Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka gati dokumentet që duhet të plotësojë një biznes i vogël për të qenë në zbatim të plotë të ligjit në aktivitetin e tij tregtar. Një manual përdorimi do tu vijë në ndihmë bizneseve për deklarimet e të ardhurave dhe shpenzimeve, plotësimin e librave të shitjeve dhe faturave tatimore si dhe mënyrën e përllogaritjes së detyrimeve ndaj shtetit. Pagesa e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël kryhet te bankat e nivelit të dytë për llogari të administratës tatimore qendrore, e cila më pas do t’i alokojë këto fonde për llogari të pushtetit vendor.
Niveli i tatimit për subjektet e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin me qarkullim vjetor nga 0 deri në 2 milionë lekë, është 25,000 lekë në vit. Shkalla tatimore e aplikueshme mbi fitimin e tatueshëm, për subjektet e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël, me qarkullim nga 2 deri në 8 milionë lekë, është 7.5 për qind mbi fitimin e tatueshëm
Deklarimi
Çdo tatimpagues, subjekt i tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël, me qarkullim nga 2 deri në 8 milionë lekë, është i detyruar që, deri më 10 shkurt të vitit që pason periudhën tatimore, të dorëzojë një deklaratë vjetore tatimore, ku të jepen hollësisht të ardhurat, gjithsej, shpenzimet e zbritshme, e ardhura e tatueshme, tatimi për t’u paguar, si dhe çdo informacion tjetër i kërkuar me akte të tjera ligjore apo nënligjore.
Tatimi i llogaritur në bazë të deklaratës vjetore të të ardhurave të tatueshme, duke i zbritur parapagimet e bëra gjatë periudhës tatimore, paguhet nga tatimpaguesi në llogarinë e organeve tatimore, në çastin e paraqitjes së deklaratës vjetore. Deklarata dorëzohet në drejtorinë rajonale tatimore ku është i regjistruar tatimpaguesi dhe plotësohet për të dhënat sipas formatit bashkëlidhur këtij udhëzimi.
Parapagimi
Tatimpaguesi i regjistruar si biznes i vogël, i cili realizon një qarkullim vjetor nga 2 deri në 8 milionë lekë, parapaguan tatimin e thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël, të ndarë në katër këste vjetore. Shuma vjetore e parapagimeve llogaritet duke marrë parasysh qarkullimin gjithsej dhe fitimin e tatueshëm të një viti më parë të deklaruar nga tatimpaguesi.
Për vitin 2014, shuma vjetore e parapagimeve llogaritet duke marrë parasysh qarkullimin gjithsej dhe fitimin e tatueshëm të një viti më parë të deklaruar nga tatimpaguesi, bazuar në deklaratën vjetore të të ardhurave personale të biznesit të vogël, të bërë në zbatim të ligjit nr.8438, datë 28 dhjetor 1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar. Kjo deklaratë është e detyrueshme të paraqitet nga të gjithë tatimpaguesit me qarkullim vjetor 2 deri në 8 milionë lekë brenda datës 10 shkurt 2014.
Për tatimpaguesit me qarkullim vjetor nga 2 deri në 8 milionë lekë, të cilët në kundërshtim me ligjin nuk dorëzojnë deklaratën e tyre tatimore të vitit të mëparshëm deri në datën 10 shkurt të çdo viti. Kur personi i tatueshëm, për një periudhë të caktuar tatimore nuk ka deklaruar detyrimet tatimore të tij, drejtoria rajonale e tatimeve të juridiksionit ka të drejtë të bëjë llogaritjen e detyrimit tatimor nëpërmjet vlerësimit tatimor nga zyra duke përdorur metoda alternative.
Bazuar në shumën vjetore të parapagimeve llogariten katër këstet e parapagimit të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël. Llogaritja e kësteve të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin nga ana e drejtorisë rajonale tatimore i njoftohet tatimpaguesit brenda datës 1 prill të çdo viti. Të gjithë tatimpaguesit me qarkullim nga zero deri në 2 milionë lekë në vit, paguajnë si tatim të thjeshtuar mbi fitimin një tatim fiks, në masën 25,000 lekë në vit për llogari të drejtorive rajonale tatimore ku ata janë të regjistruar. Kjo pagesë kryhet brenda gjashtëmujorit të parë të çdo viti.
Përgatitja e Teorisë
Pagesat e kësteve të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël me qarkullim nga 2 deri në 8 milionë lekë kryhen te bankat e nivelit të dytë për llogari të administratës tatimore, çdo vit, sipas afateve:
1. Brenda datës 20 prill kryhet pagesa e këstit të I-rë;
2. Brenda datës 20 korrik kryhet pagesa e këstit të II-të;
3. Brenda datës 20 tetor kryhet pagesa e këstit të III-të;
4. Brenda datës 20 dhjetor kryhet pagesa e këstit të IV- të.
Mete: Ja si do paguajë biznesi i vogël
Biznesi i vogël me xhiro deri në 8 milionë lekë në vit, që nga një janari do i nënshtrohet një sistemi të ri taksimi, i cili ndryshon jo vetëm masën e taksës, por edhe procedurat si ajo paguhet. Zëvendësministri i Financave, Ervin Mete, ka shpjeguar procedurat që duhet të ndjekë biznesi.
“Në aspektin procedurial kemi eliminuar ecejaket e biznesit të vogël midis dy administratave, pra tashmë biznesi i vogël do të ndërveprojë vetëm me administratën qendrore, jo me atë vendore dhe në aspektin e barrës fiskale kemi ulur barrën fiskale nga 10 për qind në 7.5 për qind”, tha zëvendësministri i Financave, Ervin Mete.
“Dua t’i bëj thirrje bizneseve të vogla të deklarojnë brenda datës 10 shkurt për të evituar edhe penalitetet. Në datën 10 shkurt bëjnë deklarimin e tyre ku deklarojnë fitimin e vitit të kaluar. Në bazë të këtij fitimi të vitit të kaluar vlerësohen dhe llogariten këstet që do të parapaguhen për këtë vit”, tha Mete.
Sipas formulës së re, një biznes i vogël, i cili vitin e kaluar ka realizuar një fitim prej 2 milionë lekë, këtë vit do të parapaguajë 140 mijë lekë tatim, i cili derdhet në katër këste duke filluar që nga 20 prilli. Kjo skemë vlen për bizneset me xhiro nga 2 deri në 8 milionë lekë në vit. Për ndërmarrjet që kanë një xhiro vjetore më të ulët se 2 milionë lekë, taksa është fikse.
“Bizneset e fashës 0 deri 2 do të paguajnë vetëm 1 herë në vit dhe do të paguajnë një tarifë fikse, që është 25 mijë lekë të reja”, tha Mete. Deri tani të gjitha bizneset me xhiro deri në 8 milionë lekë e parapaguanin tatimin mbi fitimin në bazë të një xhiroje që vetë deklarohej në njësitë vendore bashki ose komuna dhe më pas në 31 mars të vitit pasardhës bënte rakordimin tek tatimet.