Raportuesja për vizat në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon, shprehet e sigurt se PE dhe parlamentet nacionale do ta votojnë projekt-rezolutën për heqjen e vizave. Ndërsa shpreh sigurinë, Fajon përmend edhe rrisqet e mundshme për Shqipërinë, duke u fokusuar tek kriza politike, protestat dhe funksionimi i Parlamentit. Në një intervistë për “Top Channel”, eurodeputetja rrëfen të gjitha hapat ku do të kalojë procesi i liberalizmit.
Cili është angazhimi i Parlamentit Evropian për procesin e vizave?
Parlamenti Evropian është ende i vendosur për heqjen e regjimit të vizave ndaj Shqipërisë dhe Bosnjës, sapo të jenë përmbushur kriteret nga këto dy vende. Kolegët e grupimeve kryesore politike shprehën mbështetje të madhe dhe unë pres që të kemi raportin oral nga Komisioni në fillim të shtatorit. Ekspertët po vlerësojnë në Shqipëri procesin këtë javë. Unë kam lajme inkurajuese deri tani e shpresoj që raporti i Komisionit të jetë pozitiv në shtator, dhe nëse rezultatet do të jenë të kënaqshme, ne parashikojmë që të behet votimi në seancë plenare në shtator ose në tetor.
A prisni ndonjë vërejtje të motivuar me principin e subsidiaritetit nga parlamentet nacionale?
Deri tani nuk na kanë dërguar gjë, e nuk pres që gjatë verës parlamentet nacionale të reagojnë realisht. Aktualisht po ndjekim procedurën normale, ku raporti u prezantua dhe në shtator, kjo do të jetë më e qartë ndoshta pasi të jepen dhe vlerësimet nga Komisioni. Pastaj nuk e përjashtoj mundësinë që disa debate të rihapen, ..shqetësime të reja, por shpresoj që ne të merremi me këtë proces sa më shpejt, dhe që vendosmëria e dy qeverive të mbetet, jo vetëm për këtë javë e atë që kaloi, por edhe në muajt e ardhshëm.
Sipas informacioneve tuaja çfarë shqetësimesh ka deri tani?
Të gjithë po presim raportimin nga ekspertët. Kam garanci së pari nga Sarajeva e tani dhe nga Tirana se ato kritere që kanë mbetur, janë përmbushur. Shpresoj që ekspertët do të njohin po ashtu këtë progres e që në shtator do kemi një raport pozitiv. Në rast se raporti nuk do të jetë pozitiv, kam frike se i gjithë procesi mund të shtyhet. Një shqetësim tjetër është për shembull situata politike në Shqipëri. Nëse do të përballim protesta serioze serish në rrugë, apo do të mungojë dialogu mes politikanëve të të gjitha palëve, ose që Kuvendi të mos jetë funksional, atëherë vendet anëtare do të shprehin shqetësime të tjera, sigurisht, sepse vizat janë proces teknik, por duam të shohim gjithashtu një vend me stabilitet të mirë politik.
A mendoni se Bosnja e Shqipëria do të qëndrojnë bashkë në këtë proces deri në fund, apo shihni ndonjë ndarje të mundshme?
Shpresoj që Bosnja e Shqipëria do të jenë në të njëjtën paketë për raundin e dytë të liberalizimit të vizave. Natyrisht është gjithnjë e mundur që një vend të ecë më ngadalë se tjetri, e në fund të fundit ne i çmojmë sipas meritave individuale. Nëse vijmë në situatën ku teknikisht njëri prej vendeve nuk përmbush tërësisht të gjitha kriteret e përcaktuara nga Komisioni, atëherë është e mundur që këto dy vende të ndahen e dikush të shkojë më shpejt se tjetri. Shpresoj që ky të jetë më shumë një skenar i pamundur, pasi duam që të finalizojmë procesin për të dy vendet në të njëjtën kohë, por siç e thashë nuk përjashtohet që njëri prej vendeve të ecë më shpejt nëse i plotëson kriteret.
Në fakt ju në raportin tuaj thoni se do të ishte shumë e rëndësishme që në fillim të vjeshtës 2010, Bosnja veçanërisht të merrte liberalizimin e vizave, duke argumentuar me situatën politike dhe çështjet etnike atje. A është ky një sinjal?
Nuk po vë asnjë shenje të veçantë. Unë mbështes plotësisht liberalizimin e vizave për të dy vendet, Shqipërinë dhe Bosnjën. Ndoshta Bosnja është pak me komplekse sepse ka grupe të ndryshme etnike e me shumë ndarësi në kompleks si shtet, por të dy vendet kanë bërë progres të mirë gjatë muajve të fundit, nga pikëpamja teknike. Përsa i takon anës politike, situatat janë shumë të ndryshme nga njëri vend në tjetrin. Ndaj shpresoj që ky proces teknik i deritanishëm do të mbetet thjesht proces teknik e që ne nuk do të flasim në fund për një vendim politik, gjë për të cilën ne ndjejmë sot shqetësime kundrejt vendeve anëtare se nuk po shikojnë vetëm procesin teknik dhe kriteret teknike.
Por çfarë?
Ka shqetësime tek vendet anëtare për situatën politike në Shqipëri për shembull. Dhe kjo, nëse situata do të përkeqësohet, mund të vonojë procesin për heqjen e vizave ndaj Shqipërisë. Shpresoj që ne do t’i përmbahemi qëndrimit për kriteret teknike e qe ky proces nuk do të behet politik në fund.
———————————————————————————————————————————–
Deputeti socialist Besnik Baraj akuzon ministrin e Ekonomisë për korrupsion
PS: Prifti të tregojë si u pasurua me 1.8 milion euro
Partia Socialiste ka akuzuar dje deputetët e LSI-së se kanë vënë pasuri në mënyrë të pandershme. Deputeti i PS-së ka sulmuar në veçanti ministrin e Ekonomisë, Dritan Prifti. “Është folur shumë për korrupsionin e qeverisë Berisha-Meta nëpër raporte e sondazhe, por u desh të dilte deklarata e pasurisë së Ministrit të Ekonomisë dhe Energjetikës Dritan Prifti që publiku shqiptar të kuptonte se ç’përmasa të jashtëzakonshme ka kapur ky korrupsion. Sepse mjaftoi një vit i vetëm si ministër që Dritan Prifti të kthehej në milioner. 1.8 milionë euro rritje të ardhurash ka deklaruar ministri Prifti në një vit të vetëm. 1.8 milion euro nga shitja e aksioneve të një kompanie e cila as nuk ekzistonte në deklaratën e mëparshme të pasurisë të Dritan Priftit. Pra, në më pak se 12 muaj në krye të Ministrisë së Ekonomisë, ministri Prifti ia doli të krijonte nga hiçi një kompani, ta ngrinte atë dhe të shiste aksionet Prifti ka fituar nga 150 000 euro në muaj. Kjo po që është një mrekulli ekonomike nga ato për të cilat flet kryeministri”, u shpreh Baraj. Më tej ai shtoi se “Dritan Prifti, të cilin dikur Sali Berisha e Ilir Meta e shpëtuan nga përballja me drejtësinë për aferat korruptive skandaloze ku ishte përfshirë si drejtues i KESH-it, sot duhet të dalë përballë shqiptarëve e të japë llogari për burimin e këtij pasurimi të papritur. Ky ministër që shkonte me pushime kur Shkodra e Nënshkodra përmbyteshin duhet t’ u sqarojë shqiptarëve burimin e këtyre 1.8 milion eurove, një shumë kjo e barabartë me gjysmën e dëmshpërblimit që morën ato qindra familje shkodrane të cilave ai me korrupsionin dhe papërgjegjshmërinë e tij u shkatërroi shtëpi e katandi”.