Pas akuzave të Prokurorisë së Barit se pala shqiptare ndërhyri në operacionin për tërheqjen e tragetit “Norman Atlantic”, autoritetet shqiptare akuzojnë italianët se braktisën tragetin kur ndodhej në ujërat shqiptarë, rreth 4 milje larg ishullit të Sazanit dhe kur ishin evakuuar te gjithe personat ne bord. Në një deklaratë për mediat nga porti i Durrësit, Kapiteni i Porteve Shqiptare, Hysni Aruçi thotë se pala shqiptare angazhoi rimorkiatorët e saj për të mbajtur nën kontroll tragetin e pakomandueshëm që të mos afrohej në cekëtinë e të shkaktonte dëme ekologjike në brigjet tona.
“Nëse kapiteni do të ishte në bordin e anijes, sepse vendos ai se kush do të kapë anijen pas mbarimit të evakuimit, por meqenëse anija u braktis atëherë në këto kushte nuk ka përfaqësim se kush do të kapë tragetin. Ndërhyn autoriteti i shtetit ku ngjarja ndodh dhe ngjarja po ndodhte në ujërat shqiptare. Nëse komanda italiane do të ndërhynte që trageti pas braktisjes nga kapiteni do të ndërhynte ta mbante tragetin me rimorkiatorët që kishte 1 milje distancë dhe ishin katër të tillë, atëherë nuk do të ishte e nevojshme që të urdhëronim rimorkiatorët shqiptarë të përfshiheshin në këtë lloj operacioni”, thotë Kapiteni i Porteve, Hysen Aruçi.
Katër ditë nga vdekja aksidentale e dy marinarëve shqiptarë, kapiteni Aruçi sqaroi të gjithë dinamikën e ngjarjes dhe faktin se pse është bërë ndërhyrja e palës shqiptare, përmes dy rimorkiatorëve. Fillimisht tha ai, tragetin e ka kapur rimorkiatori “Adriatik” më 29 Dhjetor, ndërsa një ditë më pas iu bashkua edhe rimorkiatori “Iliria” për t’i shkuar në ndihmë, pasi anija nuk mund të mbahej. Një incident me shkëputjen e litarëve solli edhe vdekjen e dy marinarëve civil shqiptarë, të cilët u goditën për vdekje nga kavoja.
“Në datën 29 Dhjetor në orën 16 e 10 minuta pak minuta pasi ishin evakuuar të gjithë pasagjerët nga trageti në flakë nëpërmjet helikopterëve, anija u braktis nga komanda e saj. Anija gjendej 4 milje larg bregut të Vlorës dhe përbënte një rrezik potencial për trafikun detar dhe vetë portin, për shkak të rrezikshmërisë që kishte një anije e tillë. Komanda e operacionit nuk vendosi që të afroheshin 4 rimorkatorët e ardhur nga Italia për të mbajtur anijen të palëvizur. Pala shqiptare mbeti në pritje. Në kushtet kur një anije e pakomandueshme me kurs 143 gradë në drejtim të tokës, vendosëm që me rimorkiatorin “Adriatik” të kapim tragetin dhe ta mbajmë në atë pozicion për të shmangur lëvizjen drejt tokës. Trageti ishte i rrezikshëm, qoftë për anijet ku zhvillohej operacioni, apo edhe rënia në cekëtinë. Dëmet do të ishin katastrofike. Biseduam me ministrin Haxhinasto që anija të mbahej në ato kushte nga rimorkiatori “Adriatik”. Në datë 30 Dhjetor, vendosëm që riomorkiatori “Iliria” të shkonte në vendngjarje e t’i jepte ndihmë rimorikiatorit “Adriatik”, që mbante tragetin “Norman Atlantik” të palëvizur, në kushtet e një moti ekstrem. Këputja e cimës si pasojë e kushteve të motit bëri që të bllokohej helika dhe një pjesë e cimës goditi dy marinarët Petrit Jahja e Edmond Hila që humbën jetën. Ishte një incident i rëndë. Vetëm në orën 15:00 të datës 31 Dhjetor, Gjykata e Vlorës miratoi kërkesën e Prokurorisë së Barit për sekuestrimin e tragetit “Norman Atlantik” për llogari të hetimit. Pas kësaj katër rimorkiatorët italianë u lidhën me tragetin, dhe rimorkiatorët shqiptarë u tërhoqën”, tha Aruci.
Kapiteni i Porteve Shqiptare tha se vdekja e dy marinarëve shqiptarë mund të ishte shmangur nëse komanda italiane do të ndërhynte të mbante tragetin me katër rimorkiatorët e saj të cilët ishin vetëm një milje larg e saj.
Në fund Kapiten Aruçi thotë se IMO, Organizata Ndërkombëtare Detare e Italisë në një deklaratë të saj “për incidentin e ndodhur në fushën e detarisë dhe ka përmendur angazhimin e palës Shqiptare dhe kontributin e dy viktimave shqiptare, e dy marinarëve shqiptar në këtë lloj operacioni”
Disa ditë më parë, burime nga Ministria e Mbrojtjes thanë për A1 REPORT se rimorkiatori Iliria është kërkuar për të ndërhyrë me urdhër të pronarit të tragetit italian. Ndërsa në një deklaratë për mediat italiane, pronari i rimorkiatorit Marietta Barreta, Giuseppe Barreta thotë se italianët nuk e braktisën tragetin, por se pas shkëputjes së litarit ata u angazhuan në kërkimin e trupave të pajetë që mund të gjendeshin në det.