Lideri i opozitës, Lulzim Basha paralajmëroi mbrëmë në emisionin “Top Story” të gazetarit, Sokol Balla në TCH përjashtimin nga Partia Demokratike të cilitdo deputet që thyen bojkotin e Kuvendit. I pyetur për rastin e deputetes Mesila Doda, e cila ka sinjalizuar hyrjen në Kuvend, Basha bëri të qartë se “çdo deputet i PD duhet të respektojë vendimin politik të PD-së për bojkot të Kuvendit. Kushdo që e thyen këtë vendim përjashtohet nga partia”. Sa i përket rastit të ish-kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila ka marrë pjesë në disa përfaqësi të përbashkëta parlamentare me mazhorancën jashtë vendit, Basha sqaroi se vendimi për bojkot nuk ka të bëjë me aktivitetet ndërkombëtare. “Në asnjë rast, kur kemi pasur aktivitete ndërkombëtare nuk kemi thënë ‘jo’. Ne kemi bërë denoncimet tona në takimet periodike me delegacionet ndërkombëtare për këtë qeverisje që dhunon sistematikisht ligjin dhe Kushtetutën. Për këtë arsye ka qenë dhe zonja Topalli, por jo për të qenë dekor i shumicës”, – sqaroi ai.
Lidhur me pyetjen sesa do të vazhdojë bojkoti i opozitës ndaj Kuvendit, Basha u përgjigj: “Sistemi është në krizë. PD do që të hyjë në Kuvend, por kushtet janë të pafavorshme për shkak të dhunës së mazhorancës mbi opozitën. Duhet të pastrohet parlamenti nga krimi”. Kreu demokrat la të kuptohet për vijimësinë e bojkotit dhe bëri të qartë se mandatet e deputetëve demokratë nuk mund t’i heqë mazhoranca, por Kushtetuta në bazë të afateve të përcaktuara. “Këto janë vendime politike. Vendimi shqyrtohet. Tashmë PD ka të gjithë ansamblin e saj. Ne e kemi bërë të qartë vendimin tonë dhe mazhoranca bën sikur nuk dëgjon. Ata që bëjnë matematikë me çështje që është më e mprehtë, e kanë gabim. Ato mandate nuk mund t’i heqë askush tjetër përveç Kushtetutës. Afatet janë të përcaktuara. Afatet nuk i vendosim ne dhe aq më pak ata që ata shkelin rregulloren e Kuvendit. Vendimi politik është ky që është sot. Çdo vendim do të diskutohet në forumet drejtuese të partisë”, – deklaroi Basha.