Home Aktualitet Forcat e Armatosura festojne 100-vjetorin

Forcat e Armatosura festojne 100-vjetorin

574
0

Forcat e Armatosura të ushtrisë kanë festuar sot 100 vjetorin e krijimit me një ceremoni madhështore, në të cilën morën pjesë krerë të lartë të shtetit.
Në këtë 100-vjetor të krijimit, për kontributin e çmuar që kanë dhënë, Presidenti Bujar Nishani nderoi Forcat e Armatosura me Urdhrin “Nder i Kombit”.

Në fjalën e tij, presidenti Nishani theksoi se 100-vjetori i krijimit të Forcave të Armatosur është një gur i rëndësishëm kilometrik në vendin tonë.
“Si pjesë e festimeve në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë kjo është një ditë për të reflektuar për arritjet që janë bërë dhe të hedhin vështrimin për rrugët që kemi përpara” tha Nishani

Ai gjithashtu theksoi se Shqipëria duhet të krijojë ushtrinë e vogël më të mirë në NATO. ”Kërkohet më shumë punë organizative dhe intelektuale për të arritur pritshmëritë tona me aleatët e NATO-s” tha Nishani.

Kreu i shtetit vlerësoi rolin historik që kanë dhënë Forcat e Armatosura në mbrojtje të sovranitetit të vendit tonë.

Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, në fjalën përshëndetëse, deklaroi se, sot FA kanë pësuar një transformim rrënjësor, të denjë për një vend të NATO-s.
“Mirënjohje qeverive të vendit mik SHBA dhe partnerëve që kontribuan për modernizimin e FA. Ne arritëm të transformojmë rrënjësisht FA, ndërtuam ushtri euroatlantike, qindra mijëra tonë materiale të rrezikshme i asgjësuam, e sot kemi ushtri të pastër dhe një Shqipëri më të sigurtë”- tha Imami.

Sipas tij, FA u është ndërruar faqja. “Ushtari e oficeri janë më të përgatitur, të trajnuar e arsimuar më mirë, të veshura më mirë e me pajisje moderne. Ushtria jonë sot nuk shkel më në territore të panjohura”- tha ai.

Pas ekzekutimit të himnit kombëtar, shefi i shtabit të Përgjithshëm, Xhemal Gjunkshi ka vlerësuar rrugën e gjatë që kanë bërë FA për të mbërritur në reformimin më të fundit të saj.

“FA u konsoliduan duke mbartur vlerat më të mira të traditës së popullit. Sot mbushin 100 vjet, histori me vështirësi e sfida, por është historia jonë. Kujtojmë sot gjithë historinë e luftës për mbijetese, zhvillim e prosperitet, kujtojnë kontributet e bëra në historinë, atë që e themeluan këtë forcë”- tha ai, duke falënderuar kontribuuesit në FA.

BERISHA: FALËNDEROJ USHTARAKËT SHQIPTARË
Kryeministri Berisha ishte sot i pranishëm në ceremoninë e 100 – vjetorit të krijimit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, e cila u zhvillua në mjediset e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes.

Pas përshëndetjeve të rastit, në kuadër të kësaj dite, u zhvillua parada e Forcave të Armatosura, si dhe u inaugurua Muzeu Historik i Forcave të Armatosura

Gjatë ceremonisë së inaugurimit të Muzeut Historik të Forcave të Armatosura, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami i dhuroi Kryeministrit Berisha tre publikime të Ministrisë së Mbrojtjes: një album të të gjithë dëshmorëve të atdheut gjatë 100 viteve, një album me këngë patriotike dhe një album fotografik që daton nga viti 1908 e deri në ditët e sotme.

Gjithashtu, ministri Imami i dhuroi Kryeministrit edhe statujën e Dhisë së Egër, një nga simbolet më të vjetra shqiptare, e prodhuar nga materialet e demontimit.

Më pas, Kryeministri Berisha falënderoi ushtarakët shqiptarë kudo që ndodhen.
“Është një nder i madh për mua të përshëndes ushtarakët shqiptarë kudo që ndodhen sot, të përshëndes ushtarët shqiptarë në Shqipëri, në Afganistan. Gjithashtu, dua t’u shpreh nderimin tim më të madh ushtarakëve shqiptarë në Kosovë, të cilët me heroizmin dhe sakrificën e tyre kanë bërë të mundur që ushtarakët shqiptarë të festojnë 100 vjetorin e themelimit të ushtrisë kombëtare me dinjitet dhe si një ushtri fitimtare”, – u shpreh Berisha.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here