ndërsa ju hapni deklaratën që është me zë dhe figurë dhe është shumë e thjeshtë. Unë jam i mbrojtur, sepse më mbron deklarata që unë kam bërë. Me thashetheme nuk merrem unë”, – u shpreh Gega për “Gazeta Shqiptare”.