Afrimi i muajit shtator, shton ethet në radhët e ministrave të kabinetit qeveritar. Tashmë dhe ata vetë e dinë, se është koha për ndryshime dhe secili fillon të kalkulojë se kush e ka radhën për të mos qenë më pjesë e atij ekipi. Kjo sigurisht niset në bazë të punës së tyre në krye të dikastereve që drejtojnë. Zërat e shumtë në media për ndryshime në qeveri nuk kanë shkaktuar kundërshti të kryeministrit, kjo edhe për faktin se Berisha e ka strategji riformatimin e shpeshtë kabinetit. Por kush janë ministrat që rrezikojnë më shumë dhe cilat janë arsyet? Gazeta zbulon emrat mbi të cilët bie lapsi i “shkurtimit”. Këto lëvizje të reja do t‘i japin atij një “fytyrë” të re qeverisë PD-LSI.
Kush rrezikon
Zgjedhjet e Qershorit të vitit të kaluar sollën domosdoshmërinë e krijimin të koalicionit PD-LSI, për shkak të mungesës së votave për qeverisje. Të dy forcat kishin si objektiv madhor integrimin në Bashkimin Evropian dhe liberalizmin e vizave. Por në kushtet kur lëvizja e lirë e qytetarëve shqiptarë u bë fakt, burime nga PD konfirmojnë se së shpejti, në nisje të sezonit të ri, priten ndryshime të reja në kabinet. Kështu, pasi të bëhet analiza vjetore për punën e çdo ministri, dhe kjo gjë pritet të “djegë” disa emra, të cilët nuk do të jenë më pjesë e kabinetit qeveritar “Berisha-Meta”. Kështu, burime në radhët e demokratëve bëjnë të ditur se ministri i Bujqësisë, Genc Ruli, rrezikon të lërë postin, për t’u bërë në një moment të dytë Guvernator i Bankës së Shqipërisë. Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani është me pikëpyetje, duket se kryeministri po mendon që ta largojë nga posti aktual për t’i dhënë një detyrë më të lehtë. Po ashtu rrezikon edhe ministri i Kulturës Ferdinant Xhaferri, duke marrë parasysh edhe gafën për eshtrat e Ismail Qemalit. Megjithëse është një shtyllë e fortë e qeverisë, ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, duket se do ta lërë vetë këtë post, për shkak se është kandidati më potencial dhe më i përfolur për Bashkinë e Tiranës. Lëvizje mund të ketë edhe në radhët e ministrave të Lëvizjes Socialiste për Integrim, por kjo do të bëhet në marrëveshje me kreun e saj, Ilir Meta, i cili do të bëjë propozimet e tij. Në radhët e LSI-së, duken qartë edhe tentativat e socialistëve për të shkarkuar ministrin e Energjetikës, Dritan Priftin. Ndërkohë që edhe ministri i Punës, Spiro Ksera është një emër që vihet në dyshim nëse do të qëndrojë më si pjesë e këtij kabineti apo do të zëvendësohet. Burime nga PD bëjnë të ditur se pjesë e kabinetit mund të jetë edhe Partia për Drejtësi dhe Unitet duke qenë se ka bërë edhe marrëveshje me LSI-në dhe përfaqëson të drejtat e komunitetit çam.
Ndryshimet e fundit
Rezultati i zgjedhjeve të 28 qershorit, megjithëse nxori fituese Partinë Demokratike me një diferencë të vogël votash kundrejt PS-së, imponoi koalicionin me Partinë Lëvizja Socialiste për Integrim, pasi asnjë nga forcat e mëdha nuk kishte votat e domosdoshme për të krijuar qeverinë e re. Kështu, kreu i PD-së, Sali Berisha i bëri ftesë për bashkëqeverisje kreut të LSI-së, Iilir Meta. Ky i fundit pranoi dhe më pas u ra dakord për përfaqësimin e LSI-së në qeverinë e re. Sipas marrëveshjes mes dy palëve LSI do të merrte 4 poste ministrash, 7 poste zv.ministrash dhe 20 për qind të administratës shtetërore. Kjo marrëveshje i kushtoi Berishës sakrifikimin e disa ministrave dhe zëvendësministrave demokratë. Kështu, posti i zv.kryeministrit i cili më parë i takonte Genc Pollos dhe i ministrit të Jashtëm, i cili i takonte Lulzim Bashës, iu dhanë liderit të LSI-së, Ilir Meta. Ish- ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, u emërua ministër Drejtësie, duke zëvendësuar Enkelejd Alibeajn, dhe në vendin e tij u emëruar ish-ministri i Jashtëm, Lulzim Basha. Ish-ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa u zëvendësua nga drejtori i kabinetit të kryeministrit Berisha, Arben Imami. Ndërsa, ministrat Majlinda Bregu, Sokol Olldashi dhe Ridvan Bode janë sërish në postet e mëparshme. Ish-ministri i Ekonomisë, Genc Ruli u emërua si ministër Bujqësie duke zëvendësuar Jemin Gjanën, dhe në vendin e tij u emërua përfaqësuesi i LSI-së, Dritan Prifti. Ndërsa-ish ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo u zëvendësua nga përfaqësuesi i LSI-së, Petrit Vasili. Deputeti demokrat, Ferdinat Xhaferri ka zëvendësuar ministrin e Turizmit, Ardjan Turku, ndërsa Fatmir Mediu është rikthyer sërish si ministër i qeverisë Berisha, por këtë herë në krye të ministrisë së Mjedisit.
Kabineti “Berisha”
Për 4 vite qeverisjeje, kryeministri Sali Berisha ka larguar nga kabineti i tij plot 22 ministra, duke i zëvendësuar ata me të tjerë. Por për shkak të koalicionit me Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe me aleatët e djathtë, kryeministri u detyrua që mandati i dytë 2009-2013 të kishte më shumë ministra se çdo mandat tjetër, në mënyrë që të mos kishte qejfmbetje. Kabineti “Berisha 7” përfaqësohej nga 15 ministra, në të cilën Pollo ishte pa portofol. Përveç ministrave ndryshime të herëpashershme kanë ndodhur edhe në radhët e zëvendësministrave. Dhe së fundmi është shtuar edhe zëvendësministri i Inovacionit dhe Teknologjisë së Informacionit e të Komunikimit, Visho Ajazi Lika.
Ndryshimet
Në katër vitet e mandatit të parë të qeverisjes, kryeministri Berisha ka bërë një sërë shkarkimesh, emërimesh, disa prej të cilave kanë qenë mjaft të bujshme, duke kujtuar këtu rastin “Pango”. Për 4 vite, Berisha ka larguar nga kabineti i tij plot 22 ministra, duke i zëvendësuar ata me të tjerë.
Emërimet
Më 13 Prill të këtij viti kryeministri Berisha ka bërë lëvizjen e parë për mandatin qeverisës 2009-2013. Riformatimi i qeverisë, këtë herë nuk është bërë më shkarkime dhe zëvendësime, por duke bërë një balancim të kompetencave. Ministri i vetëm pa ministri në kabinetin e miratuar në shtator të vitit 2009, ka qenë vetëm Genc Pollo. Funksioni i të cilit ishte koordinimi i punës ndërmjet ekzekutivit dhe Parlamentit.
Dekreti
Presidenti i Republikës, Bamir Topi me propozim të Kryeministrit, zotit Sali Berisha dekretoi pak kohë më parë ndryshimin e emërtesave të ministrave të kabinetit qeveritar. Ku, Sokol Olldashi do të kryejë detyrën e ministrit të Punëve Publike dhe Transportit dhe Genc Pollo, atë të ministrit për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit.