Ka nisur me Vlorën ceremonia e festimit të 101-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. Presidenti Bujar Nishani, Kryeministri Edi Rama, kryeparlamentari Ilir Meta dhe kabineti qeveritar u ndodhen kete mengjes në Vlorë për ceremoninë që nisi me vendosjen e kurorave me lule dhe ngritjen simbolike të flamurit kuq e zi.
Kurorën e parë te varri i Ismail Qemalit e vendosi Presidenti Nishani, i ndjekur nga Kryetari i Parlamentit Ilir Meta si dhe nga kryeministri Edi Rama. Ndërsa kurorën e fundit me lule e ka vendosur Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika.
Të pranishëm në aktivitetin e Vlorës ishin edhe autoritetet nga Kosova.
Pas ceremonisë, kryeministri Edi Rama në një prononcim të shkurtër është shprehur: “Falenderoj të gjithë ata që na janë bashkuar sot në Vlorë, ne si qeveri jemi të angazhuar ta çojmë shtetin përpara. I uroj gjithë shqiptarëve Gëzuar këtë festë të madhe!”.
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, Kryeministri Rama dhe kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, kanë program të përbashkët vetëm në nisjen e ceremonive të festimit të Ditës së Flamurit në Vlorë. Në orën 11:00, ata ishin bashkë në ceremoninë e ngritjes së Flamurit dhe më pas vendosjes së kurorave me lule te varri i Ismail Qemalit. Më pas, programi i festimeve mes Presidentit dhe Kryeministrit Rama ndahet.
Festohet sot në të gjithë vendin, 101-vjetori i pavarësisë së Shqipërisë. Një axhendë e ngjeshur aktivitetesh janë parashikuar në kryeqytet dhe veçanerisht edhe në Vlorë, aty ku 101 vite më parë Ismail Qemali i shoqëruar dhe nga 83 delegatë shpalli pavarësinë e vendit.
Ndërkohë që mjaft aktivitete janë programuar nga Bashkia e Tiranës, teksa në orën 19:00 është njoftuar dhe pritja e organizuar nga presidenca me rastin e 101-vjetorit të Shqipërisë.
Ashtu sikundër edhe ne vitet e mëparshme Dita e Pavarësisë pritet të festohet edhe në Kosovë, Maqedoni e shtete të tjera ku jetojnë shqiptarët.