Home Kulture Brunilda Mumajesi, arti i munguar në galeritë e Tiranës

Brunilda Mumajesi, arti i munguar në galeritë e Tiranës

743
0

brunilda-mumajesi“Kolonia e artit”, një aktivitet që mbledh artistë nga bota dhe Shqipëria vjen në edicionin e dytë të tij. Prej me shumë se dy muaj kjo koloni ka nisur udhëtimin Tiranë-Prishtinë-Shkup duke shtuar edhe vajtjet-ardhjet e pareshtura të këtij eventi drejt qyteteve të tjera të Shqipërisë. Kjo koloni e përbërë me artistë shqiptarë dhe nga vende të tjera të botës drejtohet nga artistja shqiptare Brunilda Mumajezi, e cila përveç pikturës zotëron edhe profesionin e skenografes dhe kostumografes.

Është një artiste e re, por që karakterizohet nga një “pakënaqësi” e pareshtur ndaj gjërave që arrin, sepse pika e saj e fortë e të bërit të gjërave është ecja përpara dhe idetë e reja të saj marrin vërtetë kuptim gjatë përballjes me artin bashkëkohor të vendeve të tjera të botës. Mumajezi e quan zgjerim të “rrezes së mendimit” një gjë të tillë, ndërsa i bashkohet idesë se dhjetëra galeri të Tiranës nuk e luajnë rolin e tyre që t’i shërbejnë afrimit të artit shqiptar me vlerat botërore.

Po Kolonia e Artit që ajo drejton, a do të ndihmojë sadopak në këtë përballje vlerash? Si fillim Mumajezi ndihet e kënaqur me pjesëmarrjen dhe punët e shumta që marrin jetë gjatë lëvizjes së Kolonisë, në të cilën përfshihen jo vetëm artistë të vendeve të botës, por edhe profesorë e miq shqiptarë të artit.

Kolonia e Artit e drejtuar e ka nisur aktivitetin që në vitin 1912 në Tiranë, me pjesëmarrje të artistëve nga Zelanda e Re, nga Suedia, etj, duke iu afruar Ballkanit me artistë nga Maqedonia, Kosova, Shqipëria dhe këtë vit harta e pjesëmarrjes është zgjeruar ku kanë ardhur edhe piktorë nga India e vende të tjera të botës. Në intervistën për Shqiptarja.com, Brunilda Mumajezi rrëfen “u mungon dialogu me artin botëror artistëve shqiptarë”, rol që prej kohësh nuk po e luajnë më as galeritë e shumta të Tiranës.

Javën e fundit të qershorit ju ishit me Koloninë e Artit në Vlorë. Çfarë bërë konkretisht atje?
-Kolonia e Artit sapo është kthyer nga një aktivitet në Vlorë pas atij eventi të mbajtur në Hotel Sirius në Prishtinë, ku u prezantuam me piktura, skulptura, regji filmi, etj. Aktiviteti u zhvillua në bregdet, në Hotel Nju Jork Vlora, në datat 14-18 qershor dhe artistët që erdhën në këtë event ishin nga Koreja, Rusia-Shkolla e Shën Petërburgut, ku atje pamë sesi profesorë të shquar të artit sollën një teknikë të mirëfilltë. Pati edhe një promovim për librin mbi 14 ikonat e artit të shkruar nga Baxhul Merkaj. Këtë herë kanë ardhur edhe artiste iraniane, por edhe artistë që ndajë idetë si skenografë apo kostumografë dhe kështu shkëmbehen përvojat më të mira.

Ju jeni presidentë e Kolonisë së Artit, por njëkohësisht menaxhoni edhe galerinë tuaj të artit në Tiranë. A mund të na thoni se çfarë roli mund të ketë një galeri si e juaja, kur Tirana është e mbushur plot me të tilla, dhe gjithë vitin rrinë pa aktivitete?
-Përpiqem të bëj diçka me tepër se aktiviteti i vazhdueshëm me galerinë. Unë synoj dhe kërkoj që si banorë të një shteti siç është Shqipëria, të jemi shumë më të hapur me zhvillimet e artit botëror, më të hapur me botën, ku të kemi artistë që të bëhen pjesë e aktiviteteve të artit në plan ndërkombëtar. Ky është një ballafaqim i munguar për artistët shqiptarë.

Është e natyrshme që galeritë private e nisin punën e tyre si biznese, por ne duhet t’i gjallërojmë ato dhe të kërkojmë të përballemi me të panjohurat. Ndryshe me galeritë e tjera në Tiranë unë kam shpallur galeri botërore dhe synoj të koleksionojë artistë nga e gjithë bota. Pra përpiqem të jem besnike e vizionit tim, por edhe emocionalisht kjo punë lidhet me mua.

Çfarë ndodh aktualisht me galeritë e shumta private në Tiranë. Ku qëndron vlera e tyre?
-Po ato në fillim kanë pasur ambicie artistike, që nuk ka shkuar dot më tej, sepse nuk bëhet përzgjedhja e duhur e veprave dhe artistëve. Ambicia ime është më e madhe dhe kapaciteti për të koleksionuar artistë e huaj është më e madhe. Ndoshta do të mendoni se këta artistë nuk janë shumë të njohur, por duke shkuar pas ndjesisë sime krijohet një koleksion vlerash të artit, dhe unë mendoj që njerëzit që koleksionojnë artin e pëlqejnë atë gjë që është më e veçanta dhe unikja dhe normalisht nuk ke përse të thuash që po shterojmë.

Cilët janë partnerët e tu që të mbështesin dhe që krijojnë ide?
-Ka qenë kreativiteti im, guximi. Duke qenë natyrë rebele që në bankat e shkollës kam përqafuar ndryshimin dhe aktivitetet që kam pasur nëpër botë më kanë sjellë një rreze më të madhe mendore për të bërë diçka pozitive për artin, por nuk kam mbështetjet përvec vetes sime. Kemi aktivitetin e madh tw Zagrebit, ku do të dërgojmë disa artistë nga Kolonia, por kemi vështirësi me pagesat dhe kjo do të jetë njëra nga sfidat.

Cilët janë miqtë e tu me të cilët ndan mendimet për Koloninë?
-Janë shumë dhe kam frikë se del një listë e gjatë. Janë Helidon Haliti në pikturë, Sesilja Plasari në fushën e teatrit. Nga muzika kam mikun tim Osman Mulën, pastaj piktorët Nikolin Ivana, Buron Kaceli, Abaz Hado. Pra janë të panumërt ata që më japin kënaqësinë e të menduarit më tej për projekte të reja. Kam mike gjithashtu Natasha Begën, Lume Bloshmin, etj, të cilat janë burim idesh.

Ju e dini që arti në thelb shkëlqen kur bëhet nga individualitetet. Nuk të vjen keq që e quan Kolonia e Artit këtë bashkësi artistësh?
-Pyetje e drejtë. Ne themi koloni, por nuk e kemi në kuptimin e një turme artistësh, por e kemi në kuptimin se bashkë dialogojmë në shumë gjini të artit. Për shembull një profesor nga Koreja, që jepte dhe leksione në Vjenë ka sjellë në koloni një stil të fundit nga kënga Gangnam Style. Këngën që ishte në modë në gjithë botën e solli në art.

Keni mbështetje nga institucionet shtetërore?
-Zero. Deri tani në tri aktivitete çdo gjë e kam bërë me xhepin tim, por ndoshta do të kemi partnerë të mirë në të ardhmen. Pjesërisht më kanë mbështetur për të bërë aktivitetin ato hotele ku drejtohen nga njerëz që kanë një ndjesi të mirë ndaj artit.

A blejnë koleksionistët e huaj vepra artit brenda Shqipërisë?
-Po marrin. Shumat janë të ndryshme, të ulëta dhe të larta dhe kjo varet nga të bërit emër.

Cila është pika jote më e fortë që i jep sukses kolonisë?
-Ideja ime e re është që sa më shumë artistë të huaj të ekspozojnë, aq më shumë rritet edhe piaca e artit këtu, aq më shumë rritet edhe mirëqenia. Statuset që përcaktojnë vlerat e artit, këtu nw Shqipwri ne ende nuk i kemi…

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here